Shteti i Kosovës i painteresuar për t’i kthyer filmat e “Kosovafilmit” nga Beogradi

Janë rreth 35 filma artistik, dokumentar dhe të metrazhit të shkurtër, të prodhuar nga shtëpia filmike “Kosovafilm”, të cilët mbahen që nga përfundimi i luftës, në Kinotekën Jugosllave në Beograd. Për kthimin e kopjeve origjinale të këtyre filmave, shteti i Kosovës nuk ka bërë asgjë, që ata të kthehen në shtëpi.

Drejtori aktual i “Kosovafimit”, Gani Mehmetaj, prej vitesh është munduar në një formë apo tjetër t’i kthej këta filma, por, siç thotë ai për gazetën “Demos”, kërkesat e tij kanë hasur në vesh të shurdhër.

“’Kosovafilmi’ ka bërë përpjekje të mëdha. Kemi qenë disa herë në Beograd. Unë dhe producenti ynë kemi biseduar me zyrtarë serbë në Beograd, në Bolonja dhe në Kanë. Më shumë se dhjetë vjet jam angazhuar, që t’i kthejmë këta filma, ose t’i bëjmë kopje. Kemi biseduar edhe me përgjegjësitë e Ministrisë së Kulturës. Pas shumë vjetësh u morëm vesh që të bëjmë dubel negativin e filmave në Budapest, mirëpo Ministria jonë e Kulturës, edhe pse ua paraqita dhjetë vjet rresht projektin për kthimin e filmave në Prishtinë, fatkeqësisht u treguan të shurdhër. Nuk i dhanë paratë”, thotë Mehmetaj. Sipas tij, kjo çështje, nuk duhet të ngritet në bisedimet Kosovë-Serbi, sepse, siç thotë Mehmetaj, kjo nuk është çështje politike e as ndarje e trashëgimisë së përbashkët.

“Negativët e filmave janë pasuri e “Kosovafilmit”. Mjafton që të bëhet restaurimi i tyre në Beograd, apo në Budapest, ku janë studiot e specializuara. Mjafton që t bëjmë kopje negative e tyre”, shprehet Mehmetaj. Por, pse është e rëndësishme që kopjet origjinale të filmave të “Kosovafilmit” të kthehen në Kosovë? Sipas drejtorit të këtij institucioni, Gani Mehmetaj, pa negativët e digjitalizuar të filmave nuk ka arkiv të filmit e as kinotekë.

“Ne jemi i vetmi shtet në Evropë që nuk e kemi kinotekën me kushtet për ruajtjen e filmave në negativ dhe në pozitiv. Ne edhe ato negative që i kemi marrë nga Zagrebi apo Sofia, në laboratorët e të cilave i kemi zhvilluar filmat, tash i ruajmë në Arkivin e Filmit shqiptar. Pra, edhe sikur Kinoteka Jugosllave të na i linte të dera filmat, ne s’kemi ku i ruajmë. Do të na prishën për 24 orë”, tregon Mehmetaj. Për t’i kthyer filmat në shtëpi, mjafton një buxhet nga shteti i Kosovës, prej 250 mijë eurove, të cilat do të shërbenin për restaurimin e negativit të filmave dhe fondin e veçantë për kinotekën. /GazetaDemos/

LEXO EDHE: QKK-ja thotë se në Berlinale prezantoi Kosovën si vend bashkëprodhimi dhe xhirimi