Çështje ditësh ishte konsideruar gati katër javë më parë bartja e 121 veprave të artit nga hoteli “Grand” në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Mirëpo shpronësimi i veprave e ka bllokuar këtë proces. Ka kthyer përsëri në bisedime Ministrinë e Kulturës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit, që ka nën menaxhim “Grandin”.
Tani këto dy institucione janë duke i shqyrtuar modalitetet e duhura ligjore lidhur me procedurat e shpronësimit të këtyre veprave që për vite kanë qenë të ekspozuara në hapësirat e objektit hotelier.
Në anën tjetër, “nikoqiri” i ri i këtyre veprave, Galeria Kombëtare e Kosovës, ka mbetur në pritje ani pse ishin bërë gati për pranimin e veprave më 2 dhjetor. MKRS-ja, e cila e kishte dhënë lajmin për bartjen e veprave, tashmë e ka njoftuar drejtoreshën e GKK-së, Arta Agani, se ky proces është anuluar.
Institucioni më i lartë kulturor përmes një kërkese për AKP-në, më 21 gusht të këtij viti, e kishte zyrtarizuar kërkesën e kamotshme që këto vepra të barteshin në GKK.
Bëhet fjalë për koleksion të çmueshëm, i krijuar ndër vite e në mesin e tyre, janë vepra artistësh të njohur si: skulpturat e Agim Çavderbashës, piktura të Gjelosh Gjokajt e vepra të artistëve të tjerë të njohur si; Shyqri Nimani, Muslim Mulliqi, Tahir Emra, Faik Krasniqi, Hysni Krasniqi, Matej Rodiqi e të tjerë. Për skulpturën “Pritja” të Çavderbashës, fondacioni me emrin e skulptorit kishte kërkuar disa herë që ta tërheqë atë, duke ngulmuar që ajo e ka vendin në galerinë-muze të artistit të njohur, e cila gjendet në Çagllavicë.
Drejtoresha e Departamentit të Kulturës në MKRS, Jehona Shyti, më 21 nëntor kishte thënë për gazetën se Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte miratuar kërkesën e tyre dhe se pranim-dorëzimi i veprave është çështje ditësh.
“Si procedurë ne kemi kërkuar zyrtarisht nga AKP-ja dorëzimin e këtyre veprave në GKK dhe kemi hasur në bashkëpunimin shumë korrekt dhe profesional të AKP-së, të cilët e kanë miratuar kërkesën tonë”, kishte thënë ajo.
Mirëpo tetë ditë më vonë krejt kjo ishte përmbysur. AKP-ja e kishte njoftuar MKRS-në se bartja është anuluar.
Në anën tjetër, AKP-ja në një përgjigje për gazetën ka thënë se janë duke i shqyrtuar modalitetet e duhura ligjore lidhur me procedurat e shpronësimit të këtyre veprave./koha