Si u organizua vrasja e Isa Boletinit? Kush e vrau?

Nëse Ismail Qemali ishte truri i pavarësisë së Shqipërisë, Isa Boletini ishte krahu i armatosur i saj. Por vetëm 3 vjet e dy muaj nga dita më e madhe e kombit shqiptar, njeriu që luftoi aq shumë për këtë pavarësi u vra në një pusi nga 80 xhandarë malazezë dhe serbë.

Akrepat e orës shënonin 21.13 atë të diele të 23 janarit 1916 kur plumbat që vërshëllenin rreth e rrotull si grerëza të tërbuara, e lanë të vdekur Isa Boletinin në kalldrëmin e urës Ribnica në Podgoricë të Malit të Zi. Një bir i kohës së tij dhe që bashkë me vrasjen e tij, në fakt u vra edhe Kosova, duke ia shkëputur trupit të Shqipërisë.

Ç’mund të bënte Isa Boletini vetë i 9-të kur në të dy anët e urës Ribnica ishin 80 ushtarë që e kishin marrë në shenjë? Ose të dorëzohej ose të vritej duke luftuar bashkë më të gjithë.

Të ndodhur si peshqit në rrjetë, shqiptari i madh bëri atë që vërtetë do ta çonte drejt vdekjes së sigurt, por si hero: të shtënave iu kundërpërgjigj me të shtëna. Batareja e pushkëve solli bilancin tragjik: vrasjen e Isa Boletinit vetë i 9-të, por edhe vrasjen e 12 xhandarëve malazezë.

SI U ORGANIZUA VRASJA

Me etjen për hakmarrje, serbët dhe malazezët u bënë bashkë me rusët dhe francezët për ta eliminuar Isa Boletinin. Atë që nuk e kishin arritur ta bënin në luftë ballore në fushëbeteja, ata e bënë në urën e shtetit fqinj, Malin e Zi. Konsulli francez në Podgoricë, Bichoc, është njeriu që nisi aplikimin e kurthit duke e ftuar Isa Boletinin të shkojë në Cetinjë, në mënyrë që prej andej ta dërgonte jashtë Malit të Zi. Boletini i besoi kësaj ndihme pa e menduar se në fakt po shkonte drejt ekzekutimit. Teksa ndodhej në Podgoricë ai u gjend në një kurth që i solli vdekjen.

Në fakt, ajo nuk ishte thjesht një vrasje, por një kasaphanë. Dëshmitë e një masakre të organizuar vijnë nga të dy palët: viktimat dhe vrasësit.

I pari është Tafil Boletini, nipi i Isa Boletinit, në një rrëfim unikal të botuar në studimin e Skënder Luarasit.

“Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin:

Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!”. Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje.

Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S’ja kam dorëzue, as krajlit, as mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolver në duar.

Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”.

Rrallë ndodh që të rrëfejë autori i një vrasjeje masakre, për më tepër kur kjo ka ndodhur 100 vjet më parë. Në rastin e Isa Boletinit nuk kemi një, por dy rrëfime. I pari është I P.M.

Vojvodiq-it, oficer rezervë, bashkautor në këtë vrasje masive. Edhe dëshmia e tij është unikale dhe, për fat të mirë, u bë pjesë e një botimi të veçantë në vitin 1977.

“Isa Boletini ishte në katin përdhes të shtabit të ushtrisë malaeze. Unë si roje kam patur urdhër që ai të mos dalë nga dera. Në një rrethanë të papritur kanë shkrep armët te ura dhe Isa Boletini ka provuar të dalë në ndihmë të kreshnikëve të tij, por unë e kam plagosë duke e goditur në duar. Pas nja 10 minutave ka ardhur Nikolla Gjilas, babai i Millovan Gjilas dhe ka shtirë pesë herë në të. Ai i ka grabit Isës pushkën dhe revolet që i mbetën afër duarve.”

Edhe pse u realizua një vrasje masive dhe pak ka kuptuar në atë kohë se çfarë ka bërë, nuk ka vlerë të vogël fakti që vetë Vojvodiq shpreh pendesë:

“Unë shumë vonë e kam mësuar se kë kam plagosur. Sot pendohem shumë se çfarë mëkati kam bërë. Po u rrëfeva se nuk jam fajtor. Unë kam qenë vetëm një oficer që zbaton urdhra. Urdhri ka ardhur nga lart. Këtë krim e kuptuam shumë vonë. Fajtor është përfaqësia franceze, qeveria dhe mbreti i Malit të Zi.”

Vojvodiq ishte dhe mbetet një profil i ulët zyrtar dhe publik, por dëshmia e dytë është shumë më e rëndësishme se kjo. Malazezi Milovan Gjilas, një shkrimtar dhe politikan me peshë gjatë regjimit komunist në Jugosllavi, sjell një dëshmi akoma më unikale të të atit, Nikolla Gjilas, njeriu që kishte vrarë me dorën e vet Isa Boletinin. Falë talentit si shkrimtar atij i ka rënë rasti ta “vizatojë”armikun duke e përshkruar me nota admirimi.

“Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë.

Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr.

Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rënë përdhe. Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte vështruar me sytë e mëdhenj dhe të përgjakur, kishte thënë çka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt.

Çudia vjen nga historiani anglez Joseph Swire që për ngjarjen në fjalë është furnizuar nga një letër që Edith Durham ia ka dërguar më 10 korrik 1928 të zbuluar në arkivin britanik nga studiuesi Bejdullah Destani, në të cilën ajo tregon për dëshminë që i kishte dhënë Qazim Kastrati për vrasjen e Isa Boletinit. Kastrati në atë kohë ishte fëmijë, por kishte qenë dëshmitar okular i masakrës.

Edhe pse Kastrati e ka rrëfyer me sinqeritetin e një fëmije, ngjarja vjen me shtrembërime nga Swire 5. Në librin e tij kjo histori kalon me tre rreshta në të cilën anglezi më shumë i ngatërron detajet se sa i sqaron. Ai shkruan se malazezët provokuan një grindje dhe më shumë hedh dyshime për prezencën e Boletinit në Podgoricë, se jep detaje për një masakër për të cilën Qazim Kastrati i dhanë detaje mëse të vlefshme. Ja pjesa e letrës së Kastratit që Joseph Sëire nuk e ka parë të arsyeshme ta vendosë në libër:

“Një grup malazezësh hasi në dy prej djemve të Isa Boletinit pranë urës, i ndaloi dhe u kërkoi të dorëzonin armët. Ashtu si gjithë të tjerët në Mal të Zi, edhe ata mbanin lirisht armë. T’i kërkoje dikujt të dorëzonte armën ishte fyerje e madhe, prandaj dy djemtë refuzuan.

Malazezët u përpoqën të flasin me ta dhe pas kësaj krisi pushka. Njerëzit e tjerë të Boletinëve bashkë me Isën erdhën për t’i shpëtuar. Filloi një betejë e madhe. Boletinët mundën të grupohen në një vend prej ku mund të mbroheshin, por mbetën të rrethuar nga malazezët që ishin më të shumtë në numër. Lufta zgjati rreth tre orë.

Më në fund, malazezët përdorën një mitraloz dhe i kositën të gjithë, nëntë vetë gjithsej.”

ARMA QË VRAU BOLETININ, NJË TROFE I RRALLË

Se sa rëndësi ka patur për serbët dhe malazezët vrasja e Isa Boletinit e tregon një trofe që ndodhet ende në shtëpinë e familjes Gjilas në Beograd. Nikolla Gjilas, babai i Milovan Gjilas, ishte një nga autorët që qëlloi me pistoletë në trupin e Isa Boletinit. Këtë armë nuk e përdori më, por e ruajti në shtëpi si një trofe pa e ditur që i biri Milovan Gjilas do të bënte një karrierë si sekretar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Josif Broz Titos.

Në këtë mënyrë, arma që vrau një shqiptar safi dhe simbol të rezistencës ndaj tyre, do të ishte më shumë sesa simbolike: ishte një mburrje për këtë familje. Gjilasi i ri ka derdhur me fjalë të zgjedhura përshkrimin për heroin shqiptar.

“Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndienim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq, megjithëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij. Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur, në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kërkujt dhe pa falur askënd, ashtu drejt në këmbë, i pambrojtur.

Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të!

Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë, se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qenë Isa Boletini vetë, apo ndonjë nga oficerët e tij, kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe, sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini, ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe kjo mjaftonte për të, fakti i rënies së tij ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”.

VARRIMI

Në janar të vitit 2014 të gjitha agjencitë e lajmeve, gazetat dhe televizionet publikuan një lajm që kishte lidhje me vrasjen e Isa Boletinit 98 vjet më parë. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Strasburgut konfimoi se eshtrat e dërguar atje për ekzaminim ishin të Isa Boletinit.

Isa Boletini u varros dy dytë pas vrasjes në Podgoricë, çuditërisht në një ceremoni me pjesëmarrje masive, ndërkohë që Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti edhe një fjalim gjatë procesionit. Që nga ajo kohë rodhën shumë ngjarje dhe jo vetëm nderimi, por edhe përmendja e emrit të Isa Boletinit cilësohej një krim. Për vite e dekada varri ishte i braktisur, askush nuk shkonte atje, madje ai quhej një varr i humbur. Por në vitin 1973, gjatë asaj kohe që quhet liberalizimi i regjimit të Titos ndaj Kosovës, u bë kërkesa e parë për kthimin e eshtrave në vendlindje. Falë përpjekjeve të familjarëve dhe studiuesëve varri u zbulua dhe më 15 nëntor të vitit 1979 u krye zhvarrimi i kërkuar.

Në fakt këtë proces e shpejtoi dhe një projekti bashkisë së Podgoricës që në tokën ku preheshin eshtrat do të ndërtohej një park. Bashkë me eshtrat e Isa Boletinit u nxorën edhe eshtrat e të shtatë të vrarëve të tjerë të masakrës së 23 janarit 1916. Ishin dy fakte që vërtetonin se ato eshtra i përkisnin Isa Boletinit: Epitafi mbi gurin e varrit, por edhe mungesa te eshtrat e gishtit të mesit në dorën e majtë.

Sipas familjes Boletini, Isa e kishte prerë këtë gisht në moshën 3-vjeçare me sopatë. Eshtrat u vendosën me kujdes në një arkë dhe u varrosën në një kënd të oborrit në xhaminë e Mitrovicës në fshehtësi të plotë. Muhamet Shukriu, Latif Berisha, Asllan Murati ishin tre personat që u betuan me njëri-tjetrin që nuk do t’ia tregonin askujt këtë sekret. Një sekret që u mbajt deri në lirinë e Kosovës e më pas për të ndërtuar një memorial të veçantë.

Ndërkohë, pas 100-vjetorit të pavarësisë, nisi procesi i verifikimit të eshtrave për të kryer një ceremoni zyrtare varrimi. Pas verifikimit, i pari ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili deklaroi se eshtrat e Isa Boletinit do të varroseshin në Vlorë pranë varrit të Ismail Qemalit. Rama caktoi edhe 10 qershorin e vitit 2015 si datën e kësaj ceremonie.

Por, si në të gjallë dhe si në të vdekur rruga e Isa Boletinit drejt Vlorës, qytetit ku u ngjiz shteti shqiptar, kishte të njëjtin fat. Shqipëria e shpalli pavarësinë më 29 Nëntor 1912, por Isa Boletini nuk arriti në kohë të ishte pjesmarrës. Pas 103 vjetësh edhe eshtrat e tij nuk mundën të arrinin atje. Më 10 qershor 2015, Isa Boletini u varros për herë të tretë, por jo në Vlorë siç deklaroi kryeministri Rama, por në oborrin e kullës së tij në Boletin të Mitrovicës. Ishte këmbëngulja e familjarëve që të bëhej kështu.

Vërtet Vlora ishte pika e dobët e Isa Boletinit, por Mitrovica ishte dhe do të jetë në përjetësi dashuria më e madhe e heroit, për të cilën ai shkriu jetën.

*Shkëputur nga “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017” e autorit Roland Qafoku

ObserverKult

—————–

LEXO EDHE:

105 vjet nga vrasja e Isa Boletinit në Podgoricë