“Si e mbrojtëm me Dritëroin Festivalin e 11-të”, rrëfimi i Zhani Cikos

Ai ishte ende një muzikant i ri, ndërsa ai një poet i njohur. Ia kishte njohur penën, e kishte ndeshur për së largu, më pas ishin takuar dhe koha e solli që të punonin së bashku për hartimin e raportit për Festivalin e 11- të të Këngës në Radio Televizion, një prej atyre ngjarjeve të mëdha kulturore, që u vu në shënjestrën e regjimit.

Në librin me kujtime e mbresa, kushtuar shkrimtarit, poetit dhe mendimtarit, Dritëro Agolli, “Ky është Dritëroi im”, maestro Zhani Çiko tregon njohjen me të, konsideratat që kishte për krijimtarinë e tij letrare e më pas bashkëpunimin dhe hartimin e raportit për Festivalin e 11-të.

Raport që u hodh poshtë, ndërkohë që dënimi i festivalit u shoqërua edhe me dënimin e organizatorëve të tij, një ndër të cilët edhe vetë Zhani Çiko, i çili u dërgua të punojë për vite me radhë në Patos. Rikthimin në Tiranë ai ia njeh Dritëro Agollit, i çili kishte “lobuar” që muzikanti, jo vetëm të mos “asgjësohej” profesionalisht, por të kthehej në kryeqytet dhe të vijonte karrierën e tij.

ZHANI CIKO

SI E NJOHA DRITËRO AGOLLIN…

Në Rrugën e Kavajës, diku nga mesi e në krah të Kishës Katolike, ndodhet dhe sot një ndërtesë solide trekatëshe, në katin e parë të së cilës ishte libraria “Luarasi”. Në dy katet e sipërme, në atë luksozin, jetonte një zyrtar i lartë i pushtetit, ndërsa sipër në një gati papafingo, trashëgimtari i Kristo Luarasit, shoku im Gençi. Ishte jo thjesht një librari, por për mua një tempull i librit.

Aty më pëlqente të takoja njerëzit e letrave përmes veprave të tyre: aty u njoha me Dritëro Agollin. Unë e pikasa vetë në një nga vitrinat me xham mbuluar të librave të rinj dhe ai më tha: “Në rrugë dolla”. Hajt të njihemi! Një libërth me kapak të kaltër… Asgjë pompoze në këtë takim të parë, kur e mora në dorë. E rilexova emrin, që m’u duk si emër letrar. “Pse jo?!”, – thashë, – Migjeni Çhri-Çhri etj.

Ky Dritëro Agolli apo Drita që Agon, -mendova. Njoha me lexim të parë vargjet poetike të një sinqeriteti impresionues, një muzikalitet përmes ritmikës vargëzuese të rimuar, pa kërkime e stërhollime për të arritur synimin e tij poetik. I njohuri im kishte dalë në rrugën e madhe për të mos u kthyer më prapa.

Isha i bindur se do t’i vizitonte me kohë daljet anësore nga Bulevardi i Letrave, si ‘Udha e Rrëfimtarëve’, ‘Rruga e Dramës’, ‘Qoshja poetike e këngës’, ‘E përpjeta e libreteve’ dhe sidomos ‘Sheshi relievthyer i kritikës’. Në një nga “Tetorët e Letërsisë”, në sallën e Estradës, ku isha zgjedhur të luaja në violinë edhe unë, me të dalë në skenë pashë “të njohurin tim” në rresht të parë.

E kisha përballë kur e përshëndeta dhe m’u duk sikur më buzëqeshi bashkë me duartrokitjen. Thashë “më njihka”?! Një foto që kam nga ky koncert, më duket që i jep vërtetësi asaj që thashë më sipër, ndonëse lidhja që bëj unë mbetet hipotetike. Bashkë me mua në skenë, në piano më shoqëronte Margarita Kristidhi alias Bebi, siç njihej në Tiranë.Agolli

Në të dalë, në hollin e Estradës, sikur u përshëndetëm dhe buzëqeshëm vërtet. Ajo që luajta unë, ishte “Poemë për violinë e piano”, vepër e Nikolla Zoraqit, të cilin Dritëroi e njihte mirë. Më pas, takime rastësore në klubin e atëhershëm të Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe nuk e di se si aty dhe në bulevard, në çdo ndeshje përshëndeteshim tashmë, vërtet të njohur.

Ndonëse unë isha ende student, ndodhesha herë pas here në biseda me letrarë të njohur falë lidhjeve familjare, si me Fatmir Gjatën, Sterjo Spassen apo mikun e hershëm të babait, Lasgush Poradecin, etj. Pëlqeja mënyrat e veçanta të parashtrimit të mendimeve, mënyrën që i drejtoheshin njëritjetrit dhe tim eti direkt në emër.

Ndërsa, Dritëroi i drejtohej gjithmonë me “Xha Mihal” (jo sipas etikës së kohës me “shoku” Mihal). Edhe më pas, kur më pyeste: Si është xha Mihali?, kjo konfidencë besoj ishte jo vetëm nga diferenca e moshës, por dhe nga respekti për një nga rilindësit e muzikës, si edhe nga e folura korçare e theksuar e tim eti, që e afronte me Dritëroin, pa u dukur, por me të vetëndjerën e të qenit “nga anët tona”. Im atë ishte adhuruesi i prodhimtarisë bujqësore të Devollit, (gjyshja ime ishte nga fisi i Afezollëve të Hoçishtit). Dritëroi, në Shqipërinë ku kritikat vinin kryesisht pas ndonjë rrufeje nga lart, u bë i adhuruari im, veç poezisë, edhe për gjininë letrare të fejtoneve në shtypin e “Zërit të popullit” të atëhershëm.

Guximi i tij nuk ishte vetëm te tematika që trajtonte, por sidomos te stili i tij, përdorimi i humorit që përqeshte fenomenet burokratike e skematike, që në atë kohë ishin frenuese edhe brenda realitetit ideologjik e politik të kohës. Dritëroi kishte gjetur prerjen e artë për të bërë një gazetari që ishte militante për novatorizmin dhe kundërvënien brenda vijës së lejuar ndaj frymës së amullisë dhe konservatorizmit.

Më pas, në rrethin shoqëror dhe në familje, ku çdo të diel dreka shtrohej dhe me të ftuar, përveç dajave Kastriotit dhe Nikollës dhe me ndonjë student të babait apo shokun tim, diskutimet ishin të zjarrta, saqë mamaja shqetësohej, sidomos nga zëri i lartë i tim eti, se mos komshinjtë thoshin: “Plasi nga profesori…” (kështu i thërrisnin të gjithë babait tim).

Ai thoshte me shaka: “Për këtë zë të fortë kam studiuar nëntë vjet në Vjenë e Milano”! Veç Verdit, Vagnerit e Çajkovskit, në polemikë ishte dhe tema e poezisë sonë, ndarjes tradicionale apo novatore të saj. Babai nuk mund t’i mohonte bashkëmoshatarët ose miqtë e tij, si Luanin (Qafzezi) që e kishte respektuar tërë jetën, Fatmirin apo ca korçarë të tjerë.

Por kur ne hidhnim emrat e Dritëroit, Ismailit a Fatosit, ai zbutej dhe pranonte risitë, duke iu referuar emrave të mëdhenj të italianëve, gjermanëve dhe rumunëve që i recitonte përmendësh. Te ne, letërsia lidhej hpesh me muzikën. Babai e lidhte me libretet operistike apo me romancat që bazoheshin në poezitë më të njohura. Nikolla, gjithashtu, ndërsa Kastrioti e lidhte muzikën kryesisht me dramaturgjinë, pasi dhe ai kishte penë e shkruante. Kohët dhe problemet ecnin përpara.

Dritëroi ishte bërë figurë referuese për poezinë, prozën dhe dramaturgjinë. Ai i kishte vizituar tashmë ato rrugët dhe rrugicat letrare, që përmenda në fillim të këtij shkrimi. E ndiqja, jo vetëm në shtyp, por edhe në Klubin e Lidhjes apo të Aleksandër Banushit (aty ku sot është Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”), ku unë aktivizohesha në veprimtari koncertore herë pas here, por edhe më pëlqente të dëgjoja diskutime krijuese apo dhe thjesht bisedat e të shquarve rreth tavolinave të ulëta me kolltukë e pufe, ku kishte dhe mjaft humor mes diskutimesh të problemeve të artit të kohës.

Tavolinat e ndara sipas lëmeve artistike, ishin afër, kështu që shpesh bisedat interferonin. Aty pranë, me raste, ishte dhe Dritëroi me shokë dhe aty njoha dhe shoqen e tij të jetës dhe të artit, Sadijen, gazetaren e rinisë dhe penën e saj letrare, që fillimisht e respektoja edhe si kunata e Ismail Lulanit, piktorit shkodran me prirje krijuese të theksuara novatore, për mua vijuesi më direkt i pikturës së Prof. Abdurrahim Buzës, krah Kamberit vlonjat.

Zgjedhja ime si Udhëheqës Artistik i Operës dhe Ansamblit Popullor më forcoi lidhjet me artet e tjera dhe kryesisht me letërsinë. Në vitin 1967, një delegacion artistik u nis në Kinë, për t’u njohur me zhvillimet e Revolucionit Kulturor.

Ndër pjesëtarët e delegacionit ishte dhe Dritëroi, Ismaili, Mumtazi e ndonjë tjetër; ndërsa unë isha koncertmaestri i Orkestrës që dirigjohej nga Prof. Simon Gjoni. Ishte një trupë e madhe prej gati 100 artistësh profesionistë: si Agron Aliaj, Vaçe Zela, Avni Mula, Hysen Koçia dhe shumë amatorë nga e gjithë Shqipëria. Turneu zgjati gati tre muaj.

Me pjesëtarët e delegacionit, si Dritëroi e të tjerët, takoheshim dhe shkëmbenim ndonjë batutë të kujdesshme thuajse çdo ditë. Ndikimi i Revolucionit Kulturor Kinez kishte prerë lidhjet tona me artin muzikor botëror. Teatri i Operës dhe Baletit që unë do të drejtoja në moshën 23-vjeçare (me siguri më i riu në rruzull), kishte në repertorin e vet operën e parë shqiptare, baletin e parë shqiptar dhe një balet kinez. Isha totalisht kundër kësaj gjendjeje të varfër dhe të izoluar, që shpresoja se do të ndryshonte. Në fakt, unë isha prononcuar në disa takime të organizuara nga lart, që i drejtonte Ismail Hoxha, kritik letrar e zyrtar i aparatit të Komitetit Qendror të Partisë.

Ai pyeste për të mbledhur opinionet. Unë befas shprehesha lirshëm kundër kufizimit dhe mohimit të “artit përparimtar botëror”. Kishte reaksion ndaj këtyre mendimeve, sidomos nga “artistë”, që i kishte lënë zanati dhe ndiheshin brenda vijës së partisë së izoluar.

Një ditë, në bulevard, pranë “Zërit të popullit”, Ismail Hoxha me Dritëroin ndaluan për të më takuar. Ismaili më inkurajoi për qëndrimin që kisha mbajtur dhe që duhej t’i thelloja, ndërsa Dritëroi në stilin e tij plot humor tha: – Me Zhanin i pamë nga afër rezultatet. Ato mund të jenë të mira, por atje larg. Ne jemi ‘buzë Adriatikut’, – tha ai, duke perifrazuar kështu tekstin e një kënge popullore që këndohej shumë asokohe. Unë, “Adriatikun” e Dritëroit e mora si “buzë Europës përparimtare”.

Shumë shpejt, pas këtyre ngjarjeve, i mbështetur nga të tillë dashamirës dhe artistë me emër, “Muri kinez” u ça dhe Simfonia e IX-të e Beethoven-it ushtoi me rastin e 200-vjetorit të lindjes së kolosit, muzika e të cilit ishte ajo e duhura për të inkurajuar “gëzimin përmes përpjekjeve për lirinë njerëzore”.

Më pas erdhi Festivali i Dizhonit, ku unë drejtoja grupin përgatitor bashkë me Milton, vepra kombëtare si “Çuça” etj., që thyen dyert nga vërshimi i publikut dhe duartrokitjet, “Bohema” dhe sidomos “Traviata” e Mihal Luarasit dhe Ali Osekut, e para rivënie bashkëkohore në skenën tonë (1972).

Ndërkohë, te “Drita” dhe “Nëntori”, Dritëroi dhe ndonjë koleg tjetër letrar si ai, përkthente sidomos poezi nga letërsia përparimtare botërore. Në penën e përkthyesit më kënaqte pozicioni i tij i mbrojtësit të stilit poetik, përvetësimi i përmbajtjes përmes unit të tij si interpret i vlerave autentike të veprës.

Nuk ishte një shqipërim që e transpozonte veprën tek ambienti shqiptar, por i afrohej një interpretimi bindës në gjuhën tonë. Kështu, me letërsinë ruse a sovjetike (Esenin, Majakovski), Neruda-n a Elyar-in e mikun e tij Nazim Hikmet apo Kazantzakis. Ndër ta gjeje dhe krijime më të avancuara se niveli ynë, të cilat i vlerësoja si emancipuese e përzgjedhje qëllimmirë për të gjithë, krijues e lexues.

Dritëroi udhëhiqte përveç tyre edhe në dramaturgji, ku “Mosha e bardhë” çeli teatrin e të rinjve, një “projekt”, siç thonë sot, i pahasur më parë dhe më pas. Më krijoi përshtypjen se ishte hapi i parë drejt një teatri muzikor, si me thënë një Breçht-Ëeil në realitetin shqiptar. Ndërkohë, ne në opera sapo kishim shfaqur “Ritme dhe ndjenja punëtore” dhe “Historia e një kënge”, të N. Zoraqit, A. Aliaj, A. Oseku, një arritje e teatrit koreografik, që stimuloja unë.

Erdhëm kështu te botimet javore të “Shokut Zylo”. Jo vetëm talenti më i madh i prozës satirike, skalitjes mjeshtërore të personazheve të kohës, por dhe guximit artistik të atij që dëshiron të nxjerrë dufin krijues, mbase dhe pa llogaritur deri në fund pasojat. Në fakt, një nga “numrat e parë” të udhëheqësve, siç flitej, ishte revoltuar keq me “atë që po na bën shkrumb administratën”.

Dëshira për “të ecur mbi thëngjij” i dha zgjidhjen e mençur për ta botuar si ilaç me pikatore në “Hostenin” e mikut të tij të vyer Niko Nikolla, krijues dhe botues shembullor për të gjitha kohërat. Bashkë ndiqnin reaksionin, pas çdo numri dhe dozonin pikatoren. Ne ndiqnim veçmas dhe me miqtë evolucionin e Zylos, që ishte dhe evoluimi i hapësirave artistike të asaj kohe. “Ku ka humor, ka shpresë”, mendoja unë.

Kur e hasja Dritëroin (që sapo ishte zgjedhur sekretar i LSHA – Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve), vetëm apo me drejtorin e TOB – Teatrit të Operës dhe Baletit, Koço Vasilin, apo artistë të tjerë në klubin e Lidhjes, dhe i thoshim vlerësimin tonë, ai vetëm buzëqeshte në heshtje. “Nuk e ka me ne lakonizmin, por ai qëndron më lart me guximin krijues”.

Siç thoshte Beethoven: “E nxjerr zjarrin që kam brenda, se ndryshe më djeg ai mua”. Por koha atëherë ishte e tillë që vështirë të zgjidhje mes djegies së zjarrit nga brenda apo zjarrit nga jashtë?! Dritëroin, për çfarë përfaqësonte, sot më rezulton, se në guximin e tij dhe bekimin e krijuesit e ka ruajtur si Baba Zoti, me të cilin është mëkuar në Baltën që solli në LSHA e gjetkë.

Teserat nuk ia zhdukën bindjen, me të cilën ishte mëkuar. Ai vetëm diti kur t’i nxjerrë në shesh. Pas një festimi marramendës për kohën, Viti i Ri ’73 solli shpejt e papritur që në ditët e para të tij acarin e kritikave të udhëheqësit, diskutimet e deri Plenumin IV a konkludues për zhvillimet e deriatëhershme, si dhe kapitullin e ri të ndëshkimeve. Unë ndodhesha, ndërkohë, veç detyrës në Opera, edhe si anëtar i kooptuar i Komitetit Drejtues të LSHA, si dhe anëtar i komisionit të muzikës, me sekretare muzikologen Hamide Stringa.

Një mbledhje e alarmuar e kësaj strukture, e kryesuar nga kryetari i Lidhjes, Prof. Shuteriqi, dha “elektroshokun” e papritur. Fillimisht habi dhe shqetësim! Mua më ngarkuan hartimin e Raportit, që do të mbahej në diskutimin krijues për Festivalin e 11-të, që do të zhvillohej pas vetëm disa ditësh. Si sekretar për letërsinë, iu dha porosia dhe Dritëroit të më ndihmonte deri në dorëzimin e materialit.

Shkuam të dy në zyrën e tij dhe vendosëm që unë të përgatis analizën artistike e muzikore dhe materialin tim t’ia dorëzoja Dritëroit për plotësimet mbi tekstet, si dhe kujdesjen redaktuese. Dritëroi punoi pa dalë jashtë frymës së vlerësimeve të mia, duke shtuar mendimet për tekstet, si dhe kornizën përmbajtjesore (hyrje-mbyllje), sidomos për origjinalitetin e këngëve dhe mosndikimin nga influencat e huaja, por pa asnjë ekstremizëm. Që në fillim rrëfej se unë nuk isha i bindur për kritikat e egra dhe ndonjë term ideologjik mohues.

Veç kësaj marrëdhënie mirëkuptuese mes nesh, nuk patëm asgjë më shumë dhe nuk kuptova nëse ato ditë, ai kishte gjykim të ndryshëm apo parashikonte çdo të vinte më pas. Si përfundim të diskutimit krijues, që ashtu si u zhvillua, ishte më shumë një diskutim ndëshkues për Festivalin, u konkludua se “Raporti nuk nxori në pah rrënjët e gabimeve ideologjike dhe diskutimi do të vijonte…”

Ndërkohë, situata u agravua, ngjarjet morën drejtimet e njohura tashmë për gjithë artet dhe letërsinë. Shumë u goditën, ndër ta dhe shkruesi i këtyre radhëve, të tjerë u ngritën e ndër ta dhe Dritëroi që mori kreun e drejtimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Mes problemeve personale, por edhe të Nikolla Zoraqit si Drejtor i Festivalit të 11- të, na erdhi mirë që një njeri i letrave i nivelit më të lartë do të drejtonte praktikisht zhvillimet e artit dhe letërsisë, në kohët e vështira që po vinin. Nikolla ishte i bindur për këtë dhe marrëdhëniet krijuese e shoqërore mes tyre më pas e vërtetuan. Personalisht, në periudhën gati 10-vjeçare që pasoi, nuk pata asnjë zhgënjim.

Shumë i kujdesshëm, pasi çdo veprim mund të më rëndonte deri në ekstrem, e ndiqja atë, unë nga larg dhe ai nga lart. Isha i bindur se deri në takimin e fundit, ai më kishte kuptuar drejt, si për bindjet e sinqerta, ashtu dhe për përkushtimin total në zhvillimet institucionale.

Më erdhën fjalët se ai ishte shprehur për mua në një mbledhje të gjerë se “është i ri dhe do të kthehet prapë”… Nuk ishte pak ato kohë! Për rikthimin në Tiranë, Lidhja kishte lobuar, si thonë sot, duke u mbështetur në angazhimin e plotë timin në Fier e Patos dhe iu ishte kundërvënë atyre që shpresonin asgjësimin tim të plotë profesional.

Ky vlerësim objektiv ka merituar mirënjohjen time dhe të familjes, si në atë kohë, edhe gjatë gjithë jetës. Me kthimin në Tiranë, madje dhe më parë jemi takuar pranë ndonjë gote a kafeje kalimtare me Nikon e Çotin që kishin ruajtur simpatinë e hershme për mua, ashtu si dhe Llazari (Siliqi) që me autorizimin e Lidhjes (kuptoDritëroit) “më kishte në patronazh deri në kthim”.

Jeta profesionale që vijoi në Liceun Artistik, më pas në RTSH, dhe rikthimi prapë në Opera, por tani si i “plotfuqishëm” për më se një dekadë, patën jo vetëm miratimin e tij (tani në pozicionin e një Patriarku të Artit e Letërsisë dhe sidomos të së majtës së reformuar pas ndryshimit epokal), por dhe angazhimin për ta ndjekur ende rrugëtimin tim në ditë shumë të bukura, por dhe stuhi që nuk mungojnë gjatë në “metrologjinë shqiptare”.

U ndamë së fundmi në ditën e bukur të festimit të ditëlindjes së tij, ku bashkë me Sadijen, me dëshirën e tij, bëmë një foto që s’pata guximin ta kërkoja, por jam i bindur se diku do të jetë. Dhe kjo më bën nder…/panorama

LEXO EDHE: Ç’MENDONTE DRITËRO AGOLLI PËR NJË NGA KOMPOZITORËT MË TË NJOHUR SHQIPTARË?