Katër orë nën tortura të tmerrshme vetëm se ishte nga Devolli dhe sipas Mugoshës “devollinjtë ashtu e donin se kishin qenë me partizanët e më pas ishin bërë me Ballin…” Dëshmia rrënqethëse e Xhelal Staraveckës që ishte dëshmitar okular në procesin e torturave…
Torturat janë përdorur nga komunistët që në kohën e Luftës, sipas udhëzimeve e nën instruktazhin e vetë Dushan Mugoshës. Për këto tortura u fol që në atë kohë, në traktet e famshme të shpërndara nga Xhelal Staravecka, i cili ksihte qenë dëshmitar okular në një varg ngjarjesh, ku ishin përdorur tortura shtazarake në njerëz krejt të pafajshëm. Staravecka atëkohë komandant i batalionit të dytë të Brigadës së I-rë, i tronditur prej krimeve të drejtuesve komunist kishte vendosur të dezertonte nga radhët e Ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe ishte bashkuar me forcat e Ballit. Pas largimit ai shkruan dhe shpërndan për t’i bërë të njohur popullit shqiptar se çfarë ishin në të vërtetë komunistët dhe me ç’metoda po luftonin për të marrë pushtetin e për të mbjellë terrorin.
Në këtë trakt që mban numrin “IV” ai përshkruan në detaje torturat çnjerëzore që kishin përdorur partizanët dhe Dushan Mugosha mbi një djalë të ri nga Devolli, të cilin e kishin kapur në rrugë duke shëtitur dhe pa pasur asnjë faj e kishin torturuar gjer në vdekje. Arsyeja e torturave ishte e paimagjinueshme. Thjeshtë ngaqë ishte nga Devolli dhe sipas Mugoshës devollinjtë kishin ndërruar krah nga mbështetës të Nacional Çlirimtares ishin bërë me Ballin. Për këtë fakt djaloshi i pafajshëm do të provonte në trupin e tij tortura të paimagjinueshme për më shumë se 4 orë.
Ja si i përshkruan Staravecka këto tortura në traktin e tij me numër “IV”:
“Nga të 13 të ekzekutuarit vetëm në dy më muarnë të asistoja n’ato tortura e terrore. Marim një djalë të gjatë, i shëndoshë, drejt 30 vjeçëve, ishte nga Devolli, emrin jo vetëm unë nuk ja di, por edhe Dushani vet që e torturoi gjer në vdekje nuk ja dinte.
Këtë e kishin kapur jashtë Tiranës, që kishte dalë për shëtitje si të dyshimtë e kishin arrestuar dhe s’andejmi e shoqëronin në brigatën e parë. Neve Partizanë zebanitë e xhenemit, si pas urdhërit të jezitit çalo Dushanit, e shpumë në prua. Atje mbasi e çveshëm e lamë vetëm në brekët, se kishim nevojë për rrobat e tija që të vishnim ndonjë djalë të jezitit.
Rreth kësaj viktime qëndrojnë 10-12 partizanë, në krye të të cilëve qëndron Dushani duke fërkuar duart, dukesh i gëzuar nga sytë që i ndrinin për gjakun që kishte ndër këmbë. Unë qëndronja pak lark atij rrethi i ulur në një gur, afër meje dhe Tahir Kadareja. Partizanët, sipas urdhërit të Dushanit, u armatosën me një herë me nga një dru të shtrëmbët prej vërrie më të trashë se qafa e dorës.
Filloi tortura, të 10 kopaçet uleshin e ngriheshin me një ritëm të çregullt mbi trupin e viktimës së mjerë, pa marë parasyshë se ku binin. Oh sa djalë i shëndoshë e i fortë, po e vrasin si gjarpëri me kopaçe. Pas një kohe të disa minutave, Dushani jep urdhër të ndalohen goditjet. Kujtova se do t’i bënte ndonjë pyetje, që natyrisht me anën e torturës të nxirte diçka: “ç’kërkoni nga unë t’u them?”. “Kurgjë”, përgjigjet Dushani, tashti po t’a qi të t’ëmën vet! shton Dushani. Oh, ç’nervozitet! Nënat Shqiptare të shahen nga Dushan sërbiani. Dushani mer një kopaçe në dorë dhe mbasi e ka regulluar viktimën që ishte shtrirë në tokë, mbajtur prej partizanëve dhe mbasi ja vë këmbën e djathtë në një boshllëk i bije me atë kopaçen në qafën e këmbës dhe ja thyen. Çfarë torture e ç’far ulurime e bërtime me të ngjeth mishtë. Dushani këmbën e thyer ja rregullon prap n’at mënyrë: e me një të goditur tjetër nja njëzetë centimetro më lart në kërci ja thyen prapë. Nuk mjafton i heq edhe brekët, me një spango të shëndoshë e lith për koqesh dhe me një purtek të shëndoshë fillon e godit aq sa ato bëhen si ftonj të mbëdhenj. Viktimës shpirti nuk i del; atëherë mer një thikë dhe duke ja çarë kërcin e mëngjër fillon me majën e thikës t’a kruaj kockën lart e poshtë me një ritëm të regullt deri sa maja e thikës del n’anën e poshtme.
Ç’thua ti o shoqe Ender Myrteveliu? Gënjej unë? Ç’thua ti o shok Sulo Gozelli s’janë të vërteta këto? Ç’thua ti e Tahir Kadareja që ndërsa viktima ulurinte e bërtiste ti kërdiseshe nga të qeshurit duke thënë: “bjeri, bjeri”.
LEXO EDHE: 15 FAKTET PSE ENVER HOXHA ËSHTË NJË KRIMINEL LUFTE
Viktima akoma qëndron e gjallë dhe e fortë. Dushani jep urdhër t’i sjellin një litar me një cop dru të shkurtër e të trashë sa llëra. Litarin ja vë në kokë duke kaluar përmes ballit mbi veshët e prapa kokës rreth e përqark; pastaj kombinon drutë me litar dhe këtë e bije rrotull. Druri vinte rrotull litari shtrëngohesh, misht dhe lëkura ju pre. Kocka po i ndrydhesh. Qëpallat e syve të viktimës hapeshin me gishta dhe cingari i ndezur vihesh në dritën e syve, në thonjët e gishtrave të dorës tija hynin gjylpërat dhe dilin nga reza e gishtit. Ç’më thua ti o Vangjel Argjiri? O kasapi besnik i Dushanit në brigatë. Ç’më thua ti o partizan Ibrahim Hoxha nga Korça që duke bërë torturat me aq etje, kujtonje se Dushani do të bënte Timoshenko? A gënjej unë? A po i bëj të pa bëra këto. Viktima është akoma e gjallë. Fol, o Tahir Kadareja, fol që s’je Razi që këtë çik frymën e fundit të kësaj viktime t’a heqish duke i dhënë një plumb kokës: por akoma insiston për t’ja marë me kopaçe?Zebhanitë e Xhehnemit rrëmbejnë prapë kopaçen dhe fillojnë goditjet. Eshtra të thyera, eshtra të çara sytë të përzhëlitur, gishtrinjtë të shpuar, trupi i gjakosur nga çurgat e gjakut, pret akoma drunj.
Erdhi koha e fundit, viktima s’lëviste më, jo se i kishte rënë (të fikët) vilani po pse kish dhënë jetën. Dushani heq koburen e tij dhe i jep dy plumba të ngrohtë në kufomën e ftohtë të viktimës që kishte vdekur nga torturat.
Të tërë ishin në gas, për trimërinë që kishin kryer. Dushani në krye më dukesh sikur e kishte qetsuar urin e tij gjakatare nga që sytë e tij të përgjakshëm hidhnin xixa gëzimi. Në këtë kohë vjen dhe një zebani tjetër xhenemi: “këtu e kemi dhe tjetrin”. Mbas katër orë punë të terrorit në torturë Dushanin e kishte marë urija. Ai thotë: “s’kemi nge, do të shkojmë të hamë bukë”. “Po këtë të arestuar që kemi këtu?, thosh një nga partizanët. “Këputi një plumb”, thotë Dushani. Ej, sa fat lumtur ti o viktimë e dytë që u pushkatove pa torturuar, vetëm e vetëm se s’pati kohë Dushani. U kthyem në çadëre duke hecur. Dushanit i shkova krahun dhe e pyeta: “po ç’kishte bërë ky maskara?”. “Besa kurgjë, po këtyre Devollinjvet duhet t’ja u bësh të gjithëve kështu, pse qenë me neve dhe u kthyen me Ballin”. Ç’thua ti Dushan?, o Sal-a ynë i dashur, nuk janë të vërteta këto? Ç’mendove ti? Se me anën e terrorit do të hidhje Shqiptarët në grushtin t’ënd? Jo jo, vetëm në një gjë pate sukses: në çeljen e vlla vrasjes”./kujto.al
————–
Lexo edhe:
KUSHTUAR NËNËS… VARGJET E DHIMBJES, SHKRUAR NË QELITË E BURGUT TË SHKODRËS
ObserverKult