Shqipja në dëshmi mbi 700 vjet të vjetra

Durrësi, paraqitje hartografike e venedikasit Vincenzo Coronelli, shek. XVII (Biblioteca Nazionale Marciana)

Pavarësisht kërkimeve të thelluara dhe interesit të gjallë nga ana e studiuesve shqiptarë, prejardhja e shqiptarëve si popull mbetet e kredhur në mister. Gjysma e dytë kruciale e mijëvjeçarit të parë, domethënë vitet 500-1000 të erës sonë, të cilat do të mund të plotësonin lidhjen e munguar të banorëve ilirë të rajonit në antikitet, praktikisht nuk sjell asnjë njoftim apo të dhëna gjuhësore për periudhat e hershme të gjuhës shqipe. Të tilla dëshmi të hershme, të cilat do të shërbenin si udhërrëfyes të besueshëm, mungojnë.

Në të vërtetë nuk ka gjurmë përmbajtjesore të gjuhës shqipe që të tejkalojë shekullin XV kur lajmërohen tekstet e para: teksti disi misterioz i Bellifortisit nga viti 1405 (shih Elsie 1986), e mirënjohura Formulë e Pagëzimit nga Pal Engjëlli më 1462, një munxë nga viti 1453 (shih Braun dhe Camaj 1972), i ashtuquajtur Ungjill i Pashkëve, apo Perikope, që përgjithësisht mendohet të jetë nga fundi i shekullit XV (shih Borgia 1930), si dhe fjalorthi i shkurtër i Arnold von Harffit, një pelegrin gjerman gjatë udhëtimit të tij drejt Tokës së Shenjtë, i cili, gjatë një ndalese në Durrës në pranverën e vitit 1497 (shih Elsie 1984), regjistroi njëzet e gjashtë fjalë, tetë fraza dhe dymbëdhjetë numra në shqip, shkruan ‘koha’.

Shpërfillja për “barbarët” – e trashëguar nga grekët e vjetër

Derisa kryqëzata dhe pushtimi i mëpastajmë anzhuin i Shqipërisë më 1269 solli për Perëndimin njëfarë njohje të Shqipërisë si rajon gjeopolitik, çuditërisht pak referenca janë bërë në veprat historike dhe udhëpërshkrimet për vetë shqiptarët. Gjithçka dihet nga kjo periudhë është përmbledhur nga Alain Ducellier në një vistër artikujsh në monografinë e tij mjeshtërore prej 701 faqesh për bregdetin shqiptar nga shekujt XI dhe XV (shih Ducellier 1981, 1987).

Paçka se historianët bizantinë, te të cilët ne duhet të mbështetemi për pjesën më të madhe të njohjes sonë mbi Ballkanin Jugperëndimor në shekujt që pasojnë tekstet e sipërpërmendura, çuditërisht ato shpesh janë të nemitura për gjuhët dhe doket e banorëve jogrekë të territoreve periferike, njëfarë shpërfillje për “barbarët” që është një qasje që mund ta kenë trashëguar nga grekët e vjetër. Përgjithësisht hamendësohet se fiset e hershme shqiptare, të ndihmuara nga vithisja e perandorisë së madhe bullgare në fund të shekullit të dhjetë, filluan të shtriheshin nga vendlindja e tyre malore në shekujt XI XII ku kishin jetuar si barinj bredharakë, fillimisht duke e marrë në zotërim të plotë bregdetin verior dhe qendror të Shqipërisë dhe nga shekulli XV duke u gjithështrirë në jug drejt asaj që sot është Shqipëria e Jugut dhe në Maqedoninë Perëndimore.

Ata hynë në krye të herës në analet e historisë pasklasike në gjysmën e dytë të shekullit XI dhe është vetëm nga kjo kohë që ne mund të flasim me një shkallë sigurie për popullin shqiptar ashtu sikundër e njohim sot, ani pse pararendësit e tyre, padyshim me një rremb të fortë ilir, duket të kenë banuar të njëjtat male veriore që nga motet e vjetra. Në “Historinë” e tij të shkruar më 1079-1080, historiani bizantin Mihail Ataliati ishte i pari që përmendi “Albanoitë” si pjesëmarrës në kryengritjen kundër Konstandinopojës më 1043 dhe “Arbanitai” si vartës të dukës së Dyrrahut, transmeton ‘koha.net’.

Së këndejmi, periudha e kristalizimit të popullit shqiptar ashtu siç e njohim sot, që të mos përdoret termi i vështirë etnogjenezë, mund të vendoset në shekujt XI dhe XII, dhe çfarëdo reference apo njoftim mbi ta, dhe veçmas për gjuhën e tyre nga kjo periudhë deri te tekstet e para të shkruara shqipe në shekullin XV, duhet të jenë caku i një vëmendjeje të veçantë.