Më 9 prill 1961, në Paris vdiq Ahmet Zogu. Ahmet Muhtar Zogolli lindi më 8 tetor të vitit të largët 1895. Ai do të bëhej Mbreti i Parë i shqiptarëve, duke marrë kështu emrin, Mbreti Zog.
Ai lindi në Burgajet nga prindërit Xhemal Pasha Zogu dhe Sadije Toptani. Pas 13 vjetëve Ahmet Zogu i ri bëhet shef i krahinës së Matit. Më pas, ai dërgohet në liceun Francez dhe në Galatasarai të Turqisë për studime. Më vonë, në moshë të re, Zogu do të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912.
I emëruar nga qeveria Delvina, Zogu arrin të bëhet ministër i brendshëm, në moshën 25-vjeçare. Më 31 janar të vitit 1925, Zogu shpallet President i Republikës Shqiptare, kurse më 1 shtator të vitit 1928, ai e shpall Shqipërinë monarki, ndërsa vetëshpallet “Mbret i shqiptarëve”.
Pas shpalljes së mbretërisë, më 5 shtator u krijua qeveria e parë e Mbretërisë Shqiptare. Gjatë viteve të monarkisë administrata shtetërore u forcua më tepër, megjithëse jo me rrugë demokratike, por me mjete autoritare. Pluralizmi politik u asgjësua. Pati përndjekje politike, burgosje dhe internime. Vendi u shoqërua me trazira të brendshme. Në vitin 1932, u shënua lëvizja e Vlorës, më 1935 kryengritja e Fierit dhe më 1937-ën, rebelimi i Delvinës.
Më 12 shkurt 1946, u nis në Egjipt mbasi merr një ftesë nga ambasadori egjiptian, mbreti Faruk i Egjiptit. Gjatë qëndrimit nga shkurti i vitit 1946 e deri në verën e vitit 1955, organizoi Lëvizjen e Legalitetit dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e shqiptarëve antikomunistë në mërgim.
Në këtë hulli, më 25 korrik 1951 udhëtoi për në New York, me princ Tatin, me ftesë të shërbimeve sekrete amerikane dhe me këtë rast bleu një pronë në Long Island, por iu pamundësua nga autoritetet e emigracionit në Amerikë, për shkak të shqiptarëve që donte të merrte me vete. Asokohe, i sëmurë nga kanceri në mushkëri, donte të lëvizte nga Egjipti, nga ku kishte ardhur, duke u bërë i paqëndrueshëm politikisht. Korrikun e vitit 1955, oborri mbretëror, i organizuar nga mbretëresha, u zhvendos për në Francë, pikërisht në Ville St Blaise në Kanë, buzë rivierës.
Mbreti ndërroi jetë më 9 prill 1961, në spitalin Foche në Suresnes, pranë Parisit dhe prehet në varrezat në Thiais. I biri, princ Leka, u shpall mbret i shqiptarëve, në një ceremoni në mërgim, në hotelin “Bristol” në Paris.
***
Po çfarë shkruante shtypi i huaj për mbretin e shqiptarëve? Më poshtë, një fragment nga gazeta e Hitlerit:
“Volkische Beobaschter”, e Hitlerit: Shqipëria komb i fortë
Përshtypje të veçantë ka bërë edhe një artikull tjetër mbi Shqipërinë, i cili u botua më 24 janar 1934 në një nga fletoret më me influencë të qeverisë së sotme gjermane, në “Volkische Beobaschter”, organ personal i kancelarit Adolf Hitler. Ky artikull, që është jashtë masës interesant, merret imtësisht me kohën e kaluar dhe me historinë e re të Shqipërisë. Përshkruan hollësisht vështirësitë e krijimit të shtetit të ri dhe pastaj shton: “Me gjithë këto vështirësi të panumërta, sot mbas njëzet vjet tronditje dhe stuhije, Shqipëria është një shtet kombëtar, i forcuar në vetvete, dhe është gati të mbrojë pavarsinë politike vetë me duart e tij”. Pastaj rrëfen rolin që kanë luajtur shqiptarët në qeverinë turke dhe thotë: “Sado malsorët shqiptarë gjysëm sovranë vazhdonin në kryengritjet e tyre t’ë egërta e t’ë gjakshme kundër sundimit të Sulltanit, prapë se prap shqiptarët qenë të lirë të futeshin në nënpunësirat më të larta të qeverisë Osmane. Me gjithë këtë, bota nuk dinte që shqiptarët janë një popull i vjetër i Evropës, që si komb kanë kufi të caktuara me Sllavët dhe me Grekrit, dhe që kondra valëve të popujve që janë derdhur në vendin e tyre, i kanë ruajtur gjer më sot e këtë ditë”. Duke bërë fjalë prej ndërrimeve të politikës së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë, që janë bërë në këto vjetët e fundit, artikulli thekson rolin e N. M. T. Mbretit. Ky thotë se N. M. T. Mbreti që kur qe ministër dhe kryeministër, dinte të drejtonte gjithë politikën e vendit të tij me një zotësi të madhe, dhe di të mbajë rregulle qetësi. Rastësisht artikulli nxjerr në shesh zotësinë e jashtëzakonëshme të një burrë shteti, të cilën N. M. T. Mbreti e rrëfeu në çashtjen e politikës së jashtme, dhe në fund shton: “Prijsi i Kombit që ka vetëdije të plotë të qëllimit të tij, në krijimin e shtetit shqiptar ka punuar me mish e me shpirt, dhe se indipendenca kombëtare e Shqipërisë është për të gjeja me e shenjtë dhe më e shtrenjtë”./konica.al