“Toka më është dukur jashtëzakonisht e qelbur në ajër… Kur fluturoja lart dhe e shikoja prej andej, më krijohej ndjesia se nuk doja të zbrisja më… Ka qenë një emocion i fortë, një impakt gati shokues. Po të më lije në ajër, mund të qëndroja aty…”.
Xhevdet Ferri, në një bisedë me Ad Krastën, i përshkruante kështu emocionet e përjetuara në moshën 20-vjeçare në filmin “Gjurmë në kaltërsi”, të regjisorit Saimir Kumbaro.
Ndonëse asokohe, aktori i ndarë nga jeta muaj më parë, kishte tërhequr vëmendjen e Kumbaros, me portretin, fizikun dhe sjelljen që kishte me kameran, duket e bërë të ishte i përzgjedhuri për rolin e pilotit të ri, pa qenë nevoja të kalonte kinoprova, duket se impakti i parë i Xhodës pas leximit të skenarit të Llazar Çuçit, s’ka qenë si pritej.
Fillimisht e ka refuzuar, derisa do të thërritej në zyrat e larta, të cilat pavarësisht justifikimit se po linte studimet pas dore, do t’ia impononin rolin si “detyrë partie”. Një detyrë, që sipas rrëfimit të aktorit, do të ishte një nga eksperiencat më të bukura filmike që ai do të përjetonte në rininë e tij.
“Kur u ktheva në shkollë pas 3 muajsh, kisha përjetuar një eksperiencë fenomenale, në një komunitet të papërsëritshëm, siç ishin pilotët”, do të tregonte ai, duke përshkruar me detaje emocionet e fluturimeve me avionin luftarak MIG.
“Në një kohë që ne s’kishim hipur ende në ‘airbus’, kjo ka qenë padyshim një ngjarje e jashtëzakonshme”. Vështirësitë teknike, siç tregon regjisori Saimir Kumbaro për “Panorama”, nuk kanë munguar, por Xhevdet Ferri duket se i ka përballuar më së miri, duke shijuar në maksimum luksin e fluturimeve.
“Kishte ngarkesë psikologjike natyrisht, e shoqëruar dhe nga ajo fizike. Kishte vështirësi për të ngritur dorën kur avioni hynte nëpër figura, koka shkonte nga një cep i kupolës së xhamit në tjetrën, por kur zbrisja, isha i mërzitur që fluturimi zgjati aq pak”, do të rrëfente aktori.
“Gjurmë në kaltërsi” përpos vështirësive teknike, është një nga filmat më të shtrenjtë të komunizmit e sipas Kumbaros, zemërgjerësia e qeverisë asokohe, erdhi edhe për shkak se ky do të ishte një prodhim që deri diku i shërbente edhe propagandës.
“Jo më kot, struktura si Komiteti Qendror, Ushtria etj., do të qenë vigjilente për detajet, aq sa do të detyronin Kumbaron të hiqte disa nga planet brenda në avion.
E pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, “Gjurmë në kaltërsi” duke pasur parasysh kontestin e një vendi të vogël si Shqipëria, shpesh krahasohet me “Top gun”, ku si protagonist është Tom Cruise.
“Të jem i sinqertë edhe mua vetë më ndodh teksa shikoj ato pamje të mendoj: Vërtetë unë i kam bërë?”, tregon Kumbaro, 36 vite pas realizimit të filmit.
– Zoti Kumbaro, duke u përpjekur të kujtojmë aktorin Xhevdet Ferri të ndarë nga jeta, ndalemi në një nga filmat tuaj ku ai ishte në rolin e protagonistit. “Gjurmë në Kaltërsi”, i xhiruar në fillimvitet ’80 ishte një prodhim risi për kinematografinë shqiptare, në shumë aspekte. Si u njohët me aktorin Xhevdet Ferri dhe pse zgjodhët atë për rolin kryesor të pilotit të ri?
– Xhevdet Ferri kishte rënë në sy, që gjatë fillimeve të tij në Durrës, për paraqitjen si një djalë i pashëm e fotozhenik, që tek e fundit është një nga kushtet themelore që ekrani kërkon. Filmi dhe ekrani në përgjithësi, veçanërisht për aktorët që janë në role heroike, e duan pamjen e bukur. Përpos kësaj, Xhoda ishte i prerë për të qenë hero, pavarësish se ai luante në mënyrë të shkëlqyer edhe karaktere, siç është për shembull roli i Asllanit, në filmin e tij të fundit “Delegacioni”, ku ai së bashku me Ndriçim Xhepën dhe Viktor Zhustin formuan një treshe të mrekullueshme aktorësh.
S’mund të ndodhë ndryshe, kur është regjisori që zgjedh aktorët dhe jo e anasjella. Kështu ndodhi dhe në rastin e “Gjurmë në kaltërsi”. Unë e kisha parë Xhodën, kur pas teatrit u angazhua në kinema me regjisorë si Dhimitër Anagnosti dhe e kisha kuptuar se ai ishte më tepër aktor kinemaje. Ndodh shpesh të ngatërrohet interpretimi teatror me atë kinematografik.
Nëse në teatër dominon dëgjimi e më pas vjen pamja, në film ndodh e kundërta. Dhe në këtë aspekt, interpretimi i tij para kamerës ishte tepër i kujdesshëm, vinte natyrshëm. Pra, gjatë xhirimeve, kamera mund të afrohej për plane të afërta, plane me kokë, plane detaj, të mesme e të përgjithshme dhe rezultatet me të do të qenë shumë të mira. Përpos këtyre, Xhoda kishte aftësi interpretuese, që më bënë mua si regjisor t’ia besoja rolin, pa qenë nevoja për të bërë kinoprova.
– Xhevdet Ferri asokohe ka qenë ende student, si e priti rolin? Qetë ju që ia propozuat personalisht?
– Ne, asokohe, merrnim aktorë nga shkolla, ende studentë, por edhe jo profesionistë, nga jeta apo klasa punëtore. Ndryshe nga ç’ndodh sot, kur dikush i paraqet regjisorit kandidaturat për role të ndryshme, në atë sistem ishim vetë ne që bënim kasting.
Për shembull, unë për filmin “Koncert në vitin 1936”, kam ‘testuar’ mbi dhjetë aktorë për rolin e Donikës apo të Tefta Tashkos, derisa të gjendej aktorja më e përshtatshme. Ndonjëherë ndodhte të vinte dhe një komision në Kinostudio, që bënte sugjerime, pasi siç thonë: Shumë mendje bëjnë një mendje më të mirë. Mirëpo me Xhodën ndodhi ndryshe, siç thashë, unë e dija se ishte ai aktori që më duhej.
– Si u përshtat ai me këtë rol, a pati vështirësi?
– Xhoda u gjend mirë me rolin e pilotit. Astriti ishte një djalë i urtë, i përkushtuar, por që nuk përmbushte të gjitha pikat për të qenë një pilot shumë i mirë, dhe këtu, sipas skenarit të Llazar Çuçit, krijohet një përplasje me komandantin, të interpretuar në mënyrë të përsosur nga aktori Reshat Arbana. Loja autoriale e Xhevdetit reflektonte shumë mirë karakterin e personazhit, Astriti qe një djalë i ndrojtur që ka luhatjet e veta, dilemat dhe hera herës bie në pesimizëm. Mirëpo dashuria për profesionin dhe ndihma e miqve bën që në fund ai ta ulë avionin.
– Jemi duke folur për vitin ’81, si ishte për një djalë të ri, që sapo kishte luajtur rolet e para në kinema, të provonte një eksperiencë të tillë, që tek e fundit duhet të ketë pasur edhe ngarkesa për sa i përket anës teknike, pasi duhet të fluturonte me avion luftarak? A ka pasur një moment që do ta veçonit, për sa i përket vështirësive?
– Ajo që mund të them sot, është se Xhoda ia doli. Ai u bë njësh me avionin. Nuk ishte e lehtë, sepse flasim për një avion MIG, një avion dyvendësh që mban qindra, litra karburant. Momenti më i vështirë është kur unë i kërkova komandantit të aviacionit Harilla Rebit, që të avioni të shkëputej, të ulej… në mënyrë që të krijonte idenë e valëzimit në ajër me ulje-ngritje.
“Shiko, – më tha, – avioni nuk është top… Ne do të veprojmë ndryshe. Unë do t’i lë dy barqet (dy rezervuarët që kanë pamjen e bombave) bosh, pa i mbushur me karburant. Dhe në momentin që do të ulem, do t’i lëshoj rezervuarët dhe do të vazhdoj…”. Ishte e qartë se edhe ky propozim mbarte një rrezik të madh, sepse nëse goma e avionit, gjatë uljes në tokë, binte mbi bark, do të ndodhte një katastrofë. Do të kishte të njëjtin efekt, sikundër makina që ecën në asfalt, shkel gurin, dhe përmbyset.
– Cili qe përfundimi, a pati pasoja?
Pasi barqet (rezervuarët) u lëshuan, njëri prej tyre mori majtas dhe u end nëpër fushë, ndërsa tjetri për fat u kap tek “antena” e krahut. Them për fat tonin, edhe kryesisht timin, sepse nëse shkelej nga goma, avioni mund të përmbysej dhe do të ishte katastrofë. Kuptohej që përgjegjësia kryesore do të më binte mua. Fati e desh që barku të kapej në krah, dhe po kështu është edhe në film.
Xhevdet Ferri, në daljet e pakta mediatike, është shprehur me shumë entuziazëm për këtë eksperiencë filmike, veçanërisht për emocionet e fluturimeve, që për një të ri të atij sistemi, nuk mund të ishte veçse një ndodhi e jashtëzakonshme… Fluturimet për fatin tonë kanë qenë të shumta, të panumërta. Kuptohet që gjithnjë bëheshin dyshe, aktori shoqërohej me pilotin, por dukej se Xhoda po e shijonte të gjithë atë eksperiencë.
– Këto fluturime të shumta, filmi në tërësi, duhet të kenë pasur edhe shpenzime të konsiderueshme. A patët probleme, për sa i përket aspektit financiar?
– Ka qenë një nga filmat më të kushtueshëm, aq sa mund të them se sot vështirë se e përsërit dot dikush tjetër. Nëse unë nuk kam pasur vështirësi të mëdha, është falë “konsulentit” fantastik, që pata në atë film.
Bardhyl Taçi (ish-komandanti i Aviacionit Luftarak Shqiptar) më ka krijuar shumë lehtësira. Ai bëri një kombinim të tillë, ku orët e stërvitjes i përfshiu në llogari të filmit, përndryshe filmi do të kishte qenë i papërballueshëm. Bëhet fjalë për qindra fluturime, një sasi e madhe karburanti që ikte. Mirëpo kjo lloj tolerance, shpjegohet me faktin se ai film i shërbente edhe propagandës së asaj kohe. Jo më kot qeveria e pa të arsyeshme ta aprovojë e të thotë: E lejoj këtë lloj shpenzimi.
– Një film që i shërbente propagandës, besoj është vëzhguar nga sistemi, ka pasur ndërhyrje, si për shembull skena apo plane që nuk janë aprovuar apo ndryshuar?
– Ka ndodhur edhe kjo. Kujtoj se në një moment ka ardhur Veli Llakaj (Zyrtar i lartë në sistemin komunist, në fillimvitet ’80, një nga 5 anëtarët e Këshillit të mbrojtjes dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSh-së) dhe ka vënë re pamjet me imazhet e deformuara, nga presioni gjatë fluturimit, lëvizjet e nofullës dhe i kritikon.
“Hiqi more këto, – më thotë, – se po i panë këto pamje, se si deformohet njeriu, nuk na vjen më asnjë djalë që të bëhet pilot”. Unë nuk doja t’i hiqja, por të kundërshtoje, s’qe e lehtë, veçanërisht sepse për këtë çështje u angazhua Komiteti i Partisë, vetë Ushtria etj., ku të gjithë u bënë kritizerë. Nuk më mbetej tjetër veçse t’i hiqja pamjet.
– Zoti Kumbaro, ne cekëm disa vështirësi teknike, jo të zakonta për filmin shqiptar në vitet ’80. Për sa i përket atyre profesionale, Xhevdet Ferri ishte në rolin e tij të tretë, sa e ka ndihmuar ajo që nënvizon regjisori Vladimir Prifti: bashkëpunimi në moshë të re me aktorë profesionistë, siç ishte në këtë film Reshat Arbana. Si ishte qasja e tij në këtë aspekt?
– Gjatë realizimit të filmave, unë kam pasur si parim që të krijoj një atmosferë sa më të mirë dhe fatmirësisht nuk jam hasur në konflikte apo qejfmbetje. Edhe në këtë rast, ka qenë po kështu, ekipi i xhirimit funksiononte si një familje. Kishte frymë miqësore dhe kjo energji pozitive transmetohej edhe në film. Pavarësisht të gjitha këtyre, vështirësive dhe realizimit teknik, lojës së mirë interpretative, më duhet të them se kam rezervat e mia këtë film, pasi ishte disi skematik.
– Si sillej Xhevdeti asokohe në sheshxhirim, bënte pjesë në aktorët “tekanjoz”, apo ishte i disiplinuar?
Xhevdeti ishte shumë korrekt dhe i disiplinuar. Ndihmonte në harmoninë e përgjithshme, frymën pozitive, i krijonte regjisorit shumë lehtësi. Unë kam pasur raste me aktorë që ta bënin punën shumë të vështirë, saqë mendoje edhe zëvendësimin e tyre.
Por Xhoda e kishte kuptuar thelbin e kinematografisë, faktin se ky është një art që kërkon frymë kolektive. Nëse gjatë realizimit të filmit, një komponent nuk funksionon mirë, atëherë as në tërësi filmi nuk shkon siç duhet. Mirëpo duhet thënë se në përgjithësi në Kinostudio, jo vetëm me filmat e mi, ka pasur një klimë miqësore, pa probleme.
– E kanë krahasuar me “Top Gun”, një film i realizuar nga Tony Scott 5 vite pas tuajit… Gjithmonë duke folur për mundësitë që ofronte një vend i vogël komunist si Shqipëria, si ndiheni për këtë?
– Ma kanë përmendur këtë krahasim, me “Top gun”, duke hequr edhe një paralele me Xhodën dhe Cruise. Më kanë shtruar shpesh edhe pyetjen, se si mundëm t’i realizojmë ato xhirime. Dhe të jem i sinqertë, edhe mua vetë më ndodh teksa shikoj ato pamje të mendoj: Vërtetë unë i kam bërë?!/panorama
————————–
Lexo edhe:
LETRA EMOCIONALE QË E SHKROI ASTRIT ÇERMA PËR HUMBJEN E XHEVDET FERRIT
ObserverKult