Shumica gabojnë: “Përgjegjsi” apo “përgjegjësi”, ja si duhet të shkruhet…

Ë-ja paratheksore shkruhet (mbetet, nuk bie)…

Ë-ja paratheksore shkruhet te fjalët e prejardhura, të formuara prej temash me fundoret: -ër, -ël, -ës, -ëz me anë prapashtesash, që fillojnë me zanore, si p.sh.: mjeshtëri, mjeshtëror (nga tema fjalëformuese: mjeshtër): numëror, numëroj, numërim (nga: numër); ëndërroj, ëndërrim (nga: ëndërr); vocërrak, vocërroj, vocërrim (nga: i vocërr); zvogëloj, zvogëlim (nga: i vogël); përgjegjësi (nga: përgjegjës); njerëzor (nga: njerëz) etj.

Nga rregulla e mësipërme bëjnë përjashtim fjalët e prejardhura, të formuara prej temash me zanore, kur përpara -ë-së gjendet vetëm njëra nga këto bashkëtingëllore: b, d, f, j, k, l, p, t, v ose një nga grupet e bashkëtingëlloreve: -nd, -st. P.sh.: librar, librari (nga: libër); kodrinë, kodrinor (nga: kodër); afri, afroj, afrim (nga: afër); lakror (nga: lakër); veproj, veprim (nga: vepër); teatral, teatror (nga: teatër); lundroj, lundrim (nga: lundër); pastroj, pastrim (nga: i pastër etj..)

Po kështu bie -ë-ja e patheksuar e temës prodhuese (e fundores: -ër, -ërr) me pëlqim me drejtshkrimin e ngulitur te fjalët e prejardhura, si p.sh.: përgënjeshtroj, përgënjeshtrim (nga: gënjeshtër); kokrrizë (nga:kokërr)./ Prof. Musa Nushi

ObserverKult
—–

Lexo edhe:

SHUMICA GABOJNË: JA KUR DUHET PËRDORUR APOSTROFI DHE KUR S’DUHET?

Sot apostrofi ka një përdorim të kufizuar në krahasim me kohët e mëparshme.

Dikur apostrofi përdorej sa herë binte ë-ja e patheksuar në fund të fjalëve dhe fjala tjetër
fillonte me zanore, si p.sh.: Një djal’ i dashur ishte Petriti. N’ arë punonin bujqit.

Sot apostrofi nuk përdoret në rastet e lartcekura, prandaj shembujt me apostrof, si:
n’ mëngjes…, n’ kohë të luftës…, n’ art…, n’ errësirë…,etj., nuk përdoren.

Apostrofi nuk përdoret as te bashkimet e trajtave të shkurtra të përemrave vetorë, kur dy zanore shkrihen (ë+e=a), pra: ma, ta, e jo: m’a, t’a; por duhet përdorur apostrofin kur bie një ë, si p.sh.: të+i=t’i; më+i=m’i.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult