Shkëlqimi verbues i yjeve. Jeta përrallore, mes luksit, famës e aventurave nga më të pazakontat. Hollivudi (Hollywood) do t’i jepte botës, një tjetër shkëlqim ‘të rremë’, por të parezistueshëm, si për protagonistët edhe për njerëzit të cilët, gjetën kësisioj një ‘perëndi’ të re…
Do të kishte mbetur periferia e parëndësishme e Los Anxhelosit, nëse me kalimin e kohës, Hollivudi nuk do të ishte bërë kryeqyteti i industrisë së fuqishme të filmit e më vonë edhe televizionit.
Historia zë fill vetëm më 1886, kur në këtë humbëtirë të largët mbërrin agjenti i pasurive të patundshme nga Kansas, 54-vjeçari thellësisht fetar, Harvey Wilcox . Ai bleu një sipërfaqe prej gjashtëqind hektarësh dhe shumë shpejt, filloi të shpalosë vizionin e tij.
Do të krijonte një komunitet për të krishterët e përkushtuar, të cilët do të bënin një jetë morale pa mëkat dhe alkool.
Emri “Hollywood” u frymëzua nga gruaja e tij, Daieda Wilcox. Ky emër, kishte të bënte me bindjet e tyre dhe ishte frymëzuar nga emri i rezidencës verore të një miku të familjes në Çikago, transmeton ‘konica.al’.
Në vitet në vijim, Hollivudi filloi të ndryshonte drejtim, përkundër asaj që dëshironte Wilcox, pasi vizioni i tij provoi të ishte një tjetër utopi. Zona filloi të ndërtohej me një ritëm të shpejtë, për shkak të klimës së mirë, si edhe zhvillimit dhe zgjerimit të hekurudhës.
“Prospect Central Avenue” – tanimë “Hollywood Avenue” – është shndërruar në një rrugë prestigjioze, ku çdo njeri i pasur në Perëndim dëshiron një shtëpi.
Në vitin 1903, komuniteti bleu një person juridik, por për shkak të mungesës së ujit të pijshëm u detyrua në vitin 1910, të bëhej pjesë e qytetit të Los Anxhelos.
Në të njëjtën kohë, qyteti pësoi një transformim tjetër, kur një grup i vogël tregtarësh hebrenj në Bregun Lindor, të cilët, besuan fort në të ardhmen e kinemasë, gjetën kushtet e përsosura në Kaliforninë Jugore, për xhirimet e filmave të tyre.
Duke bashkuar klimën e butë, rrezet e diellit dhe hapësirat pa fund, periferia e qetë me pemët e portokajve në Los Anxhelos, u mbush shpejt me ndërtesa, pasi filmat xhiroheshin vetëm në dritën e diellit.
Brenda disa vitesh ata ishin në gjendje ta kthejnë këtë eksperiment të rrezikshëm në një biznes fitimprurës dhe ta bëjnë Hollywood-in kryeqytetin e industrisë së ëndrrave me famë botërore. Nevojat e kësaj industrie të re sollën ndryshime të shpejta në komunitet, duke shkaktuar konflikte midis banorëve të vjetër dhe atyre të rinj.
Zonat rurale në veri të bulevardit kryesor u shndërruan në parcela, ku u ndërtuan shtëpi për të strehuar punëtorët. Qendrat tregtare, restorantet, kinematë, klubet dhe bankat filluan të mbinin si kërpudhat pas shiut, në vitet 1920-1930.
Për gati tri dekada, nga kinemaja pa zë në filmat që flasin, të famshëm si: David Griffith, Samuel Goldwyn, Adolf Zukor, William Fox, Louis Mager, Jesse Laski, Daryl Zanoukot, F., Metro-Goldwyn-Mayer, Paramount Pictures, Columbia, Warner Brothers, etj.) kanë luajtur një rol kryesor në evolucionin e kinemasë.
Protagonistët e filmave, tani emra legjendarë në të gjithë botën, jetuan dhe punuan në qyetetin e pasurisë dhe shkëlqimit, ndërsa sjellja e tyre shpesh skandalizonte opinionin publik, transmeton “konica.al”.
Amerika konservatore e konsideroi Hollivudin, sinonimin e mëkatit dhe “Babilonisë së Re”. Pas Luftës së Dytë Botërore, gradualisht filloi edhe zbehja e shkëlqimit hollivudian.
Me përhapjen e televizionit në vitet 1960, studiot kryesore të filmit u larguan nga zona dhe Hollivudi u bë qendra e industrisë së televizionit amerikan. Shumica e yjeve të ekranit të madh, u zhvendosën në “Beverly Hills”.