Usta Isuf Myzyri këndoi me zërin e zemrës, tamam si një ashik

Isuf Myzyri

Si bilbili në pranverë
që këndon pa pushue,
Ah moj zemër, moj e mjerë
Qenke djegë e përvëlu.

Përse m’dhe kaq mundime
Se nuk mundem t’i mbaj,
Shumë po hek zemra ime
Nat’ e ditë me lot po qaj.

Si bilbili baj figan
Edhe gjuha s‘më pushoi.
M’u doqj zemra si pervan
Gjet xhananin që kërkoi.

Të gjithë të shofim more xhanan
asnjeri nuk të njef
je nji lule n’Elbasan.
vetëm kush ka sy të shef.

Zemrën time ç’ma ka pik
gjuha tate mre xhanan
Myzyri t’u ba ashik
ty moj lule n’Elbasan.

__________

Në këtë poezi usta Isuf Myzyri, na tregon për pranverën, rilindjen e jetës dhe të gjallesave duke marrë për shembull lulen dhe zogun (bilbili).

Ky binom simbolizon në radhë të parë të dashurin dhe të dashuruarin, Krijuesin dhe krijesën. I hipnotizuar nga bukuria e lules bilbili fluturon pafund rreth saj ashtu siç krijesa gjithë jetën e saj kërkon burimin e njohjes, burimin e krijimit, Krijuesin.

Zogjtë komunikojnë duke përdorur gjuhën e tyre dhe, kjo është një gjuhë engjëllore. Gjuha e zogjve përcjell tingujt universalë që lidhin qiellin me tokën duke qenë gjuhë shpirti.

Shpirti i njeriut është si një zog i në kafaz, zogu i rrethuar nga kafazi po ashtu si dhe shpiriti nga trupi duke na treguar kufijtë e ekzistencës njerëzore.

“Si bilbili baj figan
Edhe gjuha s‘më pushoi.

M’u doqj zemra si pervan

Gjet xhananin që kërkoi.”

Fjala pervan persisht do të thotë flutur dhe është simbolike e vetë poetit në kërkimin e dashurisë hyjnore. Zjarri vërtet e djeg fluturën, por nuk djeg shpirtin e saj. Ai djeg vetëm trupin, këtë formë të përkohshme që kemi.

“Të gjithë të shofim more xhanan
asnjeri nuk të njef
je nji lule n’Elbasan.
vetëm kush ka sy të shef”

Poeti thotë se njohja nuk vjen nga shikimi, pra jo nga mjeti i të parit por nga shikimi përtej syrit duke larguar perdet që pengojnë vetëdijen për botën e fshehtë sepse fshehtësitë e qënijes nuk i tregohen njeriut që është i mbuluar.

Ashtu siç lulja është një dhe e pandarë ashtu edhe njeriu duhet ta shikojë objektin e meditimit si të përbashkuar e të unifikuar në Njëshmëri. Syri me të cilën krijesa vështron është në të vërtetë syri i Krijuesit i cili krijesën shikon.

“Zemrën time ç’ma ka pik
gjuha tate mre xhanan
Myzyri t’u ba ashik
ty moj lule n’Elbasan.”

Gjuha e zemrës, sipas interpretimit mistik, është e vetmja gjuhë e cila bën të mundur njohjen e të Vërtetës, e cila shihet vetëm me të vërtetën aty ku njeriu bëhet ashik, i dashuruar dhe vetëm si i tillë e kupton ashikinë, dashurinë.

Nga Enris Qinami

Në fotografi usta Isuf Myzyri me orkestrinën e tij në vitet 1930…

ObserverKult

Lexo edhe:

KUSH IA SHKRUANTE KËNGËT ISUF MYZYRIT?

Është një pyetje që ka ardhur me kohë natyrshëm pasi ashtu sikurse ka shkruar “Artisti i Merituar” elbasanas Mit’hat Stringa, “Isuf Myzyri mbeti analfabet dhe kjo i krijonte vështirësi në punët krijuese si muzikant e këngëtar”[1] (Stringa; 1982:62).

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult