Sukseset e “Shpisë së Agës”, nën regji të Lendita Zeqirajt, s’kanë të ndalur. Është pjesë e programit garues në atë që dikur ishte edhe ngjarja kryesore e industrisë së filmit në Jugosllavi dhe njihej me emrin “Festivali i Filmit Jugosllav”.
Filmi është në garë për katër çmime në “Pula Film Festival”, festivali më i vjetër në Kroaci. Nami i Festivalit – në të cilin filmi kosovar garon për çmimin për filmin më të mirë, regjinë më të mirë, aktoren më të mirë (Rozafa Çelaj), si dhe aktorin më të mirë (Art Lokaj) – është i madh dhe tejkalon kufijtë e Ballkanit. Ka traditë të gjatë në fushën e kinematografisë dhe këtë vit shënon edicionin e tij të 67-të. Festivali zakonisht mbahet gjatë verës, mirëpo për shkak të pandemisë edicioni i sivjetmë është shtyrë për muajin shtator. Datat e reja ende nuk janë caktuar, raporton ‘koha’.
Filmi i regjisores Zeqiraj në të cilin shtjellohet rrëfimi i pesë grave, që bartin me vete traumat e luftës në Kosovë, është në garë me nëntë filma të tjerë. Në mesin e tyre edhe filmi “Father” i regjisorit serb Srdan Goluboviq. Filmi ishte pjesë e programit “Panorama” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin këtë vit, ku fitoi çmimin e publikut dhe atë të jurisë. E, po ashtu, në kategoritë e njëjta me “Shpinë e Agës” është edhe filmi “The Barefoot Emperor” i regjisores belge-amerikane, Jessica Woodworth, që është shfaqur në festivale me nam si Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Toronto dhe Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Varshavë.