Zhvillimi dhe promovimi i produktit të turizmit është veçanërisht i rëndësishëm, kur bëhet fjalë për parqet kombëtare, pasi ato kanë potencial të madh për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, të aventurës dhe komponëntët e tij kulturor. Pikërisht një prej tyre është edhe Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është kompleksi ligatinor më i madh në Shqipëri, ku Laguna e Karavastasë, është një nga më të mëdhatë në detin Mesdhe, e njohur si një ligatinë me rëndësi të lartë në nivel ndërkombëtar nga Konventa Ramsar (1994).
Laguna e Karavastasë është e mirënjohur për koloninë e saj të species së rrezikuar botërore të Pelikanit Dalmat (Pelecanus crispus). Prania e këtyre shpendëve është edhe një nga arsyet kryesore që laguna e Karavastasë është përcaktuar si Zonë Ramsar e Rëndësisë Ndërkombëtare.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një vend i rëndësishëm për faunën ujore dhe luan rol të rëndësishëm në ekonominë e peshkatarëve vendas.
Peizazhi mahnitës është një nga karakteristikat spikatëse të këtij parku, të cilat ndikojnë pozitivisht në ekonominë vendase dhe si portë për zhvillimin e turizmit.
Duke vlerësuar potencialet që ofron ky park, Fondacioni SIG, një organizatë jo-fitimprurëse, jo-qeveritare që ka në fokus zhvillimin ekonomik dhe social të vendit në nivel lokal dhe rajonal filloi në muajin tetor 2019 zbatimin e projektit “Menaxhim i zgjuar i produktit të turizmit kulturor për shfrytëzimin e pasurive natyrore, qëndrueshmërinë dhe tërheqjen territoriale”.
Aktivitetet e këtij projekti po realizohen përmes një granti të siguruar nga Projekti për Promovimin e Turizmit i Regional Cooperation Council (RCC). Projekti është financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga RCC në përpjekje për të kontribuar në rritjen dhe konkurrencën e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor duke mbështetur zhvillimin dhe promovimin e ofertës së përbashkët rajonale kulturore dhe aventureske të turizmit.
Qëllimi i këtij projekti është rritja e atraksionit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, duke promovuar turizmin e aventurës në bazë të vlerave natyrore dhe kulturore të tij, me qëllim zhvillimin e një destinacioni të veçantë turistik në rajonin e Ballkanit.
SIG po e përdor grantin e këtij projekti, për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, si një destinacion tërheqës për turizmin e aventurës dhe për të kontribuar në promovimin e tij, duke përdorur mjete të reja teknologjike.
Aktualisht për sa më sipër, përmes këtij projekti ekspertët e SIG realizuan një Raport Vlerësimi Bazë të vlerave natyrore (florës dhe faunës) dhe trashëgimisë kulturore dhe të turizmit në Park, shërbimet e disponueshme (përfshirë akomodimin) dhe numrin e ofruesve të shërbimeve, numrin e operatorëve turistikë dhe vizitorëve në Park, situatën e infrastrukturës dhe situatën mjedisore (menaxhimi i mbeturinave).
Të dhënat e nxjerra nga ky raport, do të përdoren për të zhvilluar një model biznesi për zhvillimin e mëtejshëm të Parkut, por edhe për të zhvilluar paketa turistike.
Sipas raportit vlerësues, konstatohet se falë burimeve turistike të shumta në park, turizmi i aventurës me format përkatëse të tij ka mundësi për t’u zhvilluar më tej.
Përveç të tjerave disa nga risitë që do të sjell ky projekt për parkun e Divjakë-Karavastasë do të jenë prodhimi i Platformës Elektronike dhe Turi Virtual 360 gradë, hapja e faqes zyrtare për parkun dhe broshura turistike (të cilat aktualisht mungojnë), do të jenë një vlerë e shtuar në promovimin e parkut dhe zhvillimin e turizmit.
Këto produkte pritet që në fillim të muajit shtator 2020 të jenë të aksesueshme për turistët vendas dhe të huaj.
Gjithashtu në fund qershor 2020, u organizua workshopi on line “Zhvillim dhe Ngritje kapacitetesh për promovimin e turizmit”. Mbi 80 pjesëmarrës nga qytete të ndryshme të Shqipërisë (Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Lushnjë, Fier, Pogradec, Korçë, Shkodër etj), të Kosovës (Prizren, Gjilan) dhe Maqedonisë së Veriut (Shkup) u bënë pjesë e workshopit. Pjesëmarrësit e vlerësuan këtë workshop si një mundësi për të rritur bashkëpunimin midis shumë aktorëve në fushën e trashëgimisë kulturore, historike e më gjerë.