Shqipja e (Kopshtit të) kafshëve: Tigrat i duan fëmijët, por….

kristaq jorgo kopshtit tigrat

Tabela: Tigrat i duan fëmijët/ Shqipja e (Kopshtit të ) Kafshëve

(Një analizë e shpejtë teksti)

Nga Kristaq Jorgo

Tabela e mëposhtme qëndron prej disa ditësh në njërin prej këndeve të Kopshtit Zoologjik të Tiranës.

tigrat kristaq jorgo

Vërej se e kanë sakatuar të shkretën: Thonë se “duhet hequr një orë e më parë”, se “është skandaloze”, se “u bën thirrje vizitorëve të jenë të kujdesshëm, pasi mishin njerëzor (fëmijëror) tigri nuk arrin ta tretë e, për rrjedhojë, nëse një pakujdesi fatale do të ndodhte, kjo do të çonte në shqetësime të shëndetit të tigrave” etj., etj.!!!

O njerëz të mirë! Po si ju shkojnë në mend makabritete të tilla?

Vërtetë mendoni se autoritetet tona të përkushtuara mundet të gabojnë, natyrisht pavetëdijshëm, deri në këtë farë feje? Pastaj, kur ka ndodhur ndonjëherë kjo?

E lexova me vëmendje tekstin e tabelës dhe aty zbulova vetëm një lajthim të vockël, lajthim i cili – për më tepër – është rrjedhojë e një virtyti të madh.

Por cili është ‘lajthimi i vockël’ e cili ‘virtyti i madh’?

Mos të nxitohemi! Le t’i marrim punët me radhë!

Fillimisht përqendrojmë vëmendjen në fjalinë e parë e pastaj, menjëherë, në fjalinë e fundit. Dhe i lexojmë të lidhura bashkë:

“JU LUTEMI QËNDRONI TË SIGURT!”

“KËSHTU QË JU LUTEMI QËNDRONI PRAPA!”

(Të dyja fjalitë çalojnë më vete tek s’vete, por bëhet fjalë për çalime krejt të parëndësishme, ndaj këtë pikë po e lemë pa e trajtuar.)

Shtrohet pyetja: A mund t’u drejtohen këto dy fjali të njëjtëve subjekte? Natyrisht që jo. Sepse t’i thuash dikujt njëkohësisht edhe “QËNDRO I SIGURT!” edhe “QËNDRO PRAPA!” sikur nuk shkon. “Teksti e humbet ose e ka fare të çalë koherencën”, do të thoshin gjuhëtarët.

Po atëherë? Në vend të përgjigjes le të vijojmë me një tjetër pyetje: Cilëve u drejtohen fjalitë e mesit:

“TIGRAT I DUAN FËMIJËT. POR ATA JANË TË VËSHTIRË PËR T’U TRETUR.”?

Dikush mund të thoshte shpejt e shpejt se këto dy fjali u drejtohen kryesisht “fëmijëve”, por… ç’lajthim i madh! Sa e sa shumë fëmijë (më të shumtët!) që vizitojnë kopshtin zoologjik janë të moshës parashkollore. Ata nuk dinë të lexojnë. Kjo është vetëm njëra ndër arsyet që na shtyn të themi se këto dy fjali u drejtohen kryesisht (a vetëm) të rriturve, qofshin prindër, mësues, gjyshër, gjyshe, vëllezër a motra që shoqërojnë vizitorët fëmijë.

T’u kthehemi edhe njëherë fjalive: “TIGRAT I DUAN FËMIJËT. POR ATA JANË TË VËSHTIRË PËR T’U TRETUR.”

Thuajse të gjithëve u ka shkuar në mendje ideja çnjerëzore se tigrat mund t’i kafshojnë ose (larg qoftë!) t’i hanë fëmijët! Por si mundet ta bëjnë tigrat këtë? A nuk është shkruar e zezë mbi të bardhë se “TIGRAT I DUAN FËMIJËT?”

Tani, besoj kushdo e kupton se në ç’gabim të rëndë logjik (dhe në ç’mëkat të rëndë moral) kemi rënë në mungesë të një përqendrimi elementar.

Po atëhere si i bëhet? Si ta lexojmë e si ta kuptojmë tekstin e tabelës?

Thamë në krye se ai përmban vetëm një gabim të vockël, fryt ky i një virtyti të madh.

Për ç’virtyt është fjala?

Tekstin e kanë hartuar dhe tabelën e kanë vendosur punonjës të Bashkisë, apo jo? Dhe punonjësit e Bashkisë e vetë Bashkia detyrë kryesore kanë t’i bëjnë të gjithë bashkë, mbarë njerëzit e Bashkisë po e po dhe pa asnjë dallim, por edhe të gjitha qeniet e tjera që ndodhen në territorin e Bashkisë, bimë a kafshë qofshin. Fundja, a nuk vjen fjala ‘bashki’ nga fjala ‘bashkë’? T’i bashkojnë bashkë bashkërisht të gjithë, ky është misioni fisnik i Bashkisë, të cilin ajo e ka arritur me nder e sukses.

Pikërisht ky virtyt i lartë i bashkimit i ka çuar punonjësit e Bashkisë të bëjnë dhe atë lajthimin e vockël.

Virtyti i bashkimit i çoi ata të bashkojnë dy tabela në një të vetme.

Pasi tani besoj është krejt e qartë se fjalia e parë “JU LUTEMI QËNDRONI TË SIGURT!” duhej të ishte shkruar në një tabelë të veçantë. Kjo tabejë e kishte vendin brenda kafazit dhe me pamje nga tigrat, sepse teksti atyre u drejtohet.

Domethënë: “Të dashur tigra, “JU LUTEMI QËNDRONI TË SIGURT!”, pasi asnjë rrezik nuk ju kërcënon.”

Ndërkaq, pjesa tjetër e tekstit do t’i takonte tabelës së dytë, asaj me fytyrë nga publiku dhe duhet të kuptohej kështu:

“Të dashur prindër dhe të rritur të tjerë, “TIGRAT I DUAN FËMIJËT. POR (fëmijët, si të vegjël e të papërgjegjshëm për veprimet që bëjnë, nga dashuria e ndërsjelltë e tyre ndaj tigrave, mund t’i kafshojnë e, larg qoftë!, mund t’i hanë ata (tigrat). Për të mirën e shëndetit të fëmijëve tuaj, ju duhet të përpiqeni të ndaloni ndodhi të tilla, pasi “ATA (tigrat) JANË TË VËSHTIRË PËR T’U TRETUR.” nga stomaku i njomë i fëmijëve.”

“KËSHTU QË JU LUTEMI (mbajini fëmijët fort përdore dhe) QËNDRONI PRAPA!”, disi larg nga kafazi.”

——–

Sa pak duhet për të falur e mirëkuptuar një lajthim të vockël fisnik!

ObserverKult