Sot 111 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të vilajeteve shqiptare shpallën pavarësinë e shtetit shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës, mbledhjen e tij të parë e mbajti më 28 nëntor 1912, me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit.
Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurtër. Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme. Më shumë se një vit nga krijimi, Qeveria e Vlorës u detyrua të tërhiqet dhe t’ i lëshojë vend një Qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Kohës.
Edhe më keq Shqipëria u godit në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike copëtuan gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët, ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur më 1913 u pranoi pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike.
Gjysma e popullsisë shqiptare mbetën nën sundimin serbo- malazez dhe grek.
28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës. Këtë 28 Nëntor, për herë të parë në vendin tonë do të organizohet Parada e shqiptarëve.
Me pjesëmarrjen e mijërave shqiptarëve nga të gjitha trojet, parada do të mbledhë mbi 150 Ansamble popullore. Parada do të fillojë në orën 11:00.
Parakalimi fillon nga sheshi “Nënë Tereza”, si pika e grumbullimit, për të vijuar në drejtim të sheshit “Skënderbej”, aty ku do të bëhet ngritja ceremoniale e flamurit. Ndërkohë që presidenti, kryeministri, kryetarja e Kuvendit do të bëjnë ngritjen ceremoniale të flamurit në orën 10:00 në Vlorë.
ObserverKult
Lexo edhe :