Shuhet regjisori i njohur shqiptar

Regjisori i njohur shqiptar Xhezair Dafa, është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare. Dafa ishte një figurë e njohur që ka lënë gjurmë të thella në kinematografinë shqiptare. Ai u lind në Borsh, studimet e larta i kreu në degën e aktrimit, në shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu”. Në vitin 1966 u angazhua si asistent-regjisor në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”.

“Komisari i dritës”, “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Njësiti gueril”, “Plagë të vjetra”, janë vetëm disa nga filmat ku punoi si asistent-regjisor.

Është vlerësuar për kontributin që ka dhënë në filmin artistik – veçmas në realizimet kinematografike, si “Odiseja e tifozëve” (1972), “Duke kërkuar 5-orëshin” (1974), “Udhëtim i vështirë” (1977, Dafa, Llanaj), “Këshilltarët” (1979) apo“Intendenti” (1980). Ndërsa, filmi i tij i parë dokumentar, si regjisor i pavarur është, ishte: “Iniciativa krijuese e masave” (1967), për të mos u ndalur më tej, në shpalosjen e vlerave kulturore edhe historike të vendit me “Kujdes” (1970), “Perla e Jugut”, “Blerim në bregdet”, “Bleron kjo lulja e Jonit” etj.