
Elementin shqiptar në Egjipt e hasim që nga shek. XVI e mbrapa. Prania e këtij elementi është e natyrave të ndryshme duke filluar prej elementit të tipit qeveritar, tipit ushtarak (mercenar), tipit social-mërgimtar dhe tipit politik. Qeverisja e Egjiptit me pashallarë të Stambollit filloi që në shek. XVII. Në mesin e këtyre dallohet plejada e pashallarëve dhe valive shqiptarë. Prej tyre mund të përmendim Sinan Pashë Topojanin, valiu i parë i Egjiptit në vitin 1569.
Gjurmët e Sinan Pashës sot në Egjipt përmenden me simpati, siç është ndërtimi në kohën e tij i një xhamie në Kajro dhe i një medreseje e i një tjetër xhamie në Aleksandri. Pas Sinan Pashës dhe konkretisht në vitet 1619-1622 në krye të Egjiptit erdhi një tjetër vali shqiptar, Merre Hysen Pasha nga Peja. Në vitet 1637-1640 përsëri në skenën qeveritare të Egjiptit del një shqiptar, Mehmet Pasha, i cili arrin deri në postin e vezirit. Në vitin 1650 pushtetin qeveritar në Egjipt e merr valiu shqiptar Ahmet Pasha Torhonxhi, i cili më vonë bëhet vezir i madh i Egjiptit. Pas tij si vali vjen Ibrahim Pasha (1622-1633), transmeton ‘koha.net’.
Nga plejada e qeveritarëve shqiptarë, padyshim një vend të veçantë zë figura e Mehmet Ali Pashës (lindur në Kavallë në vitin 1769), i cili arriti të zhvillojë strategjinë e tij qeverisëse, duke krijuar një dinasti të tërë qeveritarësh shqiptarë që dolën nga ai. Nga shumë historianë me të drejtë ai është quajtur “Napoleoni i Lindjes”.
Në historinë egjiptiane Mehmet Ali Pasha ka një rol të veçantë, sepse po të mos ishte ai, Egjipti i sotëm me siguri do të dukej ndryshe. Sundimi i dinastisë shqiptare të Mehmet Ali Pashës vazhdoi edhe në kohën e pasardhësve të tij. Po përmendim disa prej tyre. Ibrahim Pasha, djali i Mehmet Ali Pashës (1809 1848) ministër i Financave dhe luftëtar i madh. Abaz Pasha sundoi në Egjipt në vitet (1849-1854), Sahit Pasha sundoi në vitet (1854-1863), Ismail Pasha sundoi në vitet (1863-1879), Sahit Taufik Pasha sundoi në vitet (1879-1892) dhe Abas Pasha II (1892-1914); Hysen Qamili (1914-1917) dhe Ahmet Fuadi (1917-1936). Mbreti i fundit egjiptian në damarët e të cilit qarkulloi gjaku shqiptar ishte mbreti Faruk, thuhet se ishte mbreti më i dashur, ndërkaq shqiptarët që jetuan në Egjipt në kohën e tij kishin privilegje të veçanta.
Elementi i fundit i migrimit të shqiptarëve në Egjipt është elementi politik. Gjeneza e vendosjes së këtij elementi lidhet me procesin e përgatitjes së platformës politike të Rilindjes Kombëtare në prag të pavarësisë së shtetit shqiptar. Egjipti do të jetë prej qendrave kryesore ku do të përgatitet kjo formë, ndërsa mërgimtarët që u lidhën me idetë e lindjes në farë mënyre do të lidheshin edhe me vetë Egjiptin, siç ishin: Thimi Mitko, Jani Vreto, Duçi Çajupi, Filip Shiroka etj.
Valët e shpërnguljes së shqiptarëve në drejtim të Egjiptit nuk pushuan deri në fillim të shekullit XX. Sa nga gjendja e rëndë ekonomiko-politike në atdhe, sa nga predispozitat që kishte Egjipti në atë kohë, prezenca e shqiptarëve në vendet e Lindjes së Afërme u shndërrua në një sferë të zakonshme. Kajroja dhe Aleksandria do të bëheshin qendra të rëndësishme të njerëzve të edukuar me frymën atdhetare të Rilindjes Kombëtare. Si rezultat i këtij organizimi në Aleksandri në vitin 1894 do të formohej një shoqëri e re me emrin “Vllazëria shqiptare”, kryetar i së cilës u zgjodh Milo Duçi.
Pas kësaj në 1910 organizimi i shqiptarëve do të arrinte në një nivel më të lartë me themelimin e “Vëllazëria e shqiptarëve të Misirit-Bashkimi” me qendër në Aleksandri, e cila kishte degë në disa qytete të Egjiptit. Në vitin 1918 nga gjiri i kësaj shoqërie, respektivisht nga dega e saj e Kajros u themelua “Komiteti i Shqiptarëve të Misirit”. Ky komitet një vit më vonë, do t’i dorëzojë një memorandum ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, në të cilin mbrohej dhe afirmohej çështja shqiptare. Po në atë vit në Kajro u themelua edhe një shoqëri e re “Vllazëria”, kryetar i së cilës u zgjodh Loni Kota. Në vitin 1920 u formua “Klubi i Shqiptarëve” në Kajro.
Përveç aktivitetit shoqëror të shoqatave e bashkësive të shumta, kolonia shqiptare e Egjiptit u dallua edhe për një numër të madh veprash letrare që ishin krenaria dhe progresi i kësaj kolonie. Pikërisht këto vepra do të hynin në fondin e letërsisë shqipe siç ishte “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos, botuar në vitin 1878 në Aleksandri. Kjo veprimtari botuese do të vazhdojë duke sjellë kapituj të rëndësishëm të begatisë shpirtërore të popullit shqiptar. Kështu në vitin 1892 Stefan Zurani do të botojë veprën kapitale “Historia e Shqipërisë”, ndërsa në 1902 Andon Zako Çajupi boton veprën “Baba Tomorri”, që do të lërë gjurmë të thella në krijimin intelektual e patriotik në komunitetin e shqiptarëve të Egjiptit.
ObserverKult
lexo edhe:
Shkencëtarët pretendojnë se kanë zgjidhur misterin se si u ndërtuan piramidat e Egjiptit