Si e vranë komunistët Sul Domin, babain e profesor Mahir Domit

Nga kujtimet e Bim Dakli

Më ftoi t’i ulesha afër. Ishim në javët e para të 1944. Situata politike lokale dhe lufta partizane aktive dhe e qëndrueshme bënin që të ndjeheshin efektet e tyre të rrezikshme. Folëm edhe për të ardhmen, ndoshta më kishte ftuar t’i ulesha afër për të më folur pikërisht për këtë temë. Dhe, pak a shumë, më tha: “Ju, fëmijët tanë, doni një regjim komunist dhe unë mendoj se ju nuk e kuptoni që mirëqënien që ju gëzoni sot nuk do ta keni më nesër. Sa keq ! E them për ju, meqenëse ne, prindërit tuaj, jemi mësuar të jetojmë edhe me bukë e djathë”. Gabonte.

Pak muaj më pas e lashë Shqipërinë, për tu kthyer pas pothuajse gjysëm shekulli, kur në 1991 regjimi komunist nuk ishte më. Por atëherë, gjashtë muaj pas nisjes sime, komunistët e morën faktikisht pushtetin.

Pas dy apo tre vitesh arrestuan Sulën, mendoj sepse refuzonte të paguante taksën shumë të lartë që i kishin vënë. U orvatën t’a bindnin me të mira, por më kot. Detyruan djalin që ta bindte, por ka të ngjarë që refuzimi qe akoma më i prerë, dhe më i ashpër.

Duke menduar që kishte shumë flori të fshehur në shtëpi (dhe mbase nuk gabonin) shkuan t‘ia kërkojnë me mjete të ndryshme. Bile gërmuan në oborr e në kopësht, por asgjë ! Atëherë kaluan në metoda më “bindëse”, të një dhune që sa vinte e rritej. Edhe kështu nuk arritën ta nxjerrin nga heshtja e ti prej graniti.

Të nevrikosur dhe të egërsuar, të sigurtë që duke vazhduar ta torturojnë me çdo mjet do kishte qenë një humbje kohe, dhe në bazë të eksperiencës, e dinin që nuk do kishin asnjë ndëshkim për veprat e tyre kriminale, vendosën t’i jipnin fund duke i futur një gozhdë të madhe në “kokën e tij mushkë”.

Kështu e panë të vdekur disa nga të afërmit e tij. Dhe nuk kishte asgjë për tu habitur nëse nuk ishin shqetësuar që t’ia hiqnin: të terrorizonin njerëzit që do ta shihnin kishte si qëllim të bindnin me dhunën e tyre ata dhe këdo tjetër me të cilin mund të flisnin./observatorikujteses.al