Si e humbi udhën e Zotit, Tat Tanushi: Ah, Kalije, a të rëndon dheu?!

mitrush kuteli

Ju ftojmë të lexoni një fragment të shkëputur nga kryevepra e Mitrush Kutelit “E madhe është gjëma e mëkatit“(Tat Tanushi i Bubutimës).

Kalija tretej dita me ditën, si treten ata të lëngjyerit. Veç dhembjes së trupit kish dhe tjatër: “Sikur të kishim një fëmijë, Tan..” Po trupi i saj s’lidhi fëmijë. Në pranverë, vdiq.

Aq shumë e tronditi kjo Tatën sa iu duk se u shemb gjithë jeta dhe ranë kryqet e lartësirave. Kish parë shumë të vdekur në jetën e tij, po tjatër ish Kalija. Ajo s’duhej të vdiste.. .A mos e kish sjellë që largë për ta varrosur aty?

Nga dhembja e madhe mjekra e flokët e tij u zbardhë krejt, sa dukej plak i shkuar dhe jo njeri më tridhjet e shtatat. I mirrte së vdekurës dorën e ftohtë dhe i thesh, pa pushuar:
– Kalije, zemra ime.. Noemi, jeta ime…

Dhe i puthte dorën, ballën, faqet. Po të gjitha këto ishin pa jetë dhe të ftohta si guri. Doli në kopsht edhe preu dega bajamesh me lule dhe ia shtroj si shtrat së vdekurës.

Dhe gjithë lule bajame vuri më të dy krahët, në krye e në këmbë. Edhe fytyra e saj kish ëmbëlsinë e vdekjes.

Si e bëri këtë, e rëmoj varrë që të mbushë porosinë e saj: “Ti, Tan, të më bësh varrë, e të më vendosësh brenda”. Toka ish e lagur nga shirat e pranverës. Dyke thelluar varrë Tan Tanushi do kish dashur jo një herë po një mijë të hyjë ay vetë brenda dhe Kalija të ngjallet nga të vdekurit. Ky ish mëkat i math dhe si mëkat iu shkrojt në Librin e jetës.

– “Tat Tanush, Tat Tanush” – i thirri një zë së larti – “përse e zemëron Zotnë me dhembjen tënde? A mos je ti i pari që ke të tillë dhembje? Nuk e mbuloj Avraami Sarën në tokën e Kiriat Arbas dhe Jakovi Rahillën në rrugën e Efratës?

Ku është vallë besa jote në ngjalljen e dytë? Ku është shpresa ndaj ato që janë shkruar?” Po zemra e uratës nuk e dëgjoj zërin e Zotit. Ay harroj se varri është dera me anën e së cilës hymë në jetën e përjetshme.

Edhe i duruar si është Zoti, i thirri përsëri: “Lere dhembjen tënde dhe ruaj kopenë time!” Po kaq e e madhe ish shembja e Tat Tanushit sa as kësaj here nuk dëgjoj. Sepse ay i mbante mëri Zotit për vdekjen e së shoqes.

Edhe Zoti ia shkrojti edhe një herë si mëkat dyke e lënë të lirë të ecë në rjetat e largneshit.

Tani Urata fliste dit e netë me të shoqen, si me një të gjallë, kudo që ndodhej: brenda në kishë i veshur me të shenjtat, në shtëpinë e tij, ne varri.


“Kalije” – i thesh – “a të rëndon shumë dheri?” Dhe kur binte shi: – “Zemra ime, a të lag shiu?” Dhe kur kish hënë: – “Shpirti im a e sheh hënën mi ujra?”

Kujtonte emrin e saj – në mëndje e në buzë – kur ngrinte qelqin e kungatës, kur bekonte gjindjen, kur këndonte të kënduarat.

Dhe shpesh e më shpesh syri i tij e kërkonte të shoqen brenda në kishë në vendon e saj që rrinte.

Mbrëmave kur pinte verë, për të harruar dhembjen, mbushte edhe kupën e saj edhe i fliste: – “Pi , zemra ime!” Dikur, nga malli, i shkau mendja t’i hapë varrë që ta shëkoj edhe një herë. Këtë nuk e bëri me dorë, po e kreu me mëndje edhe kaq mjaftonte sa t’i shkruhej si mëkat i rëndë.
Pastaj Urata shkeli edhe më tej, në rrugën e gjërë të mëkatit: bëri kora me fytyrën e Kalijes. Përpara tyre ay ndiste kandile e qirinj dhe këndonte të kënduara të shenjta.

Dhe me ngjyrat, ari e argjëndi nuk i japin aqe fuqi, sa desh, për të nxjerrë bukuritë e saj në dritë nisi ta gëdhendë në dru. Duke punuar kështu ay iu afrua punëve që punojnë të pabesët e Kishës së Perëndimit.

Tani oda ku flinte Tan Tanushi ish plot me korat e me të gëdhendurat e saj. Shpesh herë ay mbyllte sytë dhe dora i shqiste mi të gëdhendurat me fytyrën e Kalijes dhe sikur e ndjente aty pranë.

Kaluan kështu tre vjet dhe këta tre vjet ay u largua nga i Madhi i jetës, për një dorë eshtra e për fytyra të bëra në dru.

Emri dhe fjalët e Zotit ishin dhe tani në buzët e tij, po zemra lark – sepse mbante mëri. Kish mbushur tani dyzet vjet, që do të thotë dy herë nga njëzet, dhe shpirti nuk kish mposhtur edhe trupin. Sepse shpirti i tij ish i sëmurë e nuk mposhtte dot.

Përgatiti: ObserverKult


kutelit
Mitrush Kuteli

Lexo edhe:

MAKTHI I TAT TANUSHIT: ZEMRA E TIJ KISH JETË DHE JETA ISH VUAJTJE…

Nga Mitrush Kuteli

Tat Tanushi ndjente helm e gas bashkë: helm për vdekjen e së shoqes, gas se vetë Krishti i këndonte asaj. Dhe i pëshpëriti ngadal: “Dëgjon, zemra ime, zbriti vetë Ynëzot të të këndojë – Gëzoju, Kali!”

U ngrit më këmbë me Kalijen më krahë. Ajo ish e lehtë si penda dhe buzëqeshte me buzëqeshjen e të lumturit. Tata ngriti kryet lart, ndaj kupa e kishës, dhe ja se ku ajo ish plot dritë dhe ngrihej ngrihej gjer sa u bë qjell. “Pa fjalë – tha ay – kështu duhet të bëhet, mbasi Ynëzoti zbriti t’i këndojë asaj. E drejtë ka qënë në jetë, në tendat e të drejtëve do prehet”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult