Nga Rudina Xhunga
Kjo është historia e një vajze vjeneze, Scarlett Epstein. Ajo ishte 16 vjeçe atëherë. Ja çfarë kujton ajo për dritare.net:
“E gjitha nisi me pushtimin e Austrisë nga Hitleri, edhe pse në Vjenë unë isha rritur pa asnjë identitet çifut, nuk kisha qenë asnjëherë në ndonjë sinagogë dhe asnjëherë nuk kishim festuar në familje festat e hebrenjve, duke e konsideruar veten thjesht një vajzë vjeneze. Kur Hitleri erdhi, i nxori të gjitha vajzat nga shkollat e tyre dhe i dërgoi në një shkollë të përbashkët vetëm për hebrenjtë. Për mua ishte e tmerrshme që diçka e tillë po ndodhte. Më ngjante vetja si një kriminele për një krim që nuk e kisha kryer. Mbaj mend kur po zbrisja shkallët e shkollës dhe po mendoja se, nëse do të arrija të dilja nga Austria dhe nëse do të kisha mundësinë të martohesha e bëja fëmijë, do bëja të pamundurën që ata të kishin një identitet të fort hebre. Ishte viti 1938 dhe unë isha vetëm 16 vjeç. Në Vjenë më priste vetëm vdekja. Bashkë me nënën time arrita të gjej një vizë turistike për në Jugosllavi, ku kishim disa të njohurit tanë. Kur 3 muajt e vizës mbaruan, autoritetet jugosllave nuk na lejuan të qëndrojmë më atje. Ata na e bënë të qartë se nuk mund të qëndronim as gjysmë ore më shumë. Por na shpjeguan gjithashtu se nëse do të mund të gjenim një shtet tjetër që do të na pranonte, nuk do të na shkaktonin asnjë problem, apo pengesë për të dalë nga Jugosllavia. Nëse nuk do të gjenim ndonjë shtet që të na mirëpriste ata do të na vendosnin nëpër trenat që shkonin në kufirin austriak dhe ne e dinim se çfarë do të na ndodhte nëse do të shkonim deri atje.
Kështu, isha aq e dëshpëruar sa nisa të shkoja nga një konsullatë në tjetrën në Zagreb, në përpjekje për të marrë një vizë, në mënyrë që të shkonim diku tjetër.
Shkova në konsullatën angleze, amerikane, franceze, zvicerane, tek të gjitha këto, por ne kishin pasaporta me një J të madhe të kuqe, e cila ishte një shenjë dalluese që tregonte se ne ishim refugjatë çifutë. Dhe asnjëra nga këto konsullata nuk na ofroi shërbim. Ishte diçka vërtetë dëshpëruese, por më pas më thanë “Pse nuk provon Ambasadën shqiptare?”. Të them të drejtën,në atë kohë, unë nuk e dija që ekzistonte një vend me emrin Shqipëri, por pasi shkova tek Ambasada shqiptare dhe ishte një kënaqësi e papritur, kur ata më ftuan të futesha brenda. Ata më futën brenda konsullatës, më lanë të takohesha me Konsullin dhe më pyetën se çfarë mund të bënin për ne. Unë i thashë “a mund të kem një vizë shqiptare?” dhe ai më tha “më jep pasaportën që t’ju japim vizë”. Dhe ashtu bëri, menjëherë. Duke i dhënë dorën njeri-tjetrit më tha “rrugë të mbarë dhe shijojeni qëndrimin tuaj në Shqipëri”. Pas kësaj, jugosllavët u sollën shumë keq me ne, sa donin të na dërgonin si të burgosur, por ne paguam një polic privat që të na çonte në Split, që ishte një port dhe kështu ne hipëm në një anije që do të na çonte nga deti Adriatik drejt Durrësit ku qëndruam për 6 muaj.
Nuk ia kishim idenë se çfarë do të gjenim apo çfarë do të bënim në Shqipëri, por të paktën e dinim se kishim një vend se ku do të shkonim dhe që nga ai moment, kuptova se Shqipëria na shpëtoi jetën, pasi nëse nuk do të kishim ardhur në Shqipëri, jugosllavët do të na kishin kthyer në Austri dhe kështu që unë, ashtu si dhe Ana Frank, nuk do të ekzistonim më. Dhe që në ato momente, doja t’i thosha faleminderit Shqipërisë.
Kur erdhëm në Shqipëri gjetëm një grup hebrenjsh, 45-50 nga Gjermani, Austria etj., edhe ata mbaheshin financiarisht nga organizata ndërkombëtare hebreje me qendër në Amerikë të cilët dërgonin para për të jetuar, për të gjitha grupet hebreje që ia kishin dalë të mbijetonin. Në fakt, personalisht them se ia kam kaluar jashtëzakonisht mirë në Shqipëri. Kështu nisa të miqësohesha me shumë shqiptare. Ato donin të dinin si ishte jeta në Austri pasi dihej që jetesa vjeneze ishte shumë e sofistikuar, ndërsa ato më mësuan shumë gjëra për Shqipërinë. Isha shumë e lumtur pasi nga një njeri i persekutuar, vetëm pse isha hebre, shkova në një vend ku më konsideronin miken e tyre. Vëllai im që jetonte në Angli arriti që të gjente për mua dhe mamanë viza për të shkuar atje. Kështu që ne u larguam nga Shqipëria përpara pushtimit nga italianët. Ishte fillimi i vitit 1939 dhe dukej qartë që shumë shpejt do të fillonte një luftë e madhe.
Kështu që Anglia pranonte refugjatë që t’i përdorte për luftën, kur të vinte koha. E vetmja mënyrë për të shkuar në Angli ishte nëpërmjet linjës ajrore Air France pasi vetëm ajo funksiononte në Shqipëri. por kur shkova me pasaportën time në aeroport, aty ishte një J e madhe e kuqe që tregonte se unë isha hebre dhe ata më thanë se nuk mund të ndaloja në transit në Paris pasi isha refugjate çifute. Unë i thashë “unë nuk dua të qëndroj në Francë, dua të shkoj në Angli” vazhdoja t’i thosha “vërtetë mendoni se dua të rri në Francë kur mund të shkoj fare mirë në Angli? Pasi të jeni të bindur se shteti juaj do të jetë i pari që do të pushtohet nga Hitleri?”. Unë nuk udhëtova dot për në Francë dhe Franca vërtetë u pushtua nga Hitleri. U ktheva në Durrës dhe i kërkova ndihmë një agjenti turistik që u bë miku im në Durrës. Ai më tha se në Napoli ishte një anije kargo që shkonte në Angli dhe kështu bëra, u nisa për në Napoli mirëpo kur mbërrita atje, më thanë se anija ishte vonuar 8 javë. Fillova të qaja pasi isha vetëm me nënën time dhe nuk njihja askënd, nuk dija çfarë të bëja. Kur dola nga agjencia e anijes pashë një agjenci tjetër italiane e cila edhe sot ekziston dhe mendova se kjo është një shenjë. Shkova dhe i kërkova se doja të shkoja në Angli. Me thanë se e vetmja mënyrë ishte nëpërmjet Gjermanisë, me linjën ajrorë KLM. Kështu bëra, u nisa për në Romë, Milano, Frankfurt. Kur mbërrita atje ishte momenti më i vështirë që kam përjetuar në jetën time. Përpara se të nisesha i shkrova një letër vëllait tim, pasi nuk e dija nëse do të mund ta takoja në Frankfurt dhe letrën ia dhashë stjuardesës. Për fatin tim, mbërrita në Angli.”
Scarlett Epstein tregon për dritare.net, se në Angli nisi të studionte ekonomi në Manchester University, por në vitin e dytë të shkollës u njoh me një profesor karizmatik të antropologjisë. Ai i mësoi dashurinë për antropologjinë dhe ajo i kushtoi jetën kësaj fushe. U bë shkencëtare, shkroi libra dhe u nderua me dhjetra çmime. Ajo është anëtare e urdhrit më të lartë të Perandorisë britanike ndërsa në vitin 2007 mori çmim si gruaja e vitit të Mbretërisë së Bashkuar.
Nuk e harroi kurrë premtimin që i kishte bërë vetes në shkallët e shkollës në Vjenë, se, nëse do të mbijetonte e do të martohej, fëmijët e saj do të kishin identitet të forte hebre. Scarlett Epstein është sot 87 vjeçe. Ishte 16 kur një vizë shqiptare i shpëtoi jetën. 72 vjet më pas u rikthye në Shqipëri. Për të falënderuar. Jo dikë në veçanti, erdhi për t’i falënderuar të gjithë, të falënderojë Shqipërinë.
“Dua të falënderoj shqiptarët dhe jo vetëm ata. Dua të falënderoj çdo njeri që më ndihmoi, që më ndihmoi të jetoj. Dua t’u them faleminderit. Këtë ëndërr kam pasur prej kohësh, të mund të kthehem këtu dhe të falënderoj. Jam 87 vjeçare dhe nuk e di edhe sa vite jetë kam, por mendova se është momenti më i përshtatshëm për t’u kthyer. Për mua, kjo është një ëndërr që u bë realitet.”
Shqipëria nuk e dorëzoi Ana Frankun e saj. Ajo ishte 16 vjeçe atëherë.
3 vjet pasi mbajti premtimin që i dha vetes, Scarlett Epstein ndërroi jetë ne Angli në moshën 91-vjeçare. Dashurinë për vendin që i dha jetë për herë të dytë, Shqipërinë, nuk e mori me vete, por e shpërndau në dhjetra intervista për median e huaj dhe në librin autobiografik./dritare.net