Në lagjen ku jam rritur (në Kumanovë) lartësia e mureve të oborrit tregonte për tutën e burrave dhe mungesën e vetëbesimit! Ata nuk i besonin grave të veta.
Sa metra ishte i lartë muri, aq metra nën dhé shtrihej sedra e fqinjit. Pa mur ishte vetëm xha Jetishi. Ai i besonte bashkëshortes së vet, dashurisë, jo murit, si shumica.
Nga Lis Bukuroca
Më i larti ishte muri i Vizatimorit; mbi tri metra, ndoshta edhe katër. Postieri e shihte gazepin për ta hedhur një letër në oborr. Ai kërcente për ta hedhur brenda, por ajo i kthehej prapa. Ai murmuriste vet me vete dhe kërcente përsëri. Fqinjin tonë ne fëmijët e quanim Vizatimor, pastë ndjesë, sepse hundën e pat pasur të gjatë dhe të shtrembër, mu si ato si nëpër filma vizatimorë.
2.
Gruja e ka shti dreqin n’shishe*
– Po gabon me besimin e madh për gratë…
– Pse?
– Po gruja e ka shti dreqin n’shishe
– E besojnë disa burra për t‘i dehumanizuar gratë…
– Jo, aj mendim asht i vertet…
– Mendon se gruaja është më e mençur se djalli?
– Po, ma dreq …
– A domethënë se nëna ime dhe e jotja ishin më dreq se dreqi?
– Jo, nanat tona, gratë po menoj…
– Po, a janë burra nënat tona?
– Jo, dashta me than se gratë jan qaso, jo nanat…
– Bashkëshortet mendon?
– Po, bashkëshortet…
– Bukur shumë…
– Pse?
– Po edhe nënat tona qenkan ma dreq se dreqi…
– Jo, ne tham se gratë…
– Dakord, por nënat tona janë bashkëshorte të etërve tanë dhe për ta janë krye-dreqër, apo jo?
– Jo nanat jan melaqe
– E trajton babi yt nënën tënde si engjëllushe apo si grua?
– Jo, si grue…
– U kuptuam!
– Qysh?
– Zakonisht burri që urren gruan dhe që nuk ka besim në vetvete, vuan nga komplekset e vogëlsisë dhe për ta ngritur veten më lartë, shtyp e zvogëlon bashkëshorten e vet.
– Pse?
– Sepse nëse e konsideron engjëllushe, si nënën e vet, nuk mund ta shajë, ta diskriminojë dhe ta rrahë bashkëshorten! Pra, për ta përligjur keqtrajtimin duhet t‘ia anulojë asaj tiparet njerëzore dhe ta shpallë krye-dreq ose kurvë: të lehtë, të luhatshme, të gatshme për seks, injorante etj., etj.
– Ah, tash ma tollovite krejt…
– Jo, ai mendim mizogjin është shpikje e një burri pa bole, i cili kërkonte motiv të përhershëm, të përgjithmonshëm për ta kontrolluar dhe shtypur gruan… Gruaja është mirëpo edhe motër, hallë, nënë, bijë etj., jo vetëm bashkëshorte. Kuptove tani?
– Menon se duhet me ndryshue unë?
– Ti je vonuar tepër shumë! Shko e kërkoj falje në prani të fëmijëve!
– Para fmive?
– Po, në gjunjë!
– Hahaha, e pse?
– Ua mëson fëmijëve tu pendimin dhe kërkimin e ndjesës…
– O kukuk për mue…
– Nënën e fëmijëve tu trajtoje me më shumë dashuri e përkëdheli sesa nënën tënde! Me atë ke krijuar familje…
– E si mos t’muj?
– Nëse nuk mundesh, e humb bashkëshorten dhe domosdoshmërish edhe fëmijët! Aq sa dashuri i dhuron nënës së fëmijëve tu, aq dashuri të falin fëmijët ty nesër. Dhe, mos ju flit kurrë keq për nënën.
– Kurrë, hahah…
– Kurrë, hahah, mue m’pëlqen me kritikue kur jan ata me neve…
– E di!
– Nga e di?
– Thamë më parë se burri me komplekse mundohet ta zvogëlojë dhe poshtërojë bashkëshorten. Ai mendon se kështu e rrit vetveten, por nuk e sheh se ai zvogëlohet vazhdimisht. Një ditë as fëmija nuk i lajmërohen. Diku 50% të gjeneve i kanë nga Ajo… Kur e shan atë, i shan edhe fëmijët tu njëkohësisht. Kuptove?
…
ObserverKult
Lexo edhe: