Publikohet për herë të parë dokumenti sekret i 12 korrikut të vitit 1982, i funksionarit të lartë të aparatit të Komitetit Qendror, Leko Mako. Ky është një dokument me kritika, akuza, spiunime e denoncime, që punonjësit e Radio-Televizionit, gjithashtu edhe komunistët e atij institucioni kanë bërë ndaj njëri-tjetrit dhe kuadrove drejtues…
Të gjitha akuzat se çfarë thuhet në raport për drejtuesit kryesorë, Çajup Rusmali, Marash Hajati, Agron Çobani, Shaqir Rexhvelaj, Liri Çeli, regjisorët, redaktorët e gazetarët, si Vera Grabocka, Ilir Keko, Leonard Gjata, Engjëll Ndocaj, Arjan Bakiri, Shpresa Musliu etj., e deri tek operatorët e grimerët e thjeshtë të atij institucioni…
Edhe pse kishin kaluar plot dhjetë vjet nga furtuna e madhe që përfshiu Radio Televizionin Shqiptar, pas Festivalit të XI-të të Këngës, ku mjaft prej kuadrove drejtues kryesorë, bashkë me disa kompozitorë, këngëtarë, regjisorë, redaktorë, gazetarë etj., u shkarkuan dhe u dërguan në prodhim, apo përfunduan burgjeve e internimeve në skajet më të largëta të vendit, akoma aty s’kishte qetësi…
Kontrollë pas kontrolle, inspektime, mbledhje pas mbledhjesh. Informacione, raporte pas raportesh, relacione, letra pas letrash me gjithçka ndodhte aty. Intriga, spiunime, thashetheme, sajesa, të vërteta, të pavërteta, gjysmë të vërteta etj., i dërgoheshin udhëheqjes së lartë të Komitetit Qendror të PPSH-së. Ky i fundit kishte në vartësi direkte atë institucion, nga më të rëndësishmit të atij regjimi.
Këtë gjë, veç të tjerash, e tregon më së miri edhe ky dokument arkivor i datës 12 korrik 1982. I cili, publikohet për herë të parë nga gazeta “Panorama”, ku në 6 faqe të daktilografuara, i deleguari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Leko Mako, u bën me dije shefave të tij në sektorin e edukimit, mbi gjithçka ka mbajtur shënim në bllok. Rreth atyre ç’ka parë, dëgjuar dhe konstatuar nga dy mbledhjet e organizatave bazë të Partisë të Radio Televizionit, ku ai ka asistuar.
Koha kur janë mbajtur këto mbledhje që përshkruhen në dokumentin e mëposhtëm, përkon me periudhën pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981. Atëherë kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumba pistolete. Dhe pas kësaj ngjarjeje, në të gjithë vendin zhvilloheshin mbledhje të shumta. Ku diskutohej e merrej në analizë letra që Komiteti Qendror i PPSH-së u kishte dërguar organizatave bazë të partisë. Tema ishte: “Tablo sinoptike, mbi veprimtarinë armiqësore të poliagjentit Mehmet Shehu”.
Në këtë kontekst, janë mbajtur edhe dy mbledhjet në Radio Televizionin Shqiptar. Komunistët e organizatave bazë të partisë të atij institucioni mjaft të rëndësishëm, kanë diskutuar në frymën e asaj letre të Komitetit Qendror. Duke akuzuar mjaft ashpër kolegë të tyre dhe deri te drejtuesit e Radio-Televizionit.
Në pamje të parë, ajo çka bie në sy nga sa shkruhet në atë informacion janë kritikat me akuzat ndaj disa emrave e personazheve nga më të njohurat e Radio-Televizionit Shqiptar. Si: Agron Çobani, Shaqir Rexhvelaj, Liri Çeli, Vera Grabocka, Ilir Keko, Leonard Gjata, Engjëll Ndocaj, Shpresa Musliu, Zhaneta Petushi etj., e deri tek operatorët e grimierët e thjeshtë të atij institucioni.
Duket qartë se etiketimi që bëhet “për paaftësi”, ndaj emrave të tillë si: Keko, Gjata, Ndocaj apo dhe Bakiri, ka qenë tendencioz. Kjo pasi për hir të së vërtetës, duhet thënë se ata ishin dhe janë ende edhe sot, nga më profesionistët e Radio-Televizionit Shqiptar.
Por akuzat më të rënda i janë bërë Agron Çobanit. Ai është një prej profesionistëve më të spikatur apo siç konsiderohej ndryshe: ikonë e Radio-Televizionit Shqiptar, në atë kohë dhe më pas. I cili akuzohet se ka ndërhyrë për të marrë në punë në RTSH. Se i kishte nxjerrë shkollën e lartë punonjëses Mirela Llakaj. Vajzës së Veli Llakajt, shefit të Shtatmadhorisë të asaj kohe dhe njëkohësisht zëvendës i parë i Kadri Hazbiut.
Dhe gjithashtu “lidhja e tyre”, vazhdonte më tej. Pasi dy-tre personave të tjerë nga familja Çobani (Astriti, Petriti etj.), ish-ushtarakë të lartë të diplomuar me rezultate të larta në Bashkimin Sovjetik, shërbenin ende në ushtri si oficerë madhorë. Si vartës të Kadri Hazbiut e Veli Llakajt…
Përveç kësaj, Agron Çobani akuzohet në atë raport edhe për favoret që u ka bërë dy punonjëseve të tjera të Radio-Televizionit (Teuta Meçaj e Siera Vaso). Ku njëra prej tyre ishte e motra e një drejtuesi të lartë të Sigurimit të Shtetit në Tiranë (vartës direkt i Feçorr Shehut), që mbulonte inteligjencën, pra dhe RadioTelevizionin.
Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, Agron Çobani ishte vëllai i gruas së Feçorr Shehut, ministrit të Brendshëm të asaj kohe, i cili vetëm dy-tre muaj më vonë, në tetorin e atij viti, u arrestua së bashku me Kadri Hazbiun, duke u akuzuar si pjesëtarë të grupit armiqësor të kryesuar nga Mehmet Shehu.
Ndërsa Veli Llakaj i shpëtoi ndëshkimit vetëm me degradim, Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehu, pas një viti hetuesie dhe torturash, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim. Dhe në këtë kontekst të zhvillimit logjik e real të ngjarjeve, duket qartazi se gjithçka ka qenë e parapërgatitur dhe e kopsitur hollë deri me detaje që më parë. Për të “gjetur lidhjet” e mundshme të Agron Çobanit me Kadri Hazbiun, Feçorr Shehun dhe Veli Llakajn… Këtë hipotezë e përforcon edhe më tej fakti që në raport, i deleguari i Komitetit Qendror, sugjeron: “…Të thirret Agron Çobani dhe të thotë se përse ka ndërhyrë për vajzën e Veli Llakajt etj…”.
Kështu, kritikat e akuzat që u bëheshin personave të përmendur në raport nuk ishin gjë tjetër veçse një skenar i mirëmenduar dhe përgatitur nga udhëheqja e lartë e asaj kohe, me në krye Enver Hoxhën, në kuadër të godi tjes dhe elim ini mit të Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut, Llambi Ziçishtit, Llambi Peçinit etj., që u pushkatuan si pjesëtarë të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i kryesuar nga Mehmet Shehu”.
(Dokumenti arkivor që po publikojmë më poshtë botohet integralisht siç është shkruar, pa asnjë ndryshim). INFORMACION I SEKTORIT TE EDUKIMIT NE KOMITETIN QENDROR TE PPSH PER KETE PROBLEM: FIGURA MORALE-POLITIKE E PUNONJESEVE TE RADIO-TELEVIZIONIT
Më datën 5 dhe 8 korrik 1982 mora pjesë në dy mbledhje të organizatave bazë të partisë të Radio Televizionit. Në atë të radios së brendshme dhe të televizionit. Aty u diskutua për problemet që ngrihen në letrën e Komitetit Qëndror të partisë drejtuar organizatave bazë të Partisë. Njëkohësisht u informova dhe për zhvillimin e mbledhjeve për këtë problem dhe në organizata të tjera të këtij institucioni.
Komunistët ishin njohur me përmbajtjen e letrës disa ditë më parë. Mbledhjet ishin përgatitur në përgjithësi mirë. Kish preokupacion nga komunistët, të cilët u solidarizuan me letrën dhe në diskutimet e tyre. Bënë përpjekje të kritikonin të metat e shfaqjet e huaja që vihen re në organizatat e tyre, në institucionin e radio-televizionit dhe jashtë tij.
Në tërësi në këtë mbledhje u theksua se në Radio-televizion ekziston një gjëndje morale dhe politike e shëndoshë. Ka luftë e përpjekje për zbatimin e detyrave që ka shtruar Partia dhe është formuar në një shkallë më të lartë uniteti i kolektivit dhe i vetë organizatave bazë të partisë. Komunistët dhe kuadrot në përgjithësi kanë luftuar për pastërtinë e figurës moralo-politike të tyre.
Por nga diskutimet që u bënë nga komunistë në këtë mbledhje dalin dhe këto probleme. Ka të meta dhe dobësi në punën që duhet bërë për të rritur rolin udhëheqës të organizatave bazë të Partisë. Të forcohet kritika dhe autokritika. Vumë re se brenda organizatës-bazë, komunistët zhvillojnë pak kritikë dhe autokritikë për njëri-tjetrin. Ka hezitime për të reflektuar ndaj të metave që vihen në dukje, ka justifikime.
U shtua detyra që komunistët të bëjnë më shumë përpjekje e të jenë në rolin pararojë, duhet të luftojnë më shumë, që të rrisin cilësinë në krijimtari dhe në përgatitjen e emisioneve. U tërhoq vëmëndja dhe u bënë kritika në organizatën bazë të Partisë se dhënia llogari e kuadrove para masës, nuk bëhet si dhe sa duhet. Në këtë drejtim mungon dhe shembulli personal i komunistëve. Nuk punohet mirë në marrjen e kuadrove në të gjithë sektorët e radiotelevizionit.
Shqetësimi i komunistëve ishte se në radiotelevizion vijnë mjaft kuadro me hatër, me ndërhyrje. Kjo ka bërë që të futen në këtë institucion shokë dhe shoqe të paaftë për detyrën që kryejnë, këta përbëjnë rreth 40 veta. Njëkohësisht vihet re, u tha në diskutimin e komunistëve, se ka shumë lidhje farefisnie: vëlla-vëlla, vëlla-motër, kushërinj, si dhe 27 çifte, këta përbëjnë 90 veta.
Ekziston tendenca për të sjellë dikush nipin a mbesën. Duke bërë presion, pasi i dinë vendet vakante: ekziston dhe tendenca tjetër tek ata që dalin në pension për të prurë në radio-televizion dikush vajzën dhe dikush djalin. Liri Çeli, përgjegjëse e redaksisë së programacionit, tha se na sjellin kuadro në sektor dhe nuk na marrin asnjë mendim. Puna e kuadrit është mbyllur në “kullën” e drejtorit.
U morën në punë tha ajo, Mirela Llakaj, e bija e Veli Llakaj, nuk u pyetëm. Mirela kishte dy muaj në punë dhe mori të drejtën nga Agron Çobani për vazhdimin e shkollës. Shumë të tjerëve nuk u jepet. Në organizatën e Partisë të Radios së brendshme u tha se kemi pasur ndërhyrje për vazhdimin e shkollës së lartë, për t’u dhënë të drejtë disa daktilografisteve etj., në një kohë që u është refuzuar kërkesa për t’u dhënë të drejtë studimi disa redaktorëve.
Në organizatën e Partisë të Televizionit u kritikua marrja në punë e Teuta Meçaj e Siera Vaso. Kjo ndodhi duke mos marrë më parë mendimin e përgjegjësve të sektorëve ku ato punojnë. Teuta Meçe, u tha, është motra e Latif Meçe, oficer në Drejtorinë e Punëve të Brendëshme të Tiranës, që mbulon Radio-Televizionin.
Teuta ka ardhur nga Vlora. Veprimin për marrje e saj në punë e ka bërë Agron Çobani. Në praktikën e punës së kuadrit vitet e fundit vihet re se nga ndërhyrjet e shumta merren kuadro nga rrethet e disa herë edhe nga rrethet e vogla, si Puka, Gramshi, që kanë nevojë për kuadro.
Gjatë tre vjetëve të fundit janë marrë nga rrethet 28 kuadro. Komunistët kritikuan këtë praktikë, duke vënë në dukje edhe emra kuadrosh që janë marrë si; Engjëll Ndocaj, Ilir Keko, Leonard Gjata etj, që nuk janë sa duhet të aftë. Ndërhyrje të shumta ka pasur për të sjellë në Radio-televizion Vilma Bletën, e shoqja e Maqo Bletës, e cila është laborante në Kombinatin e Autotraktorëve “Enver Hoxha” dhe ka ardhur arkiviste, këtë lëvizje disa komunistë që diskutuan nuk e quajtën të drejtë. Ndërhyrje ka pasur edhe për Arjan Bakirin, që ka mbaruar fizkulturë, punon sot në programacion, i paaftë etj…. 12 korrik 1982. Leko Mako/aktoret.com
_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _
Lexo edhe:
SI U IZOLUA FATOS LUBONJA PASI REFUZONTE TË PUNONTE…
ObserverKult