Hidhërimi i thellë që pasoi vdekjen e romancierit të madh, nuk ishte një befasi për botën mbarë, shkruan The New York Times në një prej editorialeve të saj, një ditë përkujtimore të vdekjes së Dickens. Librat e tij në të cilët pasqyrohej jeta e thjeshtë e njeriut atëkohë i kish prekur shumë lexuesit e shkrimtarit anglez.
Kur Charles Dickens u godit për vdekje prej një infarkti në zemër, në 9 qershor 1870, lajmi nuk u dërgua menjëherë për në Shtetet e Bashkuara deri vonë atë natë. Shumë njujorkezë nuk e mësuan atë mbrëmje vdekjen e romancierit britanik deri mëngjesin e 11 qershorit, kur ajo u duk në faqen e parë të gazetës britanike The Times.
Asnjë shkrimtar i asaj epoke nuk ishte më i dashur se Dickens. Ashtu si atëkohë, kur njerëzit këkonin të dinin se kur do dilte seriali i radhës së romaneve të tij, tani ata ishin kureshtarë mbi çdo detaj të jