Si u njoh Çajupi me Evgjeninë e cila vdiq vetëm një vit pasi u bashkuan…

mëmëdhe andon zako çajupi mban mend moj marë poezi observerkult

Në ambientet e Akademisë së Shkencave u dha, së fundi, premiera e filmit dokumentar “Çajupi, Poeti i Atdheut, Poeti i Dashurisë”. Ky film me skenar dhe regji nga Eli Bici ishte mbështetur në kolanën e librave të Çajupit nga akademikët Jorgo Bulo dhe Rexhep Qosja.

“Vepra e Çajupit ngjan me një sënduk të madh që sa herë ta hapësh, nxjerr nga një xhevahir. Dhe nga ky sënduk realizuesit shkëputën një tufë poezi, të menduara si arritje përsosmërie artistike, por që përkojnë me periudhat e vështira të fund rilindjes dhe fillim realizmit të kombit shqiptar”, – u shpreh autorja e veprës.

Poezitë erdhën në formën e mikrofilmave me të gjithë komponentët, në videot, audiot, muzikën, montazhin, që mbajnë emrat e Shkëlzen Sinanit, Pranvera Katit dhe Endrit Xibrit. Filmi u prit me emocion dhe duartrokitje në sallën e mbushur plot.

Andon Zako Çajupi lindi më 27 mars 1886 në Sheper të Zagorisë dhe u nda nga jeta më 11 korrik 1930 në Kajro, Egjipt, në moshën 64-vjeçare. Ai ishte atdhetar, rilindas, poet romantik dhe dramaturg. Çajupi ka shkruar “Baba Tomorri”, “Pas vdekjes”, “14 vjeç dhëndër” dhe disa vëllime me poezi lirike dhe patriotike. Emri i tij i vërtetë është Andon Çako, nuk dihet për ç’arsye ai përdori edhe formën Zako.

Emri letrar Çajupi është emri i një mali të vendlindjes, mallin dhe kujtimin e së cilës e nguliti dhe e përjetësoi në pseudonimin e tij. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku kreu dhe një shkollë gjysmë të mesme greke. Po shkolla më e madhe e vendlindjes ishte shkolla e fshatarit, e njohjes së jetës dhe të shpirtit të popullit, të gëzimeve dhe të brengave të bashkëfshatarëve të tij.

Rol të madh në formimin e tij ka luajtur sidomos gjyshi nga e ëma, i cili e futi në botën magjepse të përrallave, të legjendave e të këngëve popullore, prej së cilës poeti i ardhshëm nuk do të ndahej më kurrë.

I ati i Çajupit, Harito Çakua, ishte kurbetçi në Misir, ku qe aktivizuar në lëvizjen atdhetare. Ai e tërhoqi të birin nga fshati për të vazhduar studimet.

Andoni ishte vetëm 15 vjeç, kur la shoqërinë për të ndjekur një kolegj francez në Aleksandri, duke marrë me vete mallin e së ëmës, Zoicës dhe të gurëve e maleve të Zagorisë.

Në kolegj mori një kulturë të mirë dhe u dallua ndër të parët midis shumë nxënësve të kësaj shkolle, që vinin nga vende të ndryshme të Mesdheut.

Me këtë kulturë ai i kishte të hapura dyert e universitetit, të cilin e ndoqi në vitet 1887-1893 në Gjenevë, ku studioi për drejtësi. Këtu u njoh me një vajzë vendëse, Evgjeninë, e cila e bëri të lumtur por edhe fatkeq, sepse vdiq pas një vit martese, duke lënë jetim të birin e porsalindur, Stefanin. Kjo humbje e tronditi thellë poetin dhe i la vragë të thellë. Ajo u bë shkak që pas dhjetë vjetësh të shkruante elegjinë “Vaje”, një nga elegjitë më të bukura dhe më prekëse të poezisë sonë.

Më 1883 me dokumentin e drejtësisë në xhep dhe me djalin në krahë u kthye në Misir dhe u vendos në Kajro, ku nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Por prej këtij profesioni hoqi dorë shpejt. Shkak u bë një konflikt me autoritetet e vendit gjatë një procesi gjyqësor ku avokati i ri mbrojti të drejtën dhe nuk u lëshoi pe pushtetmbajtësve. Jetoi me pasurinë që i kishte lënë i ati dhe iu kushtua tërësisht çështjes atdhetare dhe krijimtarisë letrare.

Çajupi gjeti në Misir një lëvizje patriotike të zhvilluar. Shqiptarët e ngulimeve të Egjiptit kishin organizuar një shoqëri atdhetare e kulturore dhe mbanin lidhje sidomos me “Shoqërinë e Stambollit”. Por këtë lëvizje u munduan ta kthenin në anën e tyre disa rrethe grekomanësh, të cilët intrigoni kundër patriotëve të vërtetë dhe kundër Çajupit.

Ai u bë shpirti dhe figura më e njohur e kolonisë patriotike të Misirit, Çajupi mbrojti interesat e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, demaskoi synimet e xhonturqve, të grekomanëve dhe të gjithë armiqve të tjerë të çështjes së kombëtare.

Emri i tij nisi të njihej në rrethet e atdhetarëve që në fund të shekullit, kur botoi më 1898 artikullin e gjatë “Duke kërkuar një alfabet”, në të cilin spikat shqetësimi i tij për unitetin e lëvizjes kombëtare dhe kulturore, për shkrimin dhe lëvrimin e gjuhës amtare përmes një alfabeti të njësuar.

Por vepra që e bëri të njohur në mbarë botën shqiptare ishte përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) ku përfshiu komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”. Me këtë vepër ai u bë poeti më i njohur pas Naimit, figura që zuri vendin që mbeti bosh pas humbjes së poetit kombëtar më 1900. Vjershat patriotike dhe luftarake të “Baba Tomorrit” frymëzuan çetat e lirisë dhe kryengritjet e mëdha që i sollën pavarësinë Shqipërisë më 1912.

Këtë ngjarje poeti e priti me gëzim, u duk se iu hap udha për t’u kthyer në mëmëdhe, por Lufta e Parë Botërore dhe trazirat e mëvonshme e shtynë larg këtë shpresë. Megjithatë, ai i ndiqte nga afër ngjarjet në Shqipëri, duke mbetur gjithmonë në krah të forcave përparimtare e demokratike. Më 1919, Çajupi ishte në ballë të përpjekjeve të shqiptarëve të Misirit për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar në Konferencën e Paqes që mblidhej në Paris.

Ai dënoi qeverinë e Durrësit, që ishte vegël e fuqive imperialiste, ashtu siç dënoi përpjekjet e feudalëve tradhtarë për ta bërë Shqipërinë çiflig të tyre e për ta nxjerrë në ankand sipas interesit.

Me këto qëndrime, ai thelloi demokratizimin në lëvizjen mendore dhe në letërsinë shqiptare./panorama

ObserverKult


çajupi

Lexo edhe:

ÇAJUPI: MBAN MËND, MOJ MARË, DASHURIN’ E PARË?

Poezi nga Andon Zako Çajupi

E mban mënd, moj Marë,
dashurin’ e parë?
Njeri nuk e gjegji,
se jeshmë të vegji.

Unë pa ty s’rrojë,
vij’ e të kërkojë;
ti pa mua s’rroje,
vij’ e me kërkoje.

Në lule me erë
putheshim ngahere,
dhe si burr’ e grua
losnim nënë ftua.

Një ditë, të dyza
losnim mbylla-syza:

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


FSHATI IM, POEZI NGA ANDON ZAKO ÇAJUP

Fshati im, poezi nga Andon Zako Çajupi

Maletë me gurë,
fushat me bar shumë,
aratë me grurë,
më tutje një lumë.

Fshati për karshi
me kish’ e me varre,
rrotull ca shtëpi
të vogëla fare.

Ujëtë të ftohtë,
era pun’ e madhe,
bilbili ia thotë,
gratë si sorrkadhe.

Burrat nën hie,
lozin, kuvendojnë,
pika që s’u bie,
se nga gratë rrojnë!

Gratë venë nd’arë,
dhe në vreshta gratë,
gruaja korr barë,
punon dit’ e natë.

Gratë në të shirë,
në të vjela gratë,
ikinë pa gdhirë,
kthenenë me natë.

Gruaja për burrë
digjetë në diell,
punon e s’rri kurrë
as ditën e diel.

O moj shqipëtarkë,
që vet’ e nget qetë,
edhe drek’ e darkë
kthehesh e bën vetë;

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult