Ish- kreu i Akademisë së Shkencave akademiku Gudar Beqiraj është shuar pas një sëmundje të rëndë në moshën 72-vjeçare. Akademikët rrëfejnë kontributin e tij në informatikë dhe në Akademi dhe në kohë të vështira. Përcjella për në “Tufinë” nesër, e martë ora 11.00.
Akademiku Gudar Beqiraj (1948-2020) është shuar nga jeta në moshën 72-vjeçare nga një sëmundje të rëndë. Kreu i Akademisë Skënder Gjinushi, nënkryetari Vasil Tole edhe sekretari shkencor Shaban Sinani vlerësojnë kontributin e tij, si drejtues i Akademisë së Shkencave, si udhëheqës në studime shkencore, edhe si ndër të parët specialistë shqiptarë të formuar në metodat e informatikës së aplikuar në gjeofizikë, që në vitet 1980.
“Është një ditë e dhimbshme për ASH. Kemi humbur një njeri që ka punuar shumë për këtë institucion. Beqiraj ka pasur merita të veçanta si drejtues edhe në institucione të tjera, por ka pasur pasionet e tij, që e kanë lidhur dhe në mjediset kulturore dhe sportive”, thotë akademiku Shaban Sinani.
Akademiku Gudar Beqiraj kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës (FSHN) në degën e Matematikës dhe thelloi njohjen me tezën e doktoratës ”Transformimi Fourier dhe aplikimet e tij”.
“Ne jemi bashkudhëtarë. E njoh qëkur kemi qenë student, kemi kryer studimet në të njëjtën degë. E kujtoj që atëherë dinamizmin dhe pasionin e tij. Ka dhënë një kontribut shumë të madh në Informatikë, e më pas ka drejtuar edhe Institutin e Informatikës. Ky kontribut e ka bërë Beqirajn, që të bëhet dhe anëtar i ASH-së e më pas drejtues. Kjo veprimtari ka lënë gjurmë njerëzore, dhe gjurmë në përballimin e situatave transitore, që ka kaluar ASH”, shprehet akademiku dhe kreu i ASH-së, Skënder Gjinushi.
Gudar Beqiraj ka drejtuar Akademinë e Shkencave i zgjedhur nga Asambleja në detyrën e kryetarit dhe të zëvendësit.
“Është një ditë e trishtë për ne sot. Më kujtohen dy vargje të Nolit, që ja dedikon Shqipërisë. Unë do ja dedikoj Gudarit: “Ai e donte akademinë, kur se deshën edhe qante kur e qeshën”, shprehet nënkryetari i Akademisë Vasil Tole.
Akademiku Gudar Beqiraj ishte një personalitet në fushën e sportit të peshëngritjes edhe është vlerësuar me “Urdhrin Olimpik” kombëtar.Akademia e Shkencave ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Gudar Beqirajt, i cili vdiq sot, në ditën kur do të mbushte plot 72 vjeç. Me anë të një statusi në faqen zyrtare, Akademia e Shkencave e përshkruan akademikun Beqiraj, si një akademik që ka lënë më shumë gjurmë. Ndër të tjera, në shkrim thuhet se Beqiraj ka ndërruar jetë nga një sëmundje e papritur.
Reagimi i plotë
Ndërroi jetë në mënyrë të papritur akademiku Gudar Beqiraj. Kryesia e Akademisë së Shkencave njofton me hidhërim të thellë se akademiku Gudar Beqiraj ndërroi jetë nga një sëmundje e papritur. Gudar Beqiraj ishte një nga anëtarët e Asamblesë me më shumë gjurmë në jetën institucionale të Akademisë së Shkencave. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për Akademinë tonë të Shkencave, për bashkësinë e studiuesve të fushave ku ai veproi, për miqtë e shumë në universitete brenda dhe jashtë vendit, për qytetarët e shumtë me të cilët e patën lidhur interesat e tij të fuqishme dhe ndjenjat e fisme njerëzore. Gudar Beqiri ishte njeriu i kërkimit dhe i pasioneve, i punës dhe drejtimit shkencor, i përgjegjësive administrative dhe vullnetarizmit olimpik, i ekspertizës në fushën e informatikës aplikative brenda dhe jashtë vendit. Akademik Gudar Beqiraj i takon atij brezi që mori formimin bazik në Universitetin e Tiranës dhe u formua e specializua jashtë vendit. I diplomuar në fushën e matematikës, ai plotësoi kualifikimin në fushën e gjeostatikës në Qendrën e njohur të kësaj fushe në Fontainbleau (Francë), duke thelluar njohjen në fushën e krijuar me tezën e doktoratës ”Transformimi Fourier dhe aplikimet e tij”. Ai është ndër të parët specialistë shqiptarë të formuar në metodat e informatikës së aplikuar në fushën e gjeofizikës (Universiteti Paris VI, Francë), duke vijuar më tej me formimin përmes punës në Universitetin “La Sapienza” (Romë) dhe me drejtimin e projektit informatik katërvjeçar për regjistrimin dhe përpunimin e të dhënave të kadastrës italiane. Gudar Beqiri ka përfaqësuar dijen vendëse në fushën e informatikës aplikative qysh në vitet 1980, si pjesëmarrës në veprimtari të rëndësishme shkencore ndërkombëtare, si Kongresi III Botëror i Gjeostatistikës (Avignon, 1987); në simpoziumin ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në gjeologji-miniera (1989, Çeki); në simpoziumin “Codota” (Leeds, 1990)); në simpoziumin ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në gjeologji-miniera (me një vlerësim me medalje argjendi të paraqitjes shkencore, Çeki, 1991).Që prej tri dekadash akademik Gudar Beqiraj është i përfshirë në ekspertizë dhe oponencë shkencore ndërkombëtare nga institucione jashtë vendit. Vlerësues i jashtëm në programe doktorate në Francë, specialist i ftuar për vlerësimin e projekt-propozimeve në kuadrin e programit “Copernicus” të Komisionit Europian, drejtues në projektet e Komisionit Europian “Seeren”, “Seeren2”, “Isotea”, “Seefire”, “See-grid”, “See-grid2”, “See-grid-sci”, “Ict-ëeb-proms”. Gudar Beqiraj ka veprimtari universitare të pandërprerë që prej më shumë se katër dekadash, si pedagog i matematikës dhe i informatikës. Ai është autor i shumë artikujve dhe botimeve në shqip e në gjuhë të huaj në fushat ku ushtron veprimtarinë kërkimore-shkencore. Në karrierën e akademikut Gudar Beqiraj numërohen detyra të rëndësishme, që prej atyre të drejtimit shkencor (si dekan) deri tek drejtimi institucional (si drejtor i Institutit të Matematikës Llogaritëse INIMA). Gudar Beqiraj ka drejtuar Akademinë e Shkencave i zgjedhur nga Asambleja në detyrën e kryetarit dhe të zëvendësit. Përveç veprimtarisë shkencore, universitare dhe administrative, Gudar Beqiraj është një personalitet në fushën e sportit të peshëngritjes, si sportist dhe arbitër (duke përfshirë arbitrimin në kategorinë e parë ndërkombëtare), si president i federatës kombëtare të këtij sporti dhe zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar, si kryesues i delegacioneve shqiptare në lojërat olimpike, kampionatet botërore, lojërat mesdhetare dhe kampionatet europiane e ballkanike. Për këtë veprimtari ai është nderuar me diploma nderi nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, si dhe me “Urdhrin Olimpik” kombëtar. Së fundi kryente detyrën e Rektorit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. I përjetshëm qoftë kujtimi i njeriut, kolegut, mikut dhe akademikut Beqiraj.