Si i ekzekutoi Mehmet Shehu pa gjyq 22 burra në Martanesh (Emrat e viktimave)

Për këtë krim ende flitet, pasi humbja ishte e madhe, thuajse në çdo shtëpi që kishte fshati Peshk i krahinës së Martaneshit u vra një mashkull.
Zona e Çermenikës dhe Martaneshit njihej si mbështetëse e luftës Nacional Çlirimtare, por Mehmet Shehu dhe toga e partizaneve derdhi batare armësh duke marrë jetën e 22 burrave dhe djemve.
Krimi u shënua më 5 mars 1944, kohë kur Mehmet Shehu dhe Brigada I e drejtuar prej tij po udhëtonte drejt Dibrës. Në rrethana ende të paqarta, një partizan i cili ishte pjesë e prapavijës së Brigadës vritet në fshatin Peshk. Fjalët dolën se mund të kishte qenë ndonjë reagim nga fisi Biçaku, që njihej si antikomunist, por nuk u vërtetua kurrë.
Ndërsa Brigada ishte në marshim, Shehu urdhëron të ndalin dhe në shenjë hakmarrje të pushkatoheshin 25 burra dhe të rinj. Kaq mjaftoi që dhjetëra partizanë të shkonin shtëpi më shtëpi që u dilte përpara dhe të rrëmbenin burra e djem. Të gjithë shprehnin habi, por urdhri ishte i prerë për këtë masakër.
Pjesë e Brigadës ishte edhe një banor i këtyre zonave, pikërisht Hysni Peshku, që kundërshtoi këtë urdhër, duke deklaruar se ata që u vunë pas murit për pushkatim janë baballarë e vëllezër të partizanëve dhe se nuk kanë asnjë lidhje me pjesën reaksionare.
Pikërisht pse kundërshtoi, Shehu dha urdhër që edhe Hysni Peshku të rreshtohej pas të tjerëve dhe të pushkatoheshin në vend. Qindra plumba u derdhën mbi ta, duke u vrarë 22 burra.
Numri që kishte kërkuar Mehmet Shehu për t’u pushkatuar kishte qenë 25 vetë, por një partizan ishte shprehur se tre të rinj i kishin vrarë rrugës, pasi kundërshtuan. Më poshtë, lista me 22 burra dhe djem që u vranë brenda një ditë me urdhër të Mehmet Shehut.

  1. Abaz Gurra
  2. Destan Sollaku
  3. Ali Gjoka
  4. Musa Balla
  5. Qerim Gjoka
  6. Liman Hasballa
  7. Sul Balla
  8. Sul Peshku
  9. Hasan Çela
  10. Muharrem Çela
  11. Fejzulla Grica
  12. Kamber Peshku
  13. Islam Çela
  14. Ibrahim Çela
  15. Qazim Koçi
  16. Hysen Peshku
  17. Isa Çela
  18. Hasan Sallaku
  19. Avdyl Grica
  20. Riza Grica
  21. Shaban Grica
  22. Rexhep Grica