Dëshmia e Skënder Thaçit për takimin e paharruar në Shkodër me Dom Nikollë Mazrekun në vitin 1993/”Çfarë më rrëfeu për njohjen me babën tim Imer Imeri i zhdukur nga UDB-ja”…. Si, pas burgut, ai me nënën e tij kishin mundur t’i gjenin eshtrat e të vëllait të tij të pushkatuar Frrokut…”
Nga Skënder Thaçi
Ishte fillim i vitit 1993, Shqipëria sapo kishte filluar të ndjejë erën e demokracisë, frika kishte filluar t’i lërë vend besimit të brishtë.
Lëvizjet brenda vendit ishin lehtësuar, kushëriri im nga Sakati Mani më takon dhe më thotë se kishte qenë në Shkodër. Takimi me njerëzit që kishin vuajtur nën diktaturë ishte gjëja e parë që dëshmonte ikjen e frikës mes nesh, ai kishte takuar dom Nikollë Mazrrekun, i cili i kishte rrëfyer se ka qenë mik me Imer Imerin. për dom Nikollën kisha dëgjuar nga familja.
Me një frymë u nisa për Shkodër, takova një nga punëtorët aty pranë katedrales dhe i kërkova që të më adresonte për tek dom Nikolla, fillimisht ai hezitoi por unë këmbëngula duke i thënë që:- Thuaji dom Nikollës se jam djali i Imer Imerit, kështu ai nuk do hezitonte të më takonte dhe ashtu ndodhi. Teksa shoh nga larg një burrë që na vështronte ngultazi nga koka tek këmbët, mua dhe mikun që më shoqëronte, dhe e pyeti punëtorin: – Se cili ishte djali i Imerit?!
Unë u nisa drejt tij. Ai briti duke më kërkuar që të ndalja hapin dhe më drejtohet me këto fjalë:- Qenke djalë i pashëm, por nuk i paske ngja Imerit. Ai ka qenë edhe dy pellëmbë më i madh se ti dhe belë ngushtë që ia mbërtheje me dy duart.”
Hapi krahët për të më dëshmuar se sa i madh ka qenë ai si fizik duke përshkruar një kreshnik bjeshkësh, pastaj më përqafoi me sa fuqi kishte dhe më futi brenda.
Ai më tha:-Fol. Donte të dinte gjithçka që i kishte kaluar rreth jetës së mikut të tij, Imerit. Marrëdhëniet me Imerin i kishte pas për herë të fundit kur u arrestuan me 11 maj 1946 të dy sëbashku dhe u dënuan me të njëjtën akt-akuzë. Imeri ishte dënuar me 7 vite burg ndërsa dom Nikolla me 5 vite. Rrugët e tyre u ndanë. Imeri u arratis pak më vonë nga Shqipëria në drejtim të Jugosllavisë ndërsa dom Nikolla provoi të gjithë kalvarin e vuajtjeve nëpër burgje e internime në kampe të ndryshme.
I tregova për likuidimin e babës dhe zhdukjen fizike të tij nga UDB-ja dhe për mos gjetjen ende të eshtrave të tij, ndonëse i kam kërkuar.
Ndërsa ai nuk hezitoi të më rrëfente diçka që nuk kishte guxuar ta thoshte përgjatë viteve të diktaturës.
– “Mbas lirimit nga burgu,(nuk përcaktohet koha) kthehem në shtëpi. Së bashku me nënën filluam kërkimet për të gjetur eshtrat e vëllait Rrokut”. Ai ishte pushkatuar me datë 25.12.1950 ditën e Krishtlindjeve në Kryezi të Pukës, me akuzë të rreme se gjoja kishte tentu me nxjerrun nga duart e sigurimit një të dënuar me vdekje (Fran Miraka)”.
Dom Nikolla vazhdon:-“Kërkimet tona rezultuan të suksesshme pas disa tentativash, një grua plakë na ndihmoi duke na orientuar se ku duhet kërkuar. Kërkimet në një perimetër të caktuar duke goditur me gur vendin kur kërkonin deri sa të kupton se gjurma akustike haste në diçka dhe jo në tokë boshe. Hapem varrin ku ishin eshtrat, na u duk sikur e pamë në këmbë të veta.
Por s’kishim çfarë të shihnim. Ca eshtra të shtrënguar me tela më gjëmba sikur donin të pengonin procesin e kalbjes. I morëm eshtrat, i liruam nga hekrat, i futëm në një thes për t’i marrë me vete dhe i rivarrosëm në oborrin e shtëpisë. Unë e nëna aq sa u çliruam nga ajo brengë për ta varrosur me dinjitet aq dhe ishim trishtuar për mënyrën sesi i gjetëm ato eshtra të prangosur.”
Dom Nikolla më kërkoi dhe mua të bëja të njëjtën gjë për babain tim Imerin. Por historia ime ndryshonte nga e Rrokut, Imeri ishte zhdukur nga UDB-ja në tokat e Malit të Zi por pa adresë dhe sikur unë të doja të hulumtoja do ndeshesha me përçmimet dhe urrejtjen e banorëve jomiqësor në atë zonë me përkatësi sllave.
Bisedat tona vazhduan përmallshëm në atë ditë deri në ndarjen mes nesh. Pak vite më vonë në gjirin familjar të së motrës Marije Mazrreku Gjoka, në shtëpinë e saj me datë 2 maj 1996 mbylli sytë përgjithmonë.
Dom Nikolla është ndër ma të vuajturit me 25 vjet burg dhe 12 vjet internim. Ishte i penës, autor i librave “Kangë për Gjergj Kastriotin”, “Me flamujt e Kastriotve”, dhe “Tek lisi i thamë”, ka dhe libra të tjerë me pseudonimin Nik Barcolla.
Pak biografi për Dom Nikollë Mazrekun
Lindi në Mazrek me 28 dhjetor të vitit 1912, ishte shkrimtar shqiptar, polemist e analist kritik… Mësimet e para i kreu në Kolegjin saverian, më 1924 Seminarist ku ka krye gjimnazin Liceun Klasik e filozofi. Në vitin 1932 dërgohet në Romë, në Propaganda Fide, për teologji. Më 10 Fruer 1939 shugurohet meshtar prej Kardinal F. Biondi.
Kthehet në Shqipni, (Shkodër), shërben në kurjen e ipeshkvnore të Sapës si kancelar. Në vitin 1939 caktohet sekretar i delegacionit Apostolik në Shkodër. Në vitin 1940 caktohet zv. famullitar në Tiranë, ku zhvillon një veprimtari të gjallë, në kishën e famullisë e në institutin Jezuit, si fillestar organizon nji rreth “Veprimi Katolik”, me të ri.
Në Tiranë boton një revistë për mbrojtjen e të drejtave të kombit, si reagim, kunder okupacionit italian. Si kundërvënie, në prill 1942 transformohet në dioqezin e Sapës, famullitar në Kryezi- Pukë. U arrestua në maj 1946 dhe u dënua me burgim sëbashku me Imer Imerin, Rexhep Zhulin, Qazim Bajramin.
Dënimin e kreu në Burgun e Madh të Shkodrës, si edhe ndër kampet e Bedenit e Maliqit. Mbas burgut të parë ai u dërgua ndër kampet e internimit në Kurvelesh, Tepelenë e Berat. Lirohet në 1956, shkon famullitar, Laç-Vau-Dejës. Në 1956 nga Vau-Dejësi e internojnë edhe 7 vjet të tjera, në Lushnjë. Lirohet në 1966. Në 1967 arrestohet, në fabrikën e tullave në Rrenc (Shkodër) ku ishte punëtor krahu! Dënohet 20 vjet burg në Skrofotinë të Vlonës, në Reps të Mirditës, në Burrel, në Ballsh, përsëri në Burrel e mandej në Zejmen të Lezhës, lirohet me 17 mars 1987./kujto.al
—————-