Si u bë franga shqiptare në vitet ’30-të monedha më e fuqishme e Evropës?!

Nga Kreshnik Kuçaj

Gjatë Depresionit të Madh që pasoi kolapsin e Wall Street, ndër të tjera, bota u prek edhe nga kolapsi i sistemit monetar ndërkombëtar.

Politika monetare e njohur si “Standardi i Arit”, parashikonte që paratë në qarkullim të korrespondonin me një sasi ari të caktuar.

Praktikisht, skema mundësonte përhapjen e parave letër për të rritur fuqinë blerëse duke krijuar instrumente krediti 3 herë më tepër sesa rezervat e arit të grumbulluara nëpër bankat që emetonin kartëmonedhat.

Kjo skemë në thelb synonte zhvillimin e ekonomisë përmes mobilizimit të forcave prodhuese të vendit.

Por, ajo që ndodhi pas kolapsit të Wall Street dhe gjatë Depresionit të Madh bëri që shumë vende të përballeshin më vështirësi të shumta ekonomike dhe qeveritë të mos mund të ndërhynin me politika monetare për shkak të rregullave strikte që parashikonte “Standardi i Arit”.

Praktikisht, kriza kishte prodhuar monedha shumë të forta dhe çmime shumë të ulëta të produkteve duke rrezikuar mbylljen e shumë sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë, sikurse ishte bujqësia.

Në këto kushte, hapin e parë e ndërmerr Britania e Madhe në vitin 1931 që vendos të mos zbatojë më sistemin monetar ndërkombëtar të arit, e ndjekur në vitin 1933 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo lëvizje në thelb u mundësoi qeverive që të ndërmerrnin politika monetare të zhvlerësimit të monedhave respektive, me qëllim që të ulnin barrën e kamatave të borxhit të brendshëm dhe të nxisnin eksportet duke stimuluar zhvillimin e ekonomive kombëtare.

Kjo praktikë u ndjek edhe nga vende të tjera. Praktikisht Stërlina dhe Dollari amerikan u zhvlerësuan përmes ndërhyrjeve qeveritare deri në 40 %, duke mundësuar që me të njëjtën sasi parash, të bliheshin aq produkte sa bliheshin para krizës.

Pra, vendet që më parë ishin pjesë e ‘Standardit të Arit’, u detyruan që të zhvlerësojnë monedhat e tyre kombëtare me qëllim që kartëmonedhat letër të kishin në treg të njëjtën vlerë që kishin pasur më parë.

Kjo lëvizje prodhoi më pak kamatë për borxhet e brendshme, zhvillim të eksporteve dhe fuqizim të ekonomive kombëtare.

Shumë studiues të ndryshëm mendojnë se vendet që dolën më shpejt nga ‘Standardi i Arit’ patën rikuperim më të shpejtë ekonomik në periudhën e Depresionit të Madh.

Çfarë ndodhi në Shqipëri? Franga shqiptare, monedha më e fortë e Evropës!

Janë pak të studiuara zhvillimet monetare që kanë ndodhur në Shqipërinë e viteve ’30, kur vendi përballej me pasojat e krizës globale ekonomike.

Megjithatë, një panoramë sado të vogël, e jep një analizë e Tajar Zavalanit e publikuar në revistën “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit.

Në analizën e titulluar “Sistemi ynë monetar” të publikuar në numrin e nëntorit 1936,  Zavalani bën një analizë se pse po zhvlerësoheshin monedhat e fuqishme të botës si dollari apo stërlina dhe ngre pyetjen: A duhet të zhvlerësohet edhe frangu shqiptar?

Në analizën e tij, Zavalani evidenton menjëherë se pas daljes së Francës nga Standardi i Arit dhe zhvlerësimit të frangës franceze, praktikisht vetëm Frangu Shqiptar ishte monedha e vetme në të gjithë Evropën që kishte vlerë të barabartë me arin.

“Stuhija e çvleftësimit të monedhave kaloi nga orizonti i kthjellët shqiptar pa shkaktuar tronditjen e pares sonë kombëtare.

Pas alarmit të ditëve të para, opinion publik u qetësua me deklaratat zyrtare se frangu shqiptar ishte i pamvarun dhe nuk do të pësonte fatin e monedhave që u çkëputën nga një pjesë e vleftës së tyre.

Kësisoj u krijua një rekord: Shqipëria, vendi ekonomikisht më i varfër i Evropës, mbeti i vetmi shtet me monedhë të plot-vlertë në bazë ari, domethënë me monedhën më të shtrenjtë”.

Është mirë a keq që paraja jonë vazhdon të ketë për bazë vleftën e arit?” e nis analizën e tij Zavalani, duke u ndaluar në disa elemente shpjegues para se të japë përfundimin e analizës së tij për këtë pyetje që ngre.

Zavalani evidentonte se Shqipëria kishte 10 vite që përdorte një monedhë kombëtare, pasi më herët nuk kishte një bankë për emetimin e saj.

Pas krijimit të Bankës Kombëtare, kartëmonedhat zëvëndësuan arin dhe shkëmbeheshin lirisht me ar. Vendi në atë kohë kishte një strukturë primitive ekonomike por të shëndoshë.

Kjo sepse rezervat e arit ishin shumë të mëdha në Shqipëri dhe vendi nuk kishte borxh publik. Disbalancën tregtare mes importeve dhe eksporteve e kompensonin dërgesat e emigrantëve.

Një nga efektet që u ndje në Shqipëri ishte se disa shqiptarë që kishin depozituar para në bankat e huaja, sidomos në Zvicër, ishin prekur nga zhvlerësimi i valutave të huaja.

Më tej, Zavalani shpjegon se arsyet që i detyruan vendet e tjera që të zhvlerësojnë monedhat e tyre, nuk kishin vlerë për Shqipërinë.

Në zhvlerësimin e monedhave, vendet e tjera morën për bazë dy faktorë; kamatat e borxheve dhe konkurrencën në tregtinë e jashtme mes vendeve eksportuese.  E sipas Zavalanit, këto dy arsye nuk ishin të vlefshme për Shqipërinë e për këtë jep dhe arsyet përkatëse.

“Në Shqipëri asnjëri nga këta dy faktorë nuk ësht’ aq’ i fortë sa të përligjë një çvleftësim të frangut t’ onë. Vërtet çështja e borxheve të brendshme kishte marrë një formë kritike edhe ndër neve.

Por me moratoriumin e borxheve të qytetit që u dekretua dhe me konvertimin e borxheve të katundit, që pritet me sot me nesër, kjo çështje humbet ashpërsinë e saj të dikurshme dhe hyn në një fazë rregullimi.

Sa për konkurencën në tregjet e jashtme ne nuk kemi një prodhim industrial që mund të rëndohet nga shtrenjtësia e monedhës. Të vetmet produkte që eksportojmë ne janë disa lëndë të para bujqësore dhe disa sende ushqimore.

Në prodhimin e tyre elemente si interes kapitali, amortizim, rrogë punëtorësh nuk lozin asnjë rol.

Çmimet e këtyre produkteve do të ndjekin pjacën ndërkombëtare dhe do të caktohen në bazë të një monedhe stabile, sikundër është dollari sot. Që tani u vërtetua se çmimet e lëkurëve të Shqipërisë në lireta të sotme kanë hipur në mënyrë që çmimi i tyre në frënga ari mbetet po ay që ishte para çvleftësimit.

Por duke pranuar se frangu shqiptar nuk ka nevojë të çvleftësohet kjo nuk domethënë se jemi të mendjes të vazhdonjë gjendja e sotme pa u marrë asnjë masë. Ne po rrojmë me dyer hapur.

Kemi një deficit të balancës tregëtare që u stabilizua rrotull 8 milioneve. Ky deficit nuk po plotësohet as me dërgesat e emigrantëve, as me eksportime të padukshme, as me ndonjë të ardhur tjetër.

Deri sot nuk kemi marrë nonjë masë serioze për të kufizuar importimet as për të kontrolluar daljen e të hollave jashtë kufirit.

Pra duhet një përpjekje heroike për të nxjerrë qerren e ekonomisë shqiptare nga lluca e krizës kronike ku është zhytur sot” shkruante ndër të tjera Zavalani.

Përtej asaj që shkruan Zavalani në analizën e vitit 1936, studiuesit e ekonomisë gjatë periudhës së regjimit komunist kan evidentuar se Shqipëria nuk ka përdorur një sistem klasik të standardit të arit dhe se duke qenë se Banka Kombëtare ishte në kontrollin e shtetit italian, në politikën monetare që ka aplikuar në Shqipëri ka pasur në fokus rritjen artificiale të fuqisë blerëse të frangut.

Kjo lëvizje monetare, sikurse shkruan studiuesi Aleko Haxhi te ‘Studime Historike’ të vitit 1964, kishte si qëllim “të nxisë dhe më tej procesin e dithesarizimit të arit”.

“Një nxitje e tillë u bë edhe më tepër e domosdoshme si pasojë e falimentimit të plotë të Bllokut të Arit në periudhën 1934-1936, në gë cilin bënte pjesë edhe Italia.

Rezervat e arit të Italisë në këtë periudhë pësuan një rënie të madhe prandaj ajo ndërmori aksione të reja që të kompensonte humbjet duke e zgjeruar politikën e grabitjeve koloniale.

Çështja e dithesarizimit të arit ka qenë në qendrën e vëmendjes së politikës monetare që ndoqi Banka Kombëtare. Pikërisht kjo politikë kushtëzoi edhe vetë nivelin e qarkullimit monetar gjatë gjithë periudhës 14 vjeçare të veprimtarisë së saj me regjimin e Zogut…

Nën dritën e fakteve të mësipërme, nuk është e vështirë që të arrihet në përfundimin se duke mbajtur në mënyrë artificiale në një nivel të lartë fuqinë blerëse të frangut nëpërmjet urisë së parasë, kjo ishte në dobi të atyre klasave të pasura që ishin bartësit e vërtetë të kapitaleve në para dhe që merreshin me tregtimin e tyre….

Ndonëse vendi ynë gjatë gjithë periudhës së sundimit zogist dhe në mënyrë të veçantë gjatë viteve 1929-1935 ndodhej në një krizë të thellë sociale dhe ekonomike dhe sistemi monetar po shkiste gjithmonë e më tepër në binarët e standardit të cunguar divizional të arit, fuqia blerëse e frangut në raport me paritetin e tij, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm, nuk pësoi ndonjë zhvlerësim dhe shkëmbehej me diviza të huaja pa asnjë kufizim.

Mbajtja e fuqisë blerëse të frangut në një nivel relativisht të lartë në një kohë kur lireta italiane dhe valutat e vendeve të tjera evropiane po zhvlerësohehin nga viti në vit, pati pasoja të rënda për vendin tonë.

Në rrethanat e krizës botërore të mbiprodhimit kur kurset zyrtare të valutave të huaja nuk i përgjigjeshin kursit real të frangut u krijua një gjendje e difavorshme për vendin tonë në emarrëdhëniet e tregtisë së jashtme” shkruante studiuesi Haxhi, ndërsa e konsideronte mosdaljen e Shqipërisë nga ‘Standardi i Arit’ si një kundër-operacion monetar./ pressonline.al

ObserverKult


derridën jorgo bllaci marie magdalenën

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA JORGO BLLACI: E DASHUR, NE ISHIM VALLË… APO ERRËSIRA DHE SHIU?

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Jorgo Bllaci:

Netës

Kaq e shtrenjtë kurrë s’më je dukur,
Ti vërtet nuk paske shëmbëllim.
Ah, moj Neta, sytë e tu të bukur
Çmendurisht i deshte miku im!

Nëse këtë çast i ngrysur mbeta,
Duke të vështruar ty kështu,
Ti mos m’u çudit aspak, moj Neta,-
Më kujtuan mikun sytë e tu.

Sa dëshirë do të kisha sonte
T’ju vështroja bashkë që të dy!
Vetëm ta dëgjoje të këndonte
Vargjet, që me zjarr t’i thurri ty!

Ndoshta sot, që vite pas la jeta,
Miku prapë në shpirt të mban diku…
Ish e bukur dhembja e tij, moj Neta,
Aq sa ç’janë edhe dy sytë e tu!

Mos m’u ngrys, moj e bukura ime…

Kur padashur humbas ndër kujtime,
Mos më shih me trishtim e mërzi,
Mos m’u ngrys, moj e bukura ime,-
Koha shkon e më s’kthen përsëri.

Po nga mjegull’ e kohës së ikur,
Ndodh që shpesh ndonjë zë na jehon
Mallëngjenjës, i largët, i mbytur,
Dhe padashur në shpirt na trishton.

Mike moj, që s’vure mend një herë…

Ti këdo mbi dhe do ta çuditje,
Mike moj, që s`vure mend një herë,
Kur më sheh me vajza në shetitje,
Pse sërishmi bëhesh pikë e vrerë ?

Foshnjë ishe, foshnjë, mike mbete,
Ndonëse për dike tani je grua
Ç`dreqin ke, ç`tu shkrep pas kaq vjetësh,
Që xheloze bëhesh prap për mua ?

Unë kurrë ty s`ta kam rrëfyer
Brengën, që në shpirt mezi përmbaj
Dashuria, dashuri e fyer,
Gur më bën e nuk më le të qaj.

Ja kështu, moj mike, qenka jeta,
Ndodh që nga një herë, për çudi,
Lodhet prej mësimeve të veta
Edhe bëhet foshnje porsi ti.

Ne s`e qeshim tekanjozen jetë,
Po kur ne gabojmë, ajo harron,
Ndonse marrëzira bën dhe vetë,
Rënde na tall e na ndëshkon.

Mike, që më bëre të trishtuar
Të të qesh, as që më shkon ndërmend
Është i gjerë shpirti i përvëluar
Ka një vend dhe për gabimin tënd!

Në zemrën time shteg të mbyllur s’ka…

S’i mbaj mëri për vitet e rinisë,
Që një nga një po m’ikin pa gëzim,
As jetës plot andrralla , as dashurisë,
Që u tall ashtu siç desh me fatin tim.

Askënd nuk e kujtoj për keq në botë, –
Në zemrën time shteg të mbyllur s’ka:
Mjafton një fjalë e çiltër, fjalë e ngrohtë,
Që të më bësh prapë mik e prapë vëlla.

E dashur, ne ishim vallë… apo errësira dhe shiu?

Mban mend?
Kësaj rruge dolëm
Natën e lamtumirës.
Fjalët qe nuk i folëm
Shiu ja tha errësirës.

S’di sonte këndej kalova
Kohët si lashë mënjanë,
Befas m’u duk se dëgjova
Dy zëra, si zërat tanë..

Njëri diç foli për mallin,
Tjetri sikur psherëtiu…
E dashur, ne ishim vallë
Apo errësira dhe shiu?

Eja kënga ime, s’kemi ç’rrimë

Eja kënga ime, s’kemi ç’rrimë
Mes kësaj rrëmuje pa kuptim,
Vrasësi ku hiqet për viktimë
Dhe viktimës i kërkon shpagim.

Ku të përdhunuarat gjykohen,
Me të rrugës ligj nga prostitutat,
Ku të marrë e t’urtë përgojohen
Dhe servilët, porsi minj nga skutat.

Dalin, rrahin gjokset dhe mburren
Se luftuan vrimash si heronjtë,
Kuajve të ngordhur tek u turren
Për t’iu hequr me tërbim patkonjtë.

Ku gjithkush klith e shfryn paprerë
Me një duf që, mëshirona, o Zot!
Eja, këngë e dashur! Kaq poterë,
Unë e ti nuk e durojmë dot,

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult