Shqipëria po merr pjesë sivjet në Ekspozitën Ndërkombëtare Arkitekturës me 4 arkitekte të reja, që përgatitën një pavijon mbi traditën shqiptare të fqinjësisë.
Në këtë Bienale të Venecias janë paraqitur 61 shtete. Seksioni shqiptar pas çeljes tërhoqi vëmendjen e ekspertëve dhe kuratorëve nga gjithë bota.
Një grup arkitektesh po përfaqësojnë Shqipërinë në Ekspozitën e 17-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia.
Projekti që përfaqëson Shqipërinë, për herë të gjashtë në këtë ekspozitë periodike të arkitekturës ndërkombëtare, titullohet “Mbi fqinjësinë dhe bashkëjetesën”.
Projekti synon të sjellë në Venecia para arkitektëve nga gjithë bota përvojën shqiptare të fqinjësisë si pjesë të kulturës kombëtare, përmes konceptit artisitik “Në shtëpinë tonë”, që dikur ishte tituli i një filmi artistik të njohur në Shqipëri.
“Bienalja e Venecias është një nga ngjarje botërore dhe të jesh pjesëmarrës është gjë shumë e rëndësishme dhe kulmi i karrierës së çdo arkitekt. Personalisht si edhe për shtetin tonë ka një domethënie të madhe të përfaqësohemi këtu dhe të trajtojmë tema që kanë ndikim jo vetëm për botën e arkitekturës, por edhe për shoqërinë dhe të ardhmen tonë në kohën që jetojmë” – thotë arkitektja Fiona Mali.
Në Bienaljen e sivjetme me temë “Në shtëpinë tonë” janë paraqitur dhe ngritën pavionin e Shqipërisë arkitektet Fiona Mali, Irola Andoni, Malvina Ferra dhe Rudina Breçani.
Kuratori i përgjithshem i Bienales, Hashim Sarkis, ka vendosur temën për të gjithë pjesëmarrësit “Si do të jetojme së bashku?” dhe kësaj iu përgjigjen arkitektë nga e gjithë bota me një mori projektesh. Përgjigja e autoreve nga Shqipëria është “Njih fqinjin tënd”.
“Vitet 1990-2000 ishin koha kur shoqëria shënoi një përthyerje dhe njerëzit nisën të mos njihnin më fqinjët. Këtë kohë që përkon me fëmijërinë tonë jemi munduar ta sjellim në këtë Biennale, për të shpjeguar marrëdhëniet mes fqinjëve dhe sa shumë ato kanë ndryshuar” – thotë arkitektja Irola Andoni.
Në këtë edicion të Bienales marrin pjesë 61 shtete dhe 112 arkitektë të ftuar.
Pavijoni shqiptar mbështetet nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe Bashkia e Tiranës.
Shqipëria përfaqësohet në këtë ngjarje kulturore me një skuadër fituese e zgjedhur nëpërmjet një konkursi kombëtar.
“Gjatë kërkimit ne bëmë një thirrje të hapur për të mbledhur sa më shumë histori personale në raportet me fqinjët. Kuptuam që kjo është një temë sa lokale për komunitetin shqiptar, si edhe është një temë po aq edhe globale. Në këtë epokë të globalizimit po e kuptojmë më shumë se kurrë se ç’do të thotë të kesh një fqinj të mirë përkrah” – thotë arkitektja Malvina Ferra.
Në projektin nga Shqipëria kuratoret arkitekte tregojnë për fqinjët dhe fqinjësinë, pasi kanë mbledhur shumë histori nga kultura shqiptare në komunitet.
Ato konstatuan se vitet 1990 deri 2000 ishin periudha e fundit kur marrëdhënia me fqinjët dhe komunitetin ishte e fortë dhe gjithë familjet jetonin me dyer të hapura.
Më pas ato filluan të zbehen, por kjo, sipas tyre, është një vlerë që mund të ndryshojë formë, por nuk duhet harruar.
“Në ditët e sotme, kur urbanizimi ka arritur në një përqindje shumë të lartë krahasuar me më parë, ka arritur rreth 60 për qind, njerëzit jetojnë shumë afër njëri tjetrit, dendësia e banorëve në qytet është rritur mjaft dhe parashikohet të shtohet edhe më shumë, por megjithatë, edhe pse janë kaq pranë, ata ndjehen gjithmonë e më shumë të vetmuar se sa më parë” – thotë arkitektja Rudina Breçani.
Ekspozita 17 ndërkombëtare e Arkitekturës do të qëndrojë e hapur për publikun deri në nëntor për të gjithë shtetet.
Për vende të vogla nga Ballkani, si Shqipëria, ajo është një mundësi e mirë për të dëshmuar qarqeve profesionale të arkitekturës vlerat e reja dhe historike të shqiptarëve në këtë fushë, duke u paraqitur me autore të reja, që trajtojnë tradita tradita të hershme./VoA