
Shqipëria do të mirëpresë, në datat 8–11 nëntor 2026, edicionin e 20-të të Konferencës Vjetore të Rrjetit të Ekspertëve të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale në Evropën Juglindore.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, në rrjetet sociale, shkruan se takimi jubilar do të zhvillohet nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit (MTKS) dhe UNESCO-s, duke mbledhur në Shqipëri ekspertë dhe përfaqësues nga vendet e Evropës Juglindore.
“Ky takim jubilar sjell së bashku ekspertë dhe përfaqësues të vendeve të Evropës Juglindore, për të shkëmbyer përvoja, praktika të mira dhe qasje të reja në ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e trashëgimisë kulturore jomateriale te brezat e ardhshëm”.
“Pritja e këtij takimi në Shqipëri konfirmon rolin aktiv dhe angazhimin e vendit tonë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si një pasuri e gjallë që ruan identitetin, kujtesën dhe traditat e komuniteteve tona. Nga mjeshtëritë tradicionale te ritualet, festat, muzika dhe dijet e trashëguara ndër breza, trashëgimia kulturore jomateriale është një urë që lidh të shkuarën me të ardhmen”, përfundon Gonxhja.
ObserverKult
Lexo edhe:
Opera e Kosovës feston 5-vjetorin, e ftuar speciale Elbenita Kajtazi






