Si e ekzekutuan babain tim komunistët, çfarë i tha shokut të qelisë

Nga: Dashnor Kaloçi

Kjo është historia e Zef Prelës me origjinë nga fshati Gimaj i Dukagjinit të Shkodrës, i cili menjëherë pas mbarimit të Luftës në vitin 1944, u arrestua nga një repart i Divizionit të Mbrojtjes, duke u akuzuar se kishte marrë pjesë si efektiv i forcave të Xhandarmërisë me Batalionin e major Dod Nikollës, duke luftuar kundra partizanëve në Jugun e Shqipërisë.

Pasi vuajti vetëm pesë vjet burg, ai mundi të lirohej me rastin e një amnistie që u dha me rastin e 5 vjetorit të çlirimit, por pasi Sigurimi i Shtetit i bëri presion që ai të bashkëpunonte me ta, nuk pranoi dhe për t’ju shmangur rrezikun që i kanosej, u arratis në malet e Dukagjinit ku asokohe ishin rreth 400 burra të armatosur si kundërshtarë të betuar të regjimit komunist.

Arrestimi i dytë i Zef Prelës pas disfatës që pësuan forcat e rezistencës antikomuniste me Kryengritjen e Postribës dhe mbajtja e tij nën tortrura në Burgun e Fretënve në qytetin e Shkodrës, ku më pas doli në gjyq dhe u dënua me vdekje, duke u ekzektuar më 11 mars të vitit 1948 te Penda e Kirit, së bashku me: Imzot Frano Gjini, (Zv/ Nunci Apostolik), Imzot Nikoll Deda, At Mati Prendushi, At Çiprian Nika, Caf Dragusha, Cin Serreqi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Abdullah Kazazi, Pjetër Pali, Dulo Kali, Xhelal Haradolli, Gaspër Simon Gaspëri, Murat Hysen Haxhija dhe Bilbil Hajmi. Dëshmia e së bijës, Lili Prela Ndoci për historinë tragjike të gjithë familjes…

“Babai im Zef Prela, atë natë para se të pushkatohej me ata 15 burra në Pendën e Kirit, nëprmejt policit, Sulejman Merxhani, na dërgoi amanetet që i shkroi me gjakun e tij në një letër pakete cigaresh. Edhe pse baba ishte dënuar me vdekje, atë vazhdonin ta torturonin. Nga që nuk mund të duronte dot më torturat, një natë para pushkatimit ai i tha shokut të qelisë Z. Pikolinit: A thue e kam fatin me u pushkatue dhe unë me ata burra që do të vriten nesër. Dhe lutja e tij u bë realitet. Ai u ekzekutua të nesërmen me 11 mars të vitit 1948 së bashku me ata 15 burra që ishin të dënuar me vdekje dhe mbaheshin të izoluar aty në burgun e fretënve, të cilët ishin: Imzot Frano Gjini, (Zv/ Nunci Apostolik), Imzot Nikoll Deda, At Mati Prendushi, At Çiprian Nika, Caf Dragusha, Cin Serreqi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Abdullah Kazazi, Pjetër Pali, Dulo Kali, Xhelal Haradolli, Gaspër Simon Gaspëri, Murat Hysen Haxhija dhe Bilbil Hajmi. Përpara se ta tërhiqnin zavrrë për ta çuar para skuadrës së pushkatimit, baba ju lut policit, Sulejman Merxhani, që t` i çonte nanës një cop letër në shenjë amaneti. Polici e mbajti fjalën dhe ja solli nanës amanetin që baba i kishte shkrue me gjakun e tij në një letër pakete cigaresh ku thoshte: Nanë. Unë po nisem për në Lumninë e Parrajzës. Qindroni dhe ma bani hallall, Zefi”. Lili Prela Ndoci, e bija e Zef Prelës, njerit prej atyre burrave që dhanë shpirt atë natë të largët marsi të vitit 1948 prej breshërive të armëve të skuadrës së pushkatimit diku në periferi të qytetit të Shkodrës, në vendin e quajtur, Penda e Kirit, rrëfen për here të pare për Memorie.al, historinë tragjike të babait të saj dhe të gjithë familjes së tyre, që vuajtën për gati 45 vjet burgjeve dhe internimeve në regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Familja Prela

