Shpresa Bërdëllima, aktorja e njohur të cilës sëmundja e rëndë ja mori jetën…

Shpresa Bërdëllima u lind në Tiranë, më 11 prill të vitit 1959. Ishte gjimnaziste te ‘Petro Nini’, kur kishte shkuar Ilia Terpini për të kërkuar personazhe për filmin ‘Guna përmbi tela’. Kishte vetëm 16 vjeçe, kur ishte përzgjedhur për këtë rol, megjithëse edhe më parë, qysh fëmijë, recitimi kishte qenë një nga gjërat e saj të pëlqyera.

Ishte marrë vazhdimisht me aktivitete artistike në shkollë edhe për shkak të zërit, që e kishte pasur shumë të mirë.

Gëzim Erebara pas filmit të parë i kishte propozuar ta bënte rolin e spiunes te filmi ‘Vajza me kordele të kuqe’.

Kishte qenë aq mirë i realizuar ky rol, sa siç tregonte aktorja, edhe në rrugë, pas transmetimit të filmit, fëmijët e qëllonin me gurë, sepse kujtonin se ishte vërtetë spiune”.

Roli i saj i fundit ka qenë në teatër: “Kush e vrau Kastijin”, me regji të Gëzim Kames. Edhe pse një aktore me të dhëna dhe e preferuar nga regjisorët, këta të fundit druheshin për t’i dhënë role të mëdha, sidomos pas martesës me artistin e cirkut, Arian Miluka, të cilin regjimi nuk e kishte pasur me “sy të mirë”.

Që në atë kohë nisi edhe distancimi dhe asaj do t’i besohej tek-tuk ndonjë rol episodik. Ndërrimi i sistemeve e gjeti 30 vjeç dhe ishte pikërisht atëherë, kur karriera e saj mund të shpërthente, bashkë me të shoqin vendosën të largohen nga Shqipëria.

Pas vitesh të vështira në emigracion, u vendosën në Belgjikë. Herë pas here ajo kthehej në Tiranë, me mallin për shtëpinë dhe vendin e saj, por nuk iu kthye më kurrë skenës dhe ekranit.

Rolet e saj ndoshta nuk numërohen me dhjetëra, por ajo, për aq sa u aktivizua, mundi të lërë gjurmë në kinematografi.

U angazhua në teatrin e estradës së Tiranës dhe në kinematografi, duke filluar me rolin e zonjushës Gajtani te “Vajzat me kordele të kuqe”, (1978), “Përtej mureve të gurta” (1979), “Era e ngrohtë e thellësive” (1982), “Të shoh në sy” (1985), “Kur ndahesh nga shokët” (1986). Pastaj “Kur hapen dyert e jetës” (1986), “Një vit i gjatë” (1987), “Hetimi vazhdon” (1987), “Shpresa” (1988), “Flutura në gabinen time” (1988) dhe “Mirela” (1990).

Aktorja Shpresa Bërdëllima u nda nga jeta në vitin 2019, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 60-vjeçare në Belgjikë, vendin që e mirëpriti për vite me radhë.

E ndjera, Shpresa Bërdëllima mbetet një nga emrat e aktoreve tona më të vlerësuara të teatrit dhe kinemasë.

/ aktoretshqiptare/ ObserverKult


Lexo edhe:

LETRA EMOCIONUESE E BASHKËSHORTIT PËR AKTOREN E NDJERË, SHPRESA BËRDËLLIMA: “SI ERDHE NË JETËN TIME? DHE SI U LARGOVE?”

Në fund të tetorit 2019, pasi luftoi me sëmundjen e rëndë për një kohë të gjatë, u nda nga jeta aktorja e njohur e filmave shqiptarë, Shpresa Bërdëllima.

Të afërm, kolegë e miq artistë shprehën ngushëllimet e tyre , por familjarët dhe bashkëshorti i aktores së njohur për disa role në kinemanë shqiptare janë ata që nuk mund të harrojnë asnjë ditë të kaluar me të.

Arjan Miluka shkroi kohë më parë një letër të ndjerë për bashkëshorten e tij, aktoren Shpresa Bërdëllima, në ditëlindjen e saj, të cilën mund ta lexoni më poshtë:

Në një ditë të zakonshme ndodhi e jashtzakonshmja jonë. Të pashë të ulur aty ku s’e mendoja dhe u njohëm, megjithëse të njihja mirë prej kohësh.

Zemra më rrihte fort teksa të përshëndeta si pa problem. Nuk do t’i përgjigjeshe shikimit tim, mendova. Por jo! Ndërkohë, mora frymë thellë për të mposhtur emocionet. Ndërkaq me bisht të syrit vërejta qetësinë tënde.

O Zot, shpëtova disi! Por si të vazhdoja?

Me një qetësi të shtirur të tregova nja dy barcoleta që të pëlqenin! Fitova ca pikë që më dhanë guxim. Por tani çfarë të bëj? Sa doja të qëndroja më gjatë, por trembesha se mund të të humbisja.

Jo, i thashë vetes, do të luaj indiferentin, dhe në moment të përshëndeta që të largohesha. Një buzëqeshje e ngrohtë dhe e çiltër e zbukuroi portretin tënd engjëllor.

E di unë si kaluan tri ditë pa u parë, a thua se ishin tre vjet, kështu m’u dukën. Kur shoh, ti po vije si një flutur duke qeshur…M’u duk sikur nuk po më drejtoheshe mua.

Ktheva kokën për të parë mbrapa se kush mund të ishte pas meje. Askush! Ec e mos i beso mrekullitë!

-Hë, – më the pa të keq dhe duke qeshur, – po flet me veten? Apo je i zënë tani?

-Jam aq kot, sa nuk e di ç’të bëj, – munda të të thosha. Megjithëse, të jem i sinqertë, më prisnin diku.

-Unë jam e lirë nja dy orë, – më the. Dhe mirë që të takova. Sigurisht, nëse je i lirë dhe nuk ke kundërshtim!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult