Shqipëri-Turqi/Marrëveshje bashkëpunimi nga fusha të artit te mbrojtja e të drejtave të autorit

Marrëveshja që synon forcimin dhe nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm në fusha të artit e deri tek mbrojtja e të drejtave të autorit u nënshkrua mes Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Turqisë.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe homologu i saj turk, Mehmet Ersoy në shtëpinë e Zekatëve, një nga më të bukurat e Gjirokastrës.

“Sot, mes Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë u nënshkrua një marrëveshje që synon forcimin dhe nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm në fusha të artit, arkeologjisë, muzeologjisë, në luftën kundër trafikut të paligjshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore, të mbrojtjes së të drejtave të autorit etj”, shprehet Margariti.

Margariti thekson se pas bashkëpunimeve të suksesshme në fushën e restaurimit, të tjera projekte të mëdha na presin përpara./ATSH