Si reagoi Enver Hoxha kur lexoi tri herë letrën pasi ndërroi jetë Mehmet Shehu dhe pse nuk i plotësoi asnjë amanet

I ati i Mehmet Shehut, një sheh i njohur bektashi ia kishte parashikuar tri siklete që do të kalonte i biri. Siklete pa zarar, shëndetësore… Por nuk kishte arritur që të parashihte gjëmën që do t’i ndodhte mes 17 dhe 18 dhjetorit 1981.

Nga pozitat e një njeriu që kishte jetuar në Bllok, shumë pranë njerëzve më të rëndësishëm të regjimit komunist, por nuk i përkiste Bllokut, ish-mjeku personal i Enver Hoxhës, Isuf Kalo e sheh ngjarjen, atë të vetëvrasjes së Mehmet Shehut nga një tjetër perspektivë.

Sipas tij, kjo ishte mundësia e vetme për Mehmetin që të vdiste me nder dhe të mund të merrte me vete edhe nderet dhe ofiqet e tij. Në letrën-amanet që i kishte lënë Enver Hoxhës, kishte kërkuar që vetëvrasja e tij të mbulohej, që të mos i hiqej lavdia, të mos i prekej familja dhe të dënoheshin si armiq Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu.

Por, Enveri plotësoi asnjë nga amanetet. Ai i kërkoi Haxhi Kroit t’ia lexonte 3 herë letrën e tij dhe në fund kishte thënë: Sa i poshtër paska qenë! Të gjitha këto, Kalo i rrëfen në librin e tij “BLLOKU-Rrëfimi i mjekut personal të Enver Hoxhës”, botuar nga UET Press.

ISUF KALO

PARASHIKIMET E SHEH ISMAILIT

Sipas Bashkimit, djalit të vogël të Mehmetit, gjyshi Ismail, shehu bektashi i Çorushit, babai i Mehmetit, ishte i aftë të parashikonte të ardhmen. Ai, duke vërtitur në duar tespihet, pati parashikuar se tri herë gjatë jetës së të birit më të shquar të tij, Mehmetit, do t’i ndodhnin tre tersllëqe të rrezikshme, në moshat 40, 50 dhe 60 vjeç. Ato do t’ia kërcënonin atij keqas jetën, por si i mbrojturi i fatit që ai ishte, do i kalonte ato pa dëm.

Sheh Ismaili pati belbëzuar atëherë me vete disa lutje çudibërëse shpëtuese për të. Të tria aksidentet e rrezikshme Mehmet Shehut tashmë i kishin ndodhur me të vërtetë në ato mosha dhe i kishte kaluar për mrekulli: dy nga këto qenë probleme të papritura shëndetësore (njëherë i plasi apendiciti) dhe njëra plagosje në aksident automobilistik. Tani Mehmeti ishte 68 vjeç, por çuditërisht shehu plak nuk kishte parashikuar asnjë rrezik as ndonjë mrekulli shpëtimtare për moshën 70.

E parandjeu vallë që i biri atë moshë nuk do e arrinte dot? Përse rrezikun e tanishëm sheh Ismaili i Çorushit nuk e paskej pikasur dhe as fiksuar në fatin e të birit të tij për ta parandaluar, siç dinte, në mënyrë të mistershme, që ajo të mos ndodhte?

Po tani, kur orë pas ore, në atë natë të fundit fatale, kur e keqja pashmangësisht po afronte që të ndodhte, a do të zgjohej i llahtarisur nga gjumi shehu plak edhe njëherë që nga përtej varrit për të përzënë syrin a shpirtrat e këqij që po i vërtiteshin si korba të zinj rreth kokës së të birit? Për fat të keq, këtë herë ai nuk mundi.

Ndoshta sepse rreziku i kësaj atëherë nuk kishte lidhje me yjet as me zotat e shpirtrat në qiell, por me një zot në Tokë, me mosmarrëveshjet, keqkuptimet dhe me dobësitë inatçore njerëzore.

Ato, me sa duket, ishin të tilla që nuk kapeshin e nuk ndiheshin dot as nga kumtet e fshehta të magjisë. Vetëvrasja u bë e papengueshme, e paevitueshme. Vdekja para mbledhjes përfundimtare të nesërmen ishte alternativa e vetme që i mbetej Mehmetit. Të ikte nga kjo botë i fyer, i zhgënjyer, por i pacenuar nga gradat, postet, ofiqet, fama, meritat, krenaria e një gjeli me pupla kokorosh.

Ajo e prishte planin e Enverit, atë të eliminimit të ngadaltë me procedura, masa ligjore dënimesh, shkarkime, transferime të njëpasnjëshme në poste të ulëta poshtëruese, depersonalizuese dhe së fundmi, përjashtimin një ditë nga partia, burgosjen apo dhe pushkatimin e tij.

“U vetëvra, pasi e vranë”, pati thënë djali i tij i madh, Vladimiri. Dhe kishte të drejtë. Sepse vetëvrasje nuk ka, ka vetëm vrasje, pavarësisht me se ajo kryhet: me plumb, me helm, me litar, me fjalë apo me shpifje të qëllimshme apo ofendime vrastare.

Mehmetin e vetëvrau braktisja dhe dyshimi për tradhti nga ana e shokëve dhe humbja e besimit, e vlerësimit dhe e miqësisë së ngushtë ndaj tij nga Enveri. U vetëvra, sepse ia lënduan sedrën, por nuk ia shkulën dot, sepse ajo kishte rrënjë të thella brenda tij.

Mehmeti nuk e pësoi nga frika, as nga dobësia, as nga ndonjë dallgë emocionale e çastit, por më së shumti nga një keqkalkulim tragjik i shpresave që ai priste pas atij akti prej Enverit. Mehmeti zgjodhi të vetëvritej natën mes 17 dhe 18 dhjetorit, sepse edhe disa orë që kishin mbetur deri të nesërmen që zhvillohej mbledhja, ai ishte ende zyrtarisht me statusin e ofiqarit të lartë të shtetit, anëtar i saporizgjedhur i Byrosë Politike, Kryeministër në detyrë dhe me gjoksin plot dekorata, përfshi Hero i Popullit.

Ndërkohë, asnjë siguri nuk kishte se çfarë mund t’i ndodhte të nesërmen pas fjalës verdikt të Enverit. Mund që t’i humbte të gjitha ato në një çast të vetëm, madje ta pësonte si ish-kolegët e tij, viktima të tragjedive ku kishte kontribuuar me aq shumë zell edhe ai vetë. Nata mes 17 dhe 18 dhjetorit ishte e tij. Ishte shansi i tij i fundit. Ajo i mundësonte të largohej vetë, nga udhëheqja përpara sesa ta largonin.

Ta dënonte veten përpara se ta dënonin. Ta vriste veten në shtratin e shtëpisë, me duart e tij, përpara se ta vriste skuadra pushkatare me duart në pranga buzë ndonjë kanali. Të vdiste me dinjitet, si lider, si dikush dhe jo si askush dhe të varrosej si Kryeministër dhe anëtar Byroje në detyrë, si “shoku Mehmet” i padënuar, i papërjashtuar, dhe jo i shkarkuar, i përbuzur, pa asnjë nderim publik.

Në mbledhjen e nesërme, instinktivisht dhe nga përvoja e rasteve të ngjashme me fatin e ish-kolegëve të tjerë, të poshtëruar e të flakur tej, ai nuk e kishte sigurinë se nuk do të ndodhte e njëjta gjë edhe me të. Kurse atë natë, gjatë atyre orëve, askush nuk ia merrte dot postet, ofiqet, dekoratat, meritat, lavdinë dhe gjurmët që kishte lënë në histori. Ato ai i kishte më të shtrenjta sesa jetën.

Ishin kuintesenca e qenies dhe identitetit të tij. Mehmeti nuk i trembej aq vdekjes sesa humbjes së tyre pas vdekjes apo që në gjallje. Prej 40 vitesh ai ishte “adiktuar” me lavde dhe nderime. Thuhet se “nga të gjitha ato që humbin, më tepër na dhembin kur humbim, na i mohojnë ose na i marrin meritat”. Nëse i humbiste ato, jeta e tij do ta humbte kuptimin, shijen, krenarinë dhe as që i duhej më.

Prandaj, për të mos i humbur, për të mos i cenuar ato vlera të shtrenjta, vendosi që, në këmbim të ruajtjes së tyre, ta ofronte vetë paraprakisht vdekjen. A nuk kishte shkruar miku i tij francez, prof. Pol Miliez, një libër për mirëpërdorimin e jetës dhe të vdekjes? Jetën, me sa rezultoi, ai e pati keqpërdorur, përderisa të gjitha meritat dhe arritjet gjatë saj tani nuk po i vlerësoheshin më.

I mbetej veçse të mirëpërdorte vdekjen. Ta negocionte atë si në “klering” në një biznes të një lloji të padëgjuar: “Të jap jetën, më jep besën që nuk do m’i prekësh…” (Besën? Cilën besë?) Historiani i Stalinit, Eduart Radzinki, pati shkruar: “Një vdekje e suksesshme është për politikanët më e rëndësishme sesa një jetë e suksesshme”.

Pas fatalitetit në jetë, Mehmeti tentoi të vetëmbrohej me anë të vdekjes. Ishte negocimi i njëanshëm. Në letrën që i la Enverit në këmbim të jetës që po e jepte vullnetarisht, Mehmeti i kërkonte plotësimin e katër amaneteve: të maskohej vetëvrasja si aksident, t’i ruheshin meritat dhe gjurmët në histori, të mos i cenohej familja dhe të shpalleshin tradhtarë “Hrushovi Ramiz Ali dhe Berja Kadri Hazbi”.

Vetëvrasja e Mehmetit ishte e papritur për Enverin. Ajo e vuri atë në vështirësi. Si mund të justifikohej tani para publikut vendas dhe të huaj zhdukja dhe përmbysja e beftë, brenda pak orësh, e një titullari aq të lartë të jetës partiake dhe politike? I ndjeri, tashmë i vdekur, i kishte marrë ofiqet, dekoratat, famën dhe meritat me vete, të pacenuara. Ishte vonë tashmë t’ia hiqje, t’ia mohoje ato e ta shkarkoje nga postet e larta.

Mesa duket, Mehmeti besoi se rrethanat pas vetëvrasjes në mos do ta preknin dhe emociononin Enverin, do ta detyronin atë që ta maskonte aktin e dëshpëruar të tij dhe t’i plotësonte kërkesat në formë amaneti që i pati dërguar në letrën që la personalisht për të. Por edhe kjo shpresë, nëse ai e ka pasur vërtet, doli e gabuar. Ai duhej ta kishte ditur që pikërisht kërkesa të tilla i pati bërë Nikollai Buharini, njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë, intelektuali i shquar dhe mik i familjes së Stalinit, me një pusullë që nga burgu:

“Mos m’i fshihni meritat dhe mos e cenoni familjen pas ekzekutimit tim”. Stalini nuk respektoi asnjërën. Paradoksalisht, korrekt në negociata makabre të tilla u tregua Hitleri ndaj “tradhtisë” së Ervin Romelit, Fieldmarshallit më të shquar dhe më të talentuar nazist.

Romeli mbiquhej “Dhelpra e shkretëtirës” për fitoret brilante me tanket e tij në Afrikën Veriore. Në qershor 1944 ai u dyshua (apo ishte vërtet) si i përfshirë në një komplot për vrasjen e Hitlerit, i cili u zbulua dhe u likuidua përpara zbatimit. Meqë Romeli ishte Hero Kombëtar me famë të madhe, Hitleri nuk e quajti me vend ta arrestonte dhe ta dënonte në gjyq me pushkatim. Ai e përmbajti zemërimin dhe negocioi me të.

Dërgoi dy oficerë në shtëpinë e Romelit me një letër bashkë me një dozë të helmit “cianur” dhe i ofroi atij dy opsione: ose arrestim, diskriminim publik dhe pushkatim me gjyq për tradhti të lartë, ose vetëhelmim i tij i menjëhershëm me “cianur” dhe fshehje e vetëvrasjes, varrim zyrtar me të gjitha nderimet duke ia ruajtur gradat, famën, meritat dhe familjen. Romeli u mbyll në dhomë me gruan dhe djalin e tij dhe pranoi. E kreu versionin e dytë, atë të vetëhelmimit. Hitleri e mbajti fjalën. Ia maskoi vetëvrasjen. U tha se Romeli u vra gjatë udhëtimit me makinën e tij.

Ai u varros zyrtarisht me ceremoni madhështore, me të gjitha nderimet si Hero Kombëtar. Nuk iu prekën meritat, as familja, madje as ndihmësit e afërt të tij. Pas mbarimit të luftës, emri i Romelit iu vu bazës më të madhe ushtarake gjermane. Disa rrugë morën emrin e tij. Është ngritur një muze për të dhe një përmendore.

Mehmeti ndoshta e dinte dhe mund të jetë gënjyer nga kjo histori. E dinte dhe historinë e vetëvrasjes së detyruar të Serxhio Orxhonikidzes, ish-bashkëpunëtorit besnik dhe mikut afatgjatë personal të Stalinit. Edhe atij Stalini i dërgoi në shtëpi dy oficerë të KGB-së që u takuan vetëm për vetëm me të. Dy orë pasi ata ikën, Orxhonikidzja qëlloi veten me revolver. U vetëvra në dhomën e tij të gjumit.

Besoi vallë Mehmeti se do të ndodhte edhe me të si me Romelin, ose si me vetëvrasjen e Nako Spirut? Enveri asokohe lexonte me vështirësi duke përdorur një lente zmadhuese. Ai ia dha letrën e Mehmetit sekretarit personal të tij, Haxhi Kroit, që t’ia lexonte me zë të lartë. “Enveri dëgjonte shumë i përqendruar”, shkruan Haxhi Kroi.

“Në vend që të prekej siç pati imagjinuar Mehmeti nga ato që ishin shkruar, Enveri përkundrazi u inatos: ‘Sa i poshtër paska qenë, — tha, — kërkon që të na përçajë me shokët’”. Haxhi Kroi pohon në ditarin e tij se Enveri i kërkoi që t’ia lexonte atë letër edhe dy herë të tjera. Çfarë enigmash vallë, çfarë kodesh, kumte apo të pathëna të fshehura mes rreshtave priste të kapte a të zbulonte këmbëngultas a me intuitë ai tek ajo letër? Enveri nuk ia plotësoi asnjërin nga amanetet.

Ai nuk e fshehu aktin e vetëvrasjes së Mehmetit. Në nekrologjinë e viktimës, që u botua në shtyp, vetëvrasja u shpall, por u manipulua si e lidhur me shkaqe psikologjike të çastit (depresion), pa përmendur arsyet pararendëse që motivuan dhe sollën atë fund fatal. Ajo u shpjegua si akt i papritur “marrëzie”, një çrregullim mendor i Mehmetit. Jo si fundi i procesit të mirëplanifikuar për eliminimin e tij.

Nuk u shpall ditë zie dhe programet artistike e kulturore në vend vazhduan, si të mos kishte ndodhur gjë. Kryeministri që drejtoi qeverinë e Shqipërisë për 27 vite me radhë u varros pa autopsi, fillimisht në varrezat publike të Sharrës, në dalje të Tiranës, në një ditë me shi të pandërprerë brenda një grope gjysmë të mbushur me ujë.

Ai u përcoll vetëm nga gjashtë persona, kryesisht të familjes. Them fillimisht, sepse më pas, kufoma dhe eshtrat e tij u zhvendosën nga pushteti, u rivarrosën në fshehtësi disa herë deri sa u gjetën pranë shtratit të një lumi, dhjetë vite më pas, nga dy djemtë e mbetur gjallë të tij.

Procesi i eliminimit të Mehmetit, i nisur heshturazi që nga shtatori 1981, shpërtheu haptazi të nesërmen e vetëvrasjes, me shpalljen e tij të beftë prej Enverit poliagjent dhe tradhtar./panorama.com.al

—————-

Lexo edhe:

Rrëfimi i një nëne që e humbi djalin: Më tha se do të shkonte te dajtë…

ObserverKult