Familja Prelaj është me origjinë nga fshati Gimaj i malësisë së Dukagjinit dhe një nga të parët e asaj shtëpie që është njohur në të gjithë krahinën për burrni dhe trimëri, ka qenë Kol Prela (babai i Zefit), i cili ka marrë pjesë në luftrat e malsorëve dukagjinas kundër serbëve dhe malazezëve. Krisja e mardhënieve ndërmjet familjes Prela dhe regjimit komunist në fuqi e ka zanafillën menjëherë që në ditët e para të pasluftës, kur forcat partizane ndërrmorën ekspedita ndëshkuese në malësitë e mbi Shkodrës, me pretekstin për të çarmatosur popullsinë e atyre fshatrave. Kjo ekespeditë e partizanëve që kryesohej prej Xhemal Selimit, me të mbërritur në fshatin Gimaj, bëri kontroll në shtëpinë e Gjelosh Çunit (Prela), që ishte vëllai i Kol Prelës. Pasi në atë shtëpi ashtu si në çdo familje malsori kishte armë, forcat partizane menjëherë pushkatuan të zotin e shtëpisë Gjeloshin, me gjithë djalin e madh të tij, gjë e cila do të sillte më pas armiqësinë e përjetëshme të familjes Prela me regjimin komunist në fuqi.

Kush ishte Zef Prelaj

Zefi, fëmija i parë i Kol Prelës u lind në fshatin Gimaj në vitin 1922. Mbas disa vitesh familja Prela u vendos në qytetin e Shkodrës ku Zefi u regjistrua dhe filloi mësimet si konviktor në Konviktin “Malet Tona” të gjimnazit klasik të atij qyteti që njihej si një nga më të famëshmit e asaj kohe. Në gjimnazin ku mësonin shumë prej nxënësve që më pas do të bëheshin eksponentët kryesorë të “Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, si: Qemal Draçini, Tom Kola, Hajdar Dushi, Qemal Stafa, Emin Duraku, Fadil Hoxha etj, Zef Prela u lidh me Lëvizjen Atifashiste nëpërmjet Prof. Kol Prelës, që do të bëhej më pas një nga njerzit më të afërt të tij.  Nga viti 1943, pasi Zefi mbaroi maturën, i nxitur dhe nga Prof. Kol Prela ai u bashkua me rrethet nacionaliste të Qarkut të Shkodrës që formuan dhe çetën e tyre e cila udhëhiqej prej Ndue Palit dhe kishte mbështetjen e disa eksponentëve të Klerit Katolik, si Dom Zef Shestani, Padër Gjon Shllaku etj. Menjëherë pas mbarimit të Luftës, forcat e Reparteve të Ndjekjes ose siç quheshin ndryshe Brigadat e Mbrojtjes së Popullit, e arrestuan Zef Prelën me akuzën se kishte marrë pjesë si efektiv i batalionit të major Dodë Nikollës me forcat e xhandarmërisë, duke luftuar kundër partizanëve në Shqipërinë e Jugut. Si rezultat i kësaj akuze, Zefi u dënua me 5 vite burg dhe u dërgua në burgjet e improvizuara të qytetit të Shkodrës. Me rastin e një vjetorit të çlirimit, duke përfituar nga amnistia që u dha për një pjesë të dënuarish politik, Zefi mundi që të lirohet nga burgu dhe të kthehet në shtëpinë e tij në Shkodër.

Arrestimi i dytë i Zefit

Pas lirimit nga burgu, Sigurimi i Shtetit nëpërmjet Gj. U., i bëri thirrje Zefit që ai të bashkpunonte me ato forca, por ai nuk pranoi. Këtij presioni Zefi ju përgjigj:” Sa të jem gjallë, kurrë nuk do të bashkpunoj me forcat tuaja dhe komunistët, pasi ju jeni kundër Shqipërisë”. Arrestimi i deputetit Kol Prela nga fillimi i vitit 1946, i cili ishte zgjedhur në parlamentin shqiptar nga zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, ishte një sinjal i qartë dhe për Zefin, i cili ishte një nga bashkëpuntorët më të afërt të tij, që kishte zbatuar porositë e deputetit për formimin e grupeve antikomuniste. Nisur nga kjo, duke parë rrezikun që i kanosej, Zefi la qytetin dhe u arratis duke qëndruar në malet e Dukagjinit ku asokohe në shpellat e asaj zone qëndronin rreth 400 burra të armatosur, që ishin kundra pushtetit komunist. Mbas dështimit të Lëvizjes së Postribës, për forcat e rezisencës antikomuniste pasuan dhe disa disfata të tjera që çuan në kapjen apo ekzekutimin e disa prej krerëve kryesorë të asaj lëvizje. Në një nga ekspeditat e forcave partizane të ndjekjes kundër pjestarëve të forcave të rezistencës antikomuniste në zonat e malësisë së Dukagjinit, si rezultat i një tradhëtie, u gjet i rrethuar prej tyre në shpellën e Gimajve dhe Zef Prela së bashku me disa të arratisur të tjerë. Mbas një përpjekje të gjatë me armë ndërmjet të ngujuarve në shpellë dhe forcave partizane të Reparteve të Ndjekjes, u vra Dush Myftari shoku (probatini) më i afërt i Zefit. Më pas u plagos dhe vetë Zefi, e Forcat e Ndjekjes arritën ta kapin të gjallë dhe pasi e mjekuan për disa kohë në spitalin e Shkodrës, atë e dërguan në qelitë e hetuesisë të cilat asokohe ishin mbushur plot me të burgosur politikë kundërshtarë të regjimit komunist, të cilët ishin arrestuar të akuzuar si pjestarë të Lëvizjes së Postribës, organizatës “Bashkimi Shqiptar” etj., ku pjesa më e madhe përbëhej prej klerikëve katolik.

Akuza e Hetuesisë për Zef Prelën

Gjatë asaj kohe që Zefi qëndroi në hetuesi, ndaj tij u bënë tortura të vazhdueshme duke i thyer gjymtyrët dhe duke i fikur cigaren në sy. Në aktakuzën e hetuesisë në mes të tjerash thuhet: “Zef Kol Prelaj, i biri i Kolës dhe i Katrinës, vjeç 25, i martuar me dy fëmijë. I dënuar me 5 vite burg nga Gjykata Ushtarake, duke fitue nga amnistija është lirue. Shqyptar i varfër me pesë klasë gjimnaz, lindur në Gimaj të Shalës të N/Prefekturës së Dukagjinit dhe banues në Shkodër. Ka dy kushërinj të ekzekutuar dhe vëllanë në burg të arrestuar në datë 14.9.1945. Gjatë luftës ka qenë në shërbim të Gjindarmërisë kuislinge me gradën e rreshterit dhe si i tillë ka bërë pjesë në Batalionin e Dodë Nikollës, i cili ka luftuar kundra partizanëve në Jug. Mbas çlirimit është arrestuar, dhe më pas është liruar për të vazhduar përsëri aktivitetin e tij kundra pushtetit. Duke u lidhur me deputetin Kol Prela është përpjekur të formojë grupe. Në bashkpunim me të vëllanë e Kol Prelës, Mark Prelën, lidhet me policin Zef Marku, etj., me të cilët bëjnë shumë mbledhje ku vendosin të bashkohen me të arratisurit e Dukagjinit si Pal Thanin dhe bashkë me të janë nisur në Dukagjin. Ka qenë për disa kohë korrieri i Mark Kolës dhe i Nik Sokolit. Ai me Lorenc Vatën, Gac Cinin etj., nga të cilët çdo ditë është furnizuar me materiale dhe lajme. Ka marrë pjesë me armë kundra pushtetit dhe për këtë është plagosur dhe më vonë është kapur nga Forcat e Ndjekjes. Në bashkepunim me Mark Prelën duke marrë udhëzime nga deputeti Kol Prela vendosin që të lidhen me elementët reaksionarë dhe kriminelë lufte me anë të policit Zef Marku për të filluar luftën kundra pushtetit. Në grupet që ka formuar, ju ka bërë propagandë duke komentuar Radio-Londrën për ndryshimin e situatës në vend, që do të ndryshonte me shpejtësi pas ndërhyrjes së anglo-amerikanëve. Është lidhur me kriminelin Pal Thani, i cili ishte fshehur në Shkodër dhe është kujdesur për nxjerrjen e tij jashtë qytetit për të mos rënë në duart e pushtetit. Ka shkuar dhe është takuar me me ish deputetin Kol Prela dhe kanë biseduar shtruar në lidhje me organizatën e tyre dhe mbi situatën ndërkombëtare, ku ju doli si detyrë shtimi i rradhëve të tyre. Pas kësaj ai hidhet në ilegalitet dhe bashkohet me elementët e arratisur si Gjergj Vata e të tjerë kriminelë lufte, me të cilët fillon aktivitetin duke ju folur katundarëve që të hidheshin në ilegalitet, duke sharë pushtetin e sotëm”, shkruhet në mes të tjerash në aktakuzën e mbajtur gjatë hetuesisë për Zef Prelën.

Gjyqi: Dënim me vdekje

Në bazë të këtyre akuzave të hetuesisë, më datën 29 shkurt të vitit 1948, Zef Prela doli para trupit gjykues të Kolegjit Ushtarak të Shkodrës që kryesohej nga kapiten P. Alizoti, togerët B. Idrizi, A. Koroveshi dhe Prokuror Z. Shehu. Ai gjyq e dënoi Zefin me vdekje, me pushkatim, dhe humbjen e të drejtës politike dhe civile si dhe me konfiskimin e pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme, duke ju ngarkuar dhe pagimi prej 162 lekësh i shpenzimeve të gjyqit. Pas pak ditësh nga dhënia e atij vendimi natën e 11 marsit të vitit 1948 në Burgun e Fretënve ku Zefi mbahej i izoluar, qëndruan dy makina të mbuluara, ku policët hypën 16 të arrestuar që ishin dënuar me vdekje, për t’i dërguar drejt ekzekutimit. Bashkë me Zef Prelën në ato dy makina të rrethuar me një numër të madh policësh, zunë vend dhe: Imzot Frano Gjini (Zv/Nunsi Apostolik), Imzot Nikoll Deda, At Mati Prendushi, At Çiprian Nika, Caf Dragusha, Cin Serreqi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Abdulla Kazazi, Pjetër Pali, Dulo Kali, Xhelal Haradolli, Gaspër Simon Gaspëri, Murat Hysen Haxhija dhe Bilbil Hajmi, të cilët ishin dënuar me vdekje, nën akuza të ndryshme si “agjentë të anglo-amerikanëve, Vatikanit, pjesmarrës në Lëvizjen e Postribës, futjen e armëve në Elterin e Shnandout”, etj.

Si i dërgoi Zefi amanetet…?

Asokohe që u ekzekutua Zef Prela, ai kishte vetëm një vajzë të vogël, tre vjeçe dhe gruan shtatëzanë që lindi më pas dhe një vajzë tjetër që nuk pati fatin ta shihte kurrë babanë e saj. Lili Prela Ndoci, vajza e madhe e Zefit, kujton: “Edhe pse baba ishte dënuar me vdekje, atë vazhdonin ta torturonin. Duke mos i duruar dot më torturat, një natë përpara se ta ekzekutonin, ai i tha shokut të qelisë Z. Pikolinit: “A thue e kam fatin me u pushkatue dhe unë me ato burra që do të vriten nesër”? Dhe lutja e tij u bë realitet. Të nesërmen me 11 mars të vitit 1948, ai u pushkatua së bashku me 15 burra që ishin të dënuar me vdekje dhe mbaheshin të izoluar aty në Burgun e Fretënve. Unë asokohe isha shumë e vogë, por kam dëgjuar nga njerzit e familjes, se baba, Zefi, atë natë përpara se ta merrnin për ta ekzekutuar, ju lut policit Sulejman Merxhani që t’i dërgonte nanës dy tre copa letre në shenjë amaneti. Ato letra ai i shkroi pak para se ta merrnin zvarrë për ta çuar para pushkatimit, me një fije shkrepse të djegur të cilën e ka ngjyer në gjakun e tij që i rridhte ende nga torturat. Aty shkruhet: “Nanë, Unë po nisem për në Lumni të Parrajzës. Qindroni dhe ma bani hallall. Zefi.” Polici e mbajti fjalën dhe letrat e babës ai i solli në shtëpi. Disa muaj pas pushkatimit të babës, lindi motra, por në shtëpinë tonë nuk ndihej asgjë. Aty as nuk flitej dhe as nuk qahej, sepse askush nuk guxonte të vinte për ngushëllim, sepse gjyqi kishte urdhëruar dhe sekuestrimin e pasurisë. Mbas dy javësh nga pushkatimi i babës, axha Marku që ishte i arrestuar bashkë me Zefin, u dënua me 5 vite burg. Kur doli në vitin 1952 ai u arratis nga Shqipëria dhe kaloi në Jugosllavi. Aty ai mbaroi studimet e larta dhe u diplomua për Filozofi në Beograd. Në vitin 1953(?) autoritetet jugosllave e kthyen në Shqipëri duke e shkëmbyer me një shtetas nga Kosova. Këtu në fillim ai u dënua me vdekje, me pushkatim dhe më pas iu fal jeta dhe dënimi I’u kthye me 25 vite burg. Marku bëri 17 vite burg dhe kur u lirua, punoi në punë të rënda deri sa vdiq në vitin 1994. Axha tjetër, Pjetri, pasi u lirua nga burgu në vitin 1952, u arratis nga Shqipëria dhe sot jeton ende në Kanada. Mbas pushkatimit të babës, axha i dytë Deda, edhe pse ishte i sëmurë, punoi hamall dhe së bashku me gjyshen Katrinën, morën përsipër rritjen e dy fëmijve të vëllait (timen dhe motrës Irenës), në mes halleve dhe vuajtjeve të shumta”, e përfundon rrëfimin e saj Lili Prela Ndoci, mbi fatin tragjik të babait, Zef Prelës dhe familjes së tij, të cilët përfunduan burgjeve dhe internimeve për faktin e vetëm se ishin kundërshtarë të atij regjimi që u instalua në Shqipëri në nëntorin e vitit 1944./Memorie.al


Lexo edhe:

MARIAN E TORTURUAN AQ SHUMË SA JA PRISHËN FYTYRËN DHE ASKUSH MA S’E NJIHTE!