Si përpiqej Ramiz Alia, nga qelia e burgut të mbronte krimet e Shefqet Peçit

ramiz alia
Enver Hoxha edhe Ramiz Alia

(Fragment nga libri “Masakër në Buzëmadhe”, Bot. 3)

Nga Petrit Palushi

Çuditërisht, ditën kur në Buzëmadhe (22 shtator 1994), pas pesë dekadash nderoheshin publikisht për herë të parë viktimat tragjike të 26 shtatorit të 1944-s, në shtyp botohej një letër që ish-presidenti i fundit komunist, R. Alia, i dërgonte shkrimtarit dhe parlamentarit, D. Agolli, ku midis të tjerash, shkruante:

… Miku ynë i përbashkët Sh. Peçi, është vënë në shenjë nga ballistët, sepse me urdhër të tij, paskan pushkatuar disa bashkëpunëtorë të M. Bajraktarit. (Gazeta Dita-informacion, 22 shtator 1994, f. 6)

Por, n’atë letër, veprimi i Sh. Peçit i 26 shtatorit të 1944-s, pikërisht për masakrën që kreu, shihej ende si një “episod i pasqaruar”.

Fjalët e R. Alisë qenë tinëzare, jashtë çdo logjike, por megjithatë, nga qelia e burgut, ish-presidenti i fundit komunist gjente kohë dhe përpiqej gjithashtu të hidhte mbulojë mbi masakrën e Sh. Peçit të 26 shtatorit të 1944-s, të mbronte të pambrojtshmen, të hidhte përsëri anatemat mbi nacionalistin M. Bajraktari, të shpërndante përsëri mjegullnajë, sikurse qe vepruar gjatë regjimit komunist, por edhe më heret në vitet e luftës.
Sentenca e famshme “Askush s’është aq i pasur sa ta blejë të kaluarën e tij” (O. Wilde), më ngjan krejt e përshtatshme për historinë në Krue të Bardhë, histori e cila, me gjithë mbulesën e mjegullt, prej asaj mjegulle terr të zezë të hedhur vrulltas dhe rrëmujtas mbi të, tashmë vjen e ndriçuar imtisht, pa kurrfarë mungese.

ObserverKult


Lexo edhe:

INTERVISTË ME SHKRIMTARIN PETRIT PALUSHI (VIDEO)