“Shpia e Agës” rikthehet në Spanjë, garon për tri çmime

Për herë të katërt filmi “Shpia e Agës”, i regjisores Lendita Zeqiraj, është bërë pjesë e një festivali në Spanjë. Në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit “Imagine India” në Madrid garon për tri çmime.

Për producentin e “Shpisë së Agës”, Bujar Kabashi, kjo është një dëshmi se filmi po arrin të depërtojë aty ku s’po ia del politika. Sipas tij, këtë po e bën edhe në kohë pandemie, ani pse ekziston një neglizhencë e institucioneve ndaj kulturës dhe artistëve në përgjithësi.

Edicioni i 19-të i “Imagine India” ishte menduar të mbahej prej 17 deri më 31 maj në Madrid, mirëpo për shkak të pandemisë, organizatorët ende nuk kanë dhënë data të reja. Deri tani kanë bërë të ditur vetëm filmat që do të jenë pjesë e programit të sivjetshëm.

“Shpia e Agës” është në mesin e 17 filmave pjesëmarrës dhe garon për çmimin për regjinë më të mirë, aktoren më të mirë (Rozafa Çelaj) dhe muzikën më të mirë, nominim që takon vetë regjisores, pasi ka bërë përzgjedhjen e muzikës. Pjesë e edicionit të sivjetmë është edhe dokumentari “For Sama” me regji të Waad Al-Kateab dhe Edward Walts. Rrëfimi që ka në qendër eksperiencën e një gruaje gjatë luftës, sivjet ishte fitues i çmimit “BAFTA” për dokumentarin me të mirë.

Filmi i regjisores Zeqiraj shtjellon rrëfimin e pesë grave, të cilat bartin me vete traumat e luftës në Kosovë. Burri i vetëm i shtëpisë në film është Aga (Arti Lokaj), një djalë 9-vjeçar. Kërkon vazhdimisht të atin për të cilin mendon se është hero dhe i burgosur në Serbi. Në mungesë të një modeli sesi duhet të veprojë një burrë, Aga nxit shikuesit e filmit që të reflektojnë edhe mbi rolin e patriarkalit. Filmi pati premierën botërore në korrik të vitit të kaluar në Festivalin Ndërkombëtar në Karlovy Vary të Çekisë. Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena janë aktorët në role kryesore, transmeton ‘koha.net’.

Producenti Kabashi ka thënë se çdo pjesëmarrje ndërkombëtare është e rëndësishme si për filmin ashtu edhe për Kosovën. Sipas tij, arti po e kapërcen pandeminë.

“Ky është prezantimi i katërt i ‘Shpisë së Agës’ në Spanjë dhe i dyti në Madrid, madje filmi është shpërblyer në ‘ZINEBI Bilbao’, ku pati premierën spanjolle vitin e kaluar në festivalin e kategorisë A. Kjo na tregon se filmi nuk është vetëm mjet i promovimit të vlerave artistike, por edhe mjet efikas i promovimit dhe lobimit të gjithë Republikës së Kosovës. Shpresoj që institucionet tona do ta kuptojnë këtë gjë ndonjëherë”, ka thënë ai.