Nga Piro Nuredini
“Unë, Operativi i Sigurimit i Burgut të Burrelit (Piro Nuredini), që bashkëjetova me ‘armiqtë e popullit”! Megjithatë, do të mundohem që edhe këtë deklaratë; “ta respektoj” në thelbin e saj. Them në thelbin e saj, se format që ka përdorur Sigurimi i Shtetit, si: rrjeti sekret, teknika operative, survejimi, kontrolli postar e të tjera, tashmë kanë dalë në pazar.
Në tregimet e mia, do mundohem të jem i saktë. Për të qenë sa më i vërtetë, jam i detyruar të përmend, edhe emra konkretë, por asnjëherë ata që duhet të mbeten sekret. Këto kam vendosur t’i marr me vete në varr.
Me mbarimin e Shkollës së Ministrisë së Brendshme, fillova punë me përfytyrimin që na kishin krijuar për “armiqtë e klasës e të atdheut”.
Këtë imazh, në praktikë nuk e ndesha ashtu siç na ishte predikuar dhe gradualisht në ndërgjegjen time, filloi të zbehej.
Një ndikim të fuqishëm, në ndryshimin e konceptit të krijuar tek unë për armikun e klasës, ka luajtur “bashkëjetesa”, me të dënuarit e burgut të Burrelit, për shumë vite me radhë.
Oficer Sigurimi, në burgun e Burrelit
Në Burrel mbërrita në 24 tetor 1978. Atë ditë jepte konkluzionet një ekip i Ministrisë, që kishte qenë aty për ndihmë e kontroll. Ishte dhe zëvendësministri, Feçor Shehu.
Pas mbledhjes, ky më thirri në zyrën e kryetarit të Degës dhe më komunikoi emërimin, si; Punëtor Operativ në burgun e Burrelit.
Më porositi të bëja kujdes, mbasi aty; “vuajnë dënimin elementë antiparti, armiqtë më të egër të partisë e të atdheut”. Megjithëse isha transferuar nga Gjirokastra, për “zbutje të luftës së klasave”, ideologjia e kohës, kishte formuar bindjen edhe tek unë, se kjo kategori njerëzish, ishin vërtet të rrezikshëm.
I dënuari i parë që ndesha në burgun e Burrelit, ishte Koço Tashko. Po hyja për herë të parë në ambientet e burgut, kur u përballa me të.
Atij i kishte ardhur në takim i biri, Fredi Tashko. Koço, i kishte kaluar të 80-at dhe mezi mbahej në këmbë.
Kontakti i parë me të, bëri që diçka të “kërcasë” në formimin tim. Mosha dhe gjendja e mjeruar fizike e Koços, bën të më lindte pyetja: “Ky është armiku i rrezikshëm”?! Gjithçka që përjetova ditën e parë, por edhe çka pashë më vonë, patën një ndikim të ndjeshëm në formimin tim.
Rrethanat formuan një mendim tjetër tek unë, për shumë nga të dënuarit e Burrelit.
Pas disa kohësh, Koçua përfundoi dënimin dhe e internuan në fshatin Adriatik të Krujës, megjithëse, në një gjendje të rënduar fizike. Sipas logjikës, e kisha të pamundur ta kuptoja! Në burg gjeta edhe të dënuarit: Xhavit Qesja, Maqo Çomo, Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Vaskë Gjino, Lipe Nashi, Kiço Ngjela, Gjin Marku e, shumë të tjerë.
Përveçse e kisha detyrë studimin e dosjeve të tyre, më shtynte kurioziteti, të njihesha deri në hollësi, me aktivitetin për të cilin ishin dënuar.
Në shumicën e dosjeve, e kisha të vështirë të gjeja elementët e domosdoshëm, të veprës penale, për të cilën ata ishin akuzuar. Megjithatë, nuk gjeja kurajo të flisja për këtë dukuri.
Qysh ditët e para, më bëri përshtypje të veçantë, karakteri i fortë i të dënuarve; Xhavit Qesja, Maqo Çomo, Bardhyl Belishova, Kurt Kola, Daut Gumeni, Spartak Ngjela, etj. Është e pabesueshme që ky i fundit, vuante dënimin në të njëjtin burg me të atin, Kiço Ngjelën, po nuk lejoheshin të takoheshin.
Ndërsa në vitin 1984, në burgun e Burrelit, sollën të dënuarit e rinj që u goditën pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, Muhamet Prodanin, Mihallaq Ziçishtin, Abaz Fejzon, Halim Ramohiton, Arif Haskon, Rahman Parllakun, Nesti Nasen, Duro Shehun, Ali Çenon, Xhavit Ismailagën dhe dy djemtë e Mehmetit, Skënder e Bashkim Shehun.
Shumë nga këta, kishin pohuar në hetuesi hollësi për grupin e Mehmet Shehut. Kur i lexova ato, mendova se vërtet kishim të bënim me armiq realë të partisë e të pushtetit.
Po gjatë punës për zbulimin më në thellësi të shtrirjes së kësaj veprimtarie, nuk i gjeta shumë nga faktet që ndodheshin nëpër dosje. Në një rast, kërkova nga Ali Çeno, të më fliste më në hollësi për ato çka kishte deponuar në hetuesi.
Ai u përlot dhe më tha: “Mos i beso ato! Sepse në kushtet ku jam ndodhur, u detyrova të pranoj gjëra që nuk janë të vërteta”! Kështu, më ndodhi edhe me Mihallaq Ziçishtin, i cili, i njihte format e punës së Sigurimit, pasi kishte qenë për vite të tëra, zëvendësministër i Punëve të Brendshme…!
Kur vdiq Enveri
Ishin momentet kur sa ishte njoftuar vdekja e Enverit. Të gjitha dhomat e të dënuarve antiparti, ishin pajisur me mjetet e teknikës operative (përgjimit) dhe unë nga zyra në burg, e kisha për detyrë, të ndiqja reagimet e tyre, në rastin konkret për vdekjen e Enverit.
Disa prej tyre, e përjetuan me dhimbje dhe këtë e shprehën në forma të ndryshme.
Edhe pse ishin duke vuajtur dënimet prej disa vitesh, shumica e tyre, për Enverin dhanë konsiderata pozitive. “Tani Shqipërinë do ta marrë lumi”, reagoi njëri.
“Tani shpëtoi populli shqiptar”! ju kundërpërgjigj Abaz Fejzo, duke ngritur tonin e zërit. Të gjitha këto, por edhe shumë të tjera, bënë që tek unë të ndryshonte mendimi për të dënuarit në përgjithësi, e në veçanti, për të dënuarit antiparti. Një pjesë e mirë e tyre, për mua tashmë ishin armiq imagjinarë.
Mjaft nga të dënuarit e tjerë, nuk ishin ata që kisha përfytyruar më parë. Puna në burg ishte edhe një fat për mua. Aty gjeta realisht të vërtetën.
Më qëlloi të isha pjesë e grupit të punës, për aplikimin e dy amnistive në burgun e Burrelit, ato të vitit 1982 dhe 1986. Në të dyja rastet, faleshin të dënuarit ordinerë, që kishin bërë gjysmën e dënimit.
Ata që ishin dënuar për agjitacion e propaganda, apo tendencë arratisje, faleshin po të ishin në vitin e fundit të vuajtjes së dënimit.
Të dënuar ordinerë, kryesisht ishin ata që ishin ndëshkuar për vjedhje, grabitje, vrasje, etj. Pikërisht këta, përfitonin para atyre që ishin të dënuar politikë.
Kjo ishte logjika e atij sistemi. Atyre nuk kisha çfarë t’u thosha, kur më kërkonin t’ua arsyetoja një qëndrim të tillë.
Ridënimi i Kosta Filit
Në burgun e Burrelit, vuante dënimin Kosta Fili. Ai, në vitin 1953, ishte arratisur në Greqi, nga fshati i tij, Mursi.
I vendosur në qytetin e Igumenicës, ku u martua e krijoi familje, pas disa vitesh, bëri disa përpjekje për të hyrë ilegalisht në Shqipëri, për të marrë me vete nënën, por nuk mundi ta realizonte.
Por në një përpjekje të radhës në vitin 1957, ra në grackën e Sigurimit dhe u kap.
Pak më vonë, u arrestua si agjent i Zbulimit Grek dhe ndërlidhësi i grupit të Teme Sejkos. U dënua me 25 vjet heqje lirie.
Ndërkaq në vitin 1979, dënimi i tij përfundonte. Dy-tre muaj para se të vinte dita e lirimit, Kosta Fili, i dërgoi një letër kryeministrit.
I tregonte pse ishte arrestuar dhe po mbaronte dënimin.Në përfundim, i kërkonte që pjesën e jetës që i kishte mbetur të shkonte ta kalonte në Greqi pranë familjes.
Pikërisht kjo letër, vuri në lëvizje Ministrinë e Brendshme. Kosta Fili, që zinte një vend të rëndësishëm në Muzeun e Ministrisë së Brendshme, si diversant i rrezikshëm, hynte në radhët e të dënuarve “Vip”.
Nga lart, u dha porosia që të punohej për grumbullimin e të dhënave që vërtetonin veprimtarinë armiqësore të tij dhe të përgatiteshin dokumentet, për ta ridënuar.
Ishte e vështirë të grumbulloheshin prova të tilla.
Ndërkohë, dita e lirimit po afronte. Edhe pse provat mungonin, ato u fabrikuan dhe të dërguarit e qendrës, ishin optimistë për miratimin e propozimit të arrestimit, nga Prokuroria e rrethit.
Miratimi i atyre që ishin në kushtet e vuajtjes së dënimit, ishte kompetencë e Prokurorisë së rrethit.
Kurse, kur i propozuari për arrest, ishte i lirë, kërkohej domosdoshmërish firma e Prokurorit të Përgjithshëm.
Në dosjen e plotësuar rishtas, kishte të dhëna të viteve ‘58-’60-të, kohë kur ai ishte i izoluar në burgun e Gjirokastrës. Me shokët e dhomës, ishte shprehur se; kudo që të jetë duke vuajtur dënimin, do krijonte rastin, për t’u arratisur.
Pikërisht ky informacion, u shfrytëzua për akuzën e re. Nga dy ish-bashkëvuajtës të asaj kohe, që tani ishin liruar, u siguruan “provat”, që u përdorën për goditjen e Filit. Pra, për biseda që ishin bërë 20 vite më parë.
Erdhi dhe dita e lirimit. Të nesërmen, në orën 08:00, komandanti i burgut, Idajet Deda, dha urdhër për të proceduar për lirimin e tij. Kosta shkoi në evidencën e burgut, ku u bënë të gjitha veprimet e rastit.
U pajis edhe me një vërtetim, që do ta përdorte në financën e Degës së Brendshme, për të tërhequr të ardhurat që kishte në llogarinë e tij. Hodhi çantën në kurriz dhe u nis për te Dega.
Tashmë ishte një qytetar i lirë. Ndërkohë, Prokuroria ishte vënë në lëvizje dhe kishte firmosur arrestimin.
Tani që Kosta ishte i lirë, arrestimi me urdhrin e Prokurorit të rrethit, ishte i jashtëligjshëm.
Kosta, i cili e shikonte veten të lirë, pas 28 vitesh, nuk pati fuqi të reagonte. Mendja e tij, pas kaq vitesh burg, punonte vetëm të shkonte në Greqi, pranë familjes.
Ai i njihte mirë praktikat e ridënimit, që kishin ndjekur shumë bashkëvuajtës. Këtë fat, e kishte pësuar; Maqo Çomo, Gjin Marku, Kapllan Resuli, Bardhyl Belishova e të tjerë…!
Kryetari i Degës, më urdhëroi ta merrja Kosta Filin, që ishte te financa dhe ta çoja te zyra e tij.
Nuk kishte rrugë tjetër veç t’i bindesha. “Kosta, ti u lirove sot, por nga Prokuroria, ka mbërritur një urdhër arresti për ty”, kumtoi kryetari dhe i lëshoi para vendimin e miratuar të arrestit…!
Mbyllja e hetimeve dhe gjyqi i Kosta Filit, u realizuan në mënyrë rrufe. Ai u ridënua edhe 10 vite të tjera. Pas disa ditësh, u kthye në dhomën e tij të vjetër të burgut, për të kryer dënimin.
Me Kostën, bisedoja herë pas here në greqisht. Kërkesa e vetme që më bënte, ishte të shkruante për familjen ndonjë letër, jashtë radhe.
Nuk mund të mos ia plotësoja. Në letrat që merrte nga Greqia dhe Amerika, gjeje shpesh çeqe në vlerë dollari.
Ishte detyra ime, të kryeja veprimet në bankë dhe t’ia konvertoja në lek, të cilat pastaj, i kaloja në llogari të Filit. Konvertimi, bëhej me 20 lekë të vjetra për një dollar.
Kostës, i dërgonte shpesh dollar, djali i tezes nga SHBA-ja, Jani Hito.
Ata ishin arratisur së bashku nga Shqipëria në vitin 1953. Ndërsa Jani, shkoi menjëherë në Amerikë, Kosta pati historinë e mësipërme.
Në vitin 1987, Kosta më tregoi se, dhëndri i tij në Janinë, K. Dinaleksi, ishte i njohur i deputetit të Janinës, Papulas, ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë.
Ai po interesohej që Papulas, të ndërhynte tek autoritetet shqiptare, për t’i falur pjesën e dënimit.
Dhe kjo pati efekt. Papulas, në atë kohë erdhi për vizitë në Shqipëri.
Menjëherë pas kësaj, erdhi një shkresë në burgun e Burrelit, ku thuhej se; Presidiumi i Kuvendit Popullor, kërkonte mendimin për faljen e dënimit të mbetur, të të burgosurit Kosta Fili.
Një muaj më pas, Kostën e liruan. U takova me të te Turizmi i Burrelit.
Më kërkoi ta ndihmoja, të lidhej me telefon me vajzën e tij, në Janinë.
Kishte 28 vite, që ishte ndarë prej saj dhe do t’i dëgjonte zërin për herë të parë.
E ndihmova dhe lidhja u krye në çast. Jetova momente tepër prekëse, kur pashë Kostën, goxha burrë, të qante si fëmijë dhe të puthte receptorin si i çmendur…!
“Si u miqësova me njeriun, që do vriste Enverin…”?!
Përballja e parë me Avdul Banushin, u bë në qelinë e tij. Pastaj, takohesha me të, herë pas here. Tani e kisha përpara syve përditë, njeriun “mit”.
Disa ditë më vonë, erdhi edhe shkresa, ku jepeshin porosi, që ai ta vuante dënimin në kushtet e konspiracionit të plotë dhe të mos merrte takim me të dënuarit e tjerë.
U izolua në birucë, me të dënuarin Sh.N., ish-oficer aviacioni, për të shmangur rrezikun e ndonjë vetëvrasjeje të mundshme.
Duke qenë se, Avduli mbante një kapele të bardhë, rojet e burgut, e thërrisnin me nofkën “kasketa”. Në dosjen e Avdulit, kishte mjaft të dhëna interesante.
Ai vazhdonte të ndiqej në përpunim aktiv, megjithëse kishte përfunduar procesi i hetimit dhe dënimit të tij.
Gjatë gjykimit, Avduli nuk kishte treguar asgjë për bazat e organizatës në Shqipëri.
Pikërisht, ky ishte tashmë objektivi kryesor i përpunimit të tij.
I studiova me një frymë dosjen e përpunimit dhe atë hetimore. Evidentova konkluzionin se; kisha të bëja me një subjekt, kundërshtar të vendosur të regjimit komunist, një tip të guximshëm, të patrembur përpara vështirësive.
Ai shprehte hapur ndjenjat kombëtare, si dhe mallin për vendlindjen. Mua më konsideronte si bashkëpatriot dhe dëshironte që të bashkëbisedonim.
Ndërsa dashurinë për të afërmit, e treste përbrenda vetes dhe nuk e shfaqte. Vlerësonte mirësinë dhe ndiente detyrimin, për ta shpërblyer atë.
Sidoqoftë, mbetej një nga njerëzit më të rrezikshëm të pushtetit…!
Historia e Avdul Banushit
Emri i Avdul Banushit, ishte kthyer në një legjendë për Sigurimin e Shtetit, në vitet 1972-1974.
Të dhënat operative, konfirmonin angazhimin e tij, si eksponent kryesor i “Frontit të Rezistencës Antikomuniste Shqiptare” (FRASH) dhe përpjekjen e dështuar të kësaj organizate, në vitin 1974, për sabotimin e paradës ushtarake në Tiranë, me rastin e 30-vjetorit të çlirimit.
Sipas dokumentit sekret, kjo organizatë, kishte planifikuar vendosjen e eksplozivit, në tribunën e paradës ku do të qëndronte udhëheqja e shtetit.
Ose goditjen e drejtpërdrejtë nga një bazë e FRASH-it, në një nga pallatet e Shallvareve.
Për Avdulin, që në bazë të informacioneve, rezultonte të ishte në krye të këtyre veprimeve, ishte krijuar profili i njeriut mit, sadist, kriminel, vrasës. Po në fakt cila ishte biografia e tij?
Avdul Banushi, kishte lindur në Golem të Gjirokastrës. Në vitet 1943-1944, ishte inkuadruar në njësitet guerile të qytetit të Durrësit, ku ishte kapur nga gjermanët dhe ishte internuar në Mauthauzen.
Në vitin 1946, pas kapitullimit të Gjermanisë, ishte i lirë dhe iu nënshtrua procedurave për t’u kthyer në atdhe.
Në rrugën e rikthimit, u sistemua për një farë kohe, në një kamp refugjatësh, në Regio-Emilia të Italisë.
Aty ra në kontakt me një oficer amerikan, me origjinë shqiptare, i cili “tregoi interes” për të dhe e lidhi me krerët e politikës shqiptare në mërgim ,të arratisur në prag dhe pas çlirimit të vendit, si: Abaz Ermenji, Abaz Kupi, Hasan Dosti, etj. Gjatë marrëdhënieve që u krijuan, Avduli ra në influencën e tyre.
Ata e instruktuan që, pasi të kthehej në Shqipëri, të takohej me disa nga lidhjet e tyre.
Midis të tjerash i dhanë edhe një letër për Lahe Nuron, nga fshatrat e rrethit të Vlorës, kundërshtar i sistemit. Ky qëndronte i fshehur brenda vendit.
Organet e Informacionit, më vonë organet e Sigurimit të Shtetit, që kishin shtrirë rrjetat edhe në këto kampe, u vunë në dijeni menjëherë mbi misionin e Avdulit.
Sapo zbriti nga avioni në Laprakë, gjatë kontrollit, iu kap dhe letra në fjalë. Për këtë, u dënua dhe u dërgua në një kamp pune në Tiranë.
U lirua andej në vitin 1957. Më pas, filloi punë si disenjator në qytetin e Patosit.
Një ditë dimri të vitit 1960, e shoqëruan për një verifikim në Degën e Punëve të Brendshme Fier, duke u lënë që ta kalonte natën në dhomën e shoqërimit, nga ku mundi të arratisej.
Fillimisht mbërriti në Greqi. Prej aty kaloi në filtrat e Zbulimit Amerikan, i cili vërtetoi pozitën e Avdulit dhe miratoi kërkesën e tij, për të shkuar në Amerikë. U stabilizua me punë e banim në New York.
Atje u takua me krerët e emigracionit politik: Vasil Gërmenji, Hasan Dosti, Halim Begeja, Rexhep Krasniqi, etj. Përçarja e tyre, la një përshtypje jo të mirë te Avduli.
Gjatë kohës që qëndroja me të në burg, si rastësisht, mbaja në dorë librin e Nasho Jorgaqit, “Mërgata e qyqeve”.
Avduli nuk ndenji pa më pyetur se, përse bëhej fjalë në të. I thashë se, i kushtohej një agjenti shqiptar, që operoi në radhët e emigracionit, e kryesisht të Oborrit të mbretit Zog. Kishte dëgjuar për të dhe kërkoi ta lexonte.
Pasi e lexoi, më tha: “Autori e ka përshkruar me vërtetësi gjendjen e emigracionit shqiptar në botë. Titulli ‘Mërgata e qyqeve’ është shumë i përshtatshëm për historinë e tyre”.
Në vitin 1972, me krijimin e FRASH-it në Amerikë, Avdul Banushi, u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i saj, ndërkohë që kryetar u zgjodh Vasil Gërmenji dhe zëvendës, Stavri Skëndi. FRASH-i mbante kontakte me oficerin e CIA-s, Xhon. S.
Anëtarë të saj, ishin edhe Sabaudin Haznedari, i cili në tetor 1982, erdhi në Shqipëri me grupin e Xhevdet Mustafës.
Ajo kishte baza të rëndësishme në Europë, si Subadie Koka në Milano-Itali, Lefter Guveli dhe Nikolla Plasoti, në Greqi, etj.
Subadie Koka, ishte me origjinë nga fshati i Avdulit, që në vitin 1943, ishte birësuar nga një çift italian. Pas çlirimit, ajo bashkë me prindërit birësues, u sistemua në Milano.
Deri në vitin 1975, FRASH-i veproi shumë aktivisht dhe dërgoi me mision në Europë, disa grupe që udhëhiqeshin nga Avdul Banushi.
Ata kryen akte terrori në përfaqësitë shqiptare në Paris, Romë, Madrid e gjetkë.
Gjithashtu, tentuan në vazhdimësi të hynin në Shqipëri, për të vepruar me objektiv kryesor, terror kundër udhëheqjes së shtetit dhe vendosje eksplozivi në ATSH e Ambasadën Kineze.
Në nëntor të vitit 1974, një grup me në krye Avdul Banushin, tentoi të hynte në Shqipëri, duke pasur detyrë kryesore vendosjen e eksplozivit në tribunën e paradës, organizuar me rastin e 30-vjetorit të çlirimit. Si dhe hedhjen në erë të ATSH-së e, Ambasadës Kineze në Tiranë.
Kontribut të veçantë për kapjen e Avdulit dha agjenti i Sigurimit, “Malësori”.
Ai penetroi në radhët e FRASH-it në Amerikë dhe fitoi besimin e saj, deri në atë shkallë, sa të caktohej edhe si një nga pjesëmarrësit kryesorë të grupit që u nis ilegalisht në Shqipëri.
Me mjaft vlera, ishte edhe kontributi i bashkëshortes së agjentit tonë, Prendës, e cila mbajti kontakte të vazhdueshme me agjentin tonë, nëpërmjet telefonit.
Kjo ndodhi gjatë gjithë kohës që grupi endej nëpër Greqi e Jugosllavi, për të gjetur momentin e duhur, të kalimit të kufirit të Shqipërisë.
Në Janinë, Avduli i tha “Malësorit”, të bënte bisedën e fundit me gruan në Amerikë, sepse pas kësaj, do hynin në territorin e Shqipërisë, pa i treguar se, në cilin drejtim do ta kalonin kufirin.
Në momentin e duhur, gruaja e tij, informoi Sigurimin e Shtetit. U vendos gatishmëria në kufi. Duke qenë se ata ndodheshin në Janinë, forcat kryesore, u vendosën në rrethin e Gjirokastrës, Sarandës e Përmetit.
Por Avduli, vendosi të mos hynte në Shqipëri nga kufiri me Greqinë, pasi dyshonte se aty e prisnin forcat e Sigurimit. Në momentin e fundit, plani i kalimit të kufirit ndryshoi.
“Malësori”, u befasua, por tanimë nuk kishte mundësi të informonte. Ata u nisën për në Selanik, me autobusin e linjës dhe prej andej kaluan në Shkup.
Aty morën trenin dhe shkuan në Mali të Zi. Fjetën atë mbrëmje në shtëpinë e agjentit, në një fshat pranë kufirit dhe planifikuan që në orët e vona të natës, të hynin në tokën shqiptare.
Për të gjitha këto lëvizje, Sigurimi i Shtetit, nuk kishte dijeni, sepse Avduli, nuk e la më agjentin tonë të fliste, me gruan e tij, kanali i vetëm prej nga mund të mësohej itinerari i lëvizjeve të tyre.
Megjithëse forcat kryesore të Sigurimit, ishin dislokuar në kufirin me Greqinë, gatishmëria ishte vendosur gjatë gjithë kufirit të shtetit shqiptar.
Pikërisht, kjo bëri që në përfundim, aksioni për kapjen e Avdulit, të përfundonte me sukses.
Në këtë situatë, Prenda u porosit, të ndërpriste çdo lidhje me të njohurit e saj dhe të burrit, nga radhët e emigracionit politik në Amerikë dhe të largohej menjëherë në Mal të Zi.
Nga Mali i Zi, ajo do të kalonte kufirin, për në Shqipëri. Çdo gjë shkoi sipas planifikimit.
Nuk kishin kaluar më shumë se dy ditë që kur ishte kapur Avduli, kur i çuan në ballafaqim, gruan e bashkëpunëtorit.
Ai u befasua dhe më pas, gjithmonë do më thoshte se, nuk mund ta kuptonte, si arriti të besojë aq shumë tek ata, që e futën në këtë kurth?!
“Nuk do ta besoja kurrë, po të më thoshin më parë, se Sigurimi, do të penetronte deri në këtë pikë”, shprehej ai i menduar, sa herë që diskutonin për aventurën e tij.
Avduli, që e kishte të vetin parimin “dysho për këdo”, jo vetëm që nuk i tregoi “shokut” të tij drejtimin, ku do ta kalonin kufirin, si dhe nuk i tregoi asnjë nga bazat, ku do të mbështeteshin në Shqipëri, por i sabotoi edhe armën personale, duke i hequr gjilpërën.
Këto baza, nuk u identifikuan dot edhe gjatë hetimit. Madje me gjithë hetuesinë intensive, me aplikimin e të gjitha formave. Madje dhe atë të shtrëngimit fizik.
Në gjyq, u dënua me vdekje. Dënim të cilin, Kuvendi Popullor i Shqipërisë e ktheu në 25 vjet heqje lirie. /Memorie.al
ObserverKult
Lexo edhe:
VUAJTI 26 VJET NË BURGJET E DIKTATURËS, KU E HUMBI EDHE SHIKIMIN- RRËFEN SE ÇKA ISHTE “TORTURA E DOLLAPIT”
Urim Elezi vuajti 26 vite të jetës së tij në burgjet e diktaturës. Ai është një prej dëshmitarëve të rrallë mbi torturat çnjerëzore që ushtroheshin ndaj të burgosurve politikë në Shqipëri.
Gjatë torturave në burgun e Burrelit humbi edhe shikimin. Ka jetuar dekada të tëra deri në ditët e sotme në verbëri të plotë.
Mes shumë rrëfimeve për torturat, ai tregon edhe rreth një torture që i bënë në hetuesinë e Korçës.
Në librin e tij me kujtime “Ashtu si vetë jeta ime”, e përshkruan kështu “Torturën e Dollapit”.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult