Si e mposhti Gilgameshi mbretin e fuqishëm, Agga të Kishit?

Epi i Gilgameshit nuk është burimi i parë letrar që përmend “Gilgameshin”, i cili ishte sundimtari i pestë i dinastisë së Urukut dhe një gjysmëperëndi, me forcë supernjerëzore, që e ndihmoi të ngrinte muret mbrojtës të Urukut.

Sipas Listës së Mbretërve Sumerë, ai sundoi qytetin e Urukut për 126 vjet.

Një prej legjendave më të vjetra që përmend emrin e tij – shumë përpara Epit të famshëm – është “Gilgameshi dhe Agga i Kishit”, një histori e shkurtër e sumerëve, që i kushtohet një përballjeje me armë mes dy mbretërve, Gilgameshit të Urukut dhe Aggas së Kishit.

Kjo histori e shkurtër sumere – me siguri e bazuar tek një nga shumë luftërat historike mes qytet-shteteve të sumerëve – tregon se Gilgameshi mundi qytetin fqinj të Kishit, i cili sipas Listës së Mbretërve Sumerë, ishte qyteti i parë që tka patur mbretër pas përmbytjes universale.

Lufta filloi kur Agga, mbret i Kishit dërgoi lajmëtarë për të kërkuar dorëzimin e Urukut.

Gilgameshi u takua me pleqtë e Urukut për të diskutuar përgjigjen. Gilgameshi ishte gati të rezistonte, pasi kishte shumë burra luftëtarë të Urukut që luftonin në krah të tij. Por pleqtë e qytetit, preferuan dorëzimin, pasi qyteti i Kishit ishte i fuqishëm, ashtu si dhe sundimtari i tij, Agga, djali i Enmebargesit, një mbret historik, sipas dorëshkrimeve më të hershëm kuneiformë që mbajnë emrin “Enmebaragesi i Kishit”.

Enmebaragesi njihet prej shkrimeve të shumta të gjetura në fragmente vazosh të kohës së tij, si dhe nga traditat e mëvonshme gojore; në një prej shkrimeve thuhet se ai “plackiti armët e tokës së Elamit…”.

Ai ishte sundimtari i parafundit i dinastisë së Kishit. Djali i tij, Agga, ishte mbreti i fundit i dinastisë, humbja e të cilit erdhi prej Gilgameshit, sipas Epit të Gilgameshit dhe Agga i Kishit.

Agga erdhi me ushtrinë e tij shumë të madhe dhe rrethoi Urukun, por çuditërisht, Gilgameshi nuk ishte veçanërisht i trembur. Ai i tha krahut të tij të djathtë dhe më të besuarit, Enkidu, që të mblidhte armë për një demonstrim force që do të frikësonte dhe ngatërronte të fuqishmin Agga.

Po kështu Birhurture, truproja i Gilgameshit dhe shërbyesi i tij i besuar u dërgua në kampin e armikut për të mbjellë dyshim dhe frikë.

Në një moment, figura madhështore e Gilgameshit u shfaq në muret e qytetit; portat u hapën dhe të gjithë luftëtarët e Urukut të komanduar nga Enkidu dolën në formacion beteje për të luftuar kundër mbretit Agga të Kishit.

Agga u kap rob, por Gilgameshi ia kurseu jetën. Me sa duket, mbreti i madh i Urukut i kish një borxh nderi agresorit; një herë ai kish gjetur strehim në Kish dhe Agga ia kish kursyer jetën.

Për shumë vite, mbretërit e Babilonisë mbanin titullin “Mbret i Kishit”, prej ditëve legjendare të pavarësisë së Kishit./bota.al