Shqiptarët e Kosovës gjatë komunizmit në Shqipëri: Na u nxi jeta në burgje e kampe

Nga Kastriot Dervishi

Një njollë e zezë mbetet për shtetin komunist të Enver Hoxhës, keqtrajtimi që i ka bërë emigrantëve kosovarë që vinin në Shqipëri gjatë diktaturës. Duke e menduar Shqipërinë si vendin e shtetin e tyre, ata gjenin këtu një trajtim edhe më të keq nga vendi i tyre që ishte i pushtuar nga jugosllavët.

Qëndrimi i shtetit komunist, gjatë gjithë ekzistencës së tij, mbeti shumë armiqësor ndaj shqiptarëve të Kosovës e Çamërisë.

Në letrat e tyre drejtuar udhëheqjes së lartë komuniste, ata kërkonin kryesisht të shpëtonin nga e keqja që i kishte gjetur. Shumë shqiptarë nga Kosova banonin këtë kohë në Seman të Fierit.

Mes një diskriminimi të paparë, ata ishin përditë pre jo vetëm e urrejtjes komuniste, por edhe ndaj një persekutimi politik që nuk e kuptonin pse u vinte.

Në letrat e tyre shihet shumë dhimbje. Nuk i përfillin si njerëz, as te mjeku nuk i çojnë, i mbajnë të izoluar e të kontrolluar.

Përveç rasteve të poshtëshënuara, theksojmë atë të Seit Vukajt nga Kosova, i ardhur në vitin 1957 për të kërkuar strehim politik. Është internuar në Seman, por kërkon të kthehet në Llakatund. Në shkurt 1958 ishte përpjekur të arratisej e shfaqte sërish tendencë të tillë, thuhej në raportin e datës 7.2.1959.


Mark Gjolaj

Shokut Enver Hoxha

Sekretar i parë i KQ të PPSH-së

Tiranë

I nënshkruari Mark Gjolaj me kombësi shqiptare, tani emigrant, nga Jugosllavia, me qëndrim në N.B.Sh. “Çlirimi” sektori Seman në Fier, ju paraqes sa vijon:

Më datë 12.3.1953 kam emigruar në RP të Shqipërisë, me qenë se si shqiptar kam dëshiruar dhe dëshiroj të jetoj këtu. Qysh nga dita e ardhjes sime në Shqipëri, kam qenë vetëm nëpër burgje dhe kampe duke mos qenë kurrë i lirë, megjithëse kam një të kaluar të mirë patriotike shqiptare.

Për këtë arsye ju drejtohem juve dhe ju lus që të më ndihmoni duke urdhëruar lirimin tim nga Semani.

Seman, më 15.12.1957

Me nderime

(Mark Gjolaj)

N.B.Sh. “Çlirimi” – Sektori

Seman

Fier


Letra trajtohet më 14.3.1959 nga drejtori i Drejtorisë së Jashtme të KQ, Mihal Prifti, i cili ia bashkëlidhur atë së bashku me letrat e shtetasve të tjerë jugosllavë, pavarësisht nga kombësia.

Të njëjtën gjë kishin kërkuar edhe emigrantët: Hajdar Gashi, Nikolla Shoq, Mustafa Kollari, Dushan Vukiç, Shabam Kllobçishta, Ramush Maxhari, Bozho Vujosheviç, Hajdar Qetkaj, Hadi Gashi, Hilmi Duraku, Nazmi Sulejmani. Midis të tjerash, Prifti udhëzon:

“Të njoftohen të lartpërmendurit se nuk ka mundësi që të lirohen, por ata do ta bëjnë jetën e emigracionit si gjithë emigrantët e tjerë. Atyre që kanë kërkuar për t’u riatdhesuar t’u thuhet se çështja do të shqyrtohet, por ata që kanë shtetësinë shqiptare, më parë duhet t’i drejtohen Presidiumit të Kuvendit Popullor për heqjen e shtetësisë. Atyre që kanë kërkuar për të vazhduar studimet me bursë t’u thuhet se këtë çështje do ta shohim dhe do t’u japim përgjigje më vonë”.


Ramush Maxhari

Biros Politike të PP të Shqipnis

Tiranë

I nënshkruari Ramush Maxhari, emigrant jugosllav me qëndrim në sektorin e Semanit Fier.

Paraqes lutjen sa vijon. Simbas kërkesës dhe dëshirës time m’u dha viza për riatdhesim në Jugosllavi. Më datën 19.12.1956, sipas rregullores, unë i dorëzova vizën në Drejtorinë e Pasaportizimit Tiranë. Po në atë ditë, për nënshkrim. Qysh nga ajo ditë e deri sot, kaloj një vit e plotë e sa ditë që nuk m’u dha përgjigja e vizës.

I lutem titullit të naltpërmendur, kini mirësinë si pranë meje, më njoftoni daljen e vizës sime. Mbasi ndjej dëshirë që të riatdhesohem pranë familjes tue bazue në moshën që jam i ri.

Qëndroj me plot shpresë se lutja ime do të merret parasysh, kjo është shprehja jonë.

Pres përgjigjen

Me nderime

Ramush Maxhari

Seman

më 8.11.1958


Unë Eshref Dauti, emigrant jugosllav me banim në Seman Fier, paraqes lutjen time me sa vijon:

Meqenëse me shëndet jam dobët, mund të them se kam sëmundje të madhe, ju drejtohej me këtë lutje dhe kërkoj ndihmë nga ana juaj. Si organi më i lartë i partisë, ju lutem që të më jepni një ndihmë duke më liruar të shkoj te mjeku, sepse nuk më kanë lirue organet tona të shkoj te mjeku të vizitohem. Me këtë nuk dua të ankohem kundër organeve që merren me neve, sepse disa emigrantë nuk kanë sjellje të mira, prandaj dhe unë
së bashku me ta po jetoj dhe s’më jepet mundësia të shërohem. Mbetem me shpresë se do të ma plotësoni dëshirën e kërkuar.

Seman

7 maj 1958

Me nderime e respekt

Eshref Dauti

Sektori Seman, Fier

(Për këtë jepet leja vetëm për t’u vizituar)


Ibish Draga

Sekretarit të parë të KQ të PPSH-së, shokut Enver Hoxha, Tiranë

Lutje

Unë i nënshkruari Ibish Draga, emigrant jugosllav i emigruar në tetor 1956, lindur më 1936 në Katundin
e Ri të Pejës, tash me qëndrim në Seman, kam nderin me ju paraqit këtë lutje që ma poshtë vijon:

Më datë 31 janar 1957 kam ba kërkesën për riatdhesim në vendlindjen time, qeverisë jugosllave dhe nëpërmjet legatës jugosllave në Tiranë më është komunikuar se kërkesa ime është aprovuar dhe të paraqiten në legatën jugosllave në Tiranë për nënshkrimin e vizës dhe tërheqjen e pasaranit për riatdhesim. Meqenëse jam shtetas jugosllav, nga vendqëndrimi ku ndodhem, duhet të pajisem me leje për vajtjen në Tiranë, prandaj, ju lutem juve drejtpërdrejt shoku Enver që të ndërmjetësoni pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme për dhënien e lejes së duhur për tërheqjen e pasaranit nga legata jugosllave në Tiranë.

Mbasi u plotësua plot një vit e gjysmë dhe nuk m’asht dhanë mundësia për tërheqjen e pasaranit, prandaj ju lutem personalisht juve shoku Enver që të keni mirësinë dhe të ndërmjetësoni organet kompetente dhe të më jepni mundësinë për t’u riatdhesuar pranë familjes sime. Ju lutem më njoftoni me shkrim mbi lutjen time. Mbes me shpresë se lutja ime do të merret parasysh.

Me nderime

Ibish Draga

N.B.Sh. “Çlirimi”sektori

Sektori Seman

Fier

Më 31.5.1958

Gazeta 55, 9 shkurt ’18

ObserverKult

LEXO EDHE: ISHTE VETËM 9-VJEÇAR KUR DIKTATURA FILLOI DHUNËN NDAJ TIJ: ÇDO DITË PLASNIN MINAT SE NA KISHIN VENDOSUR NË NJË VEND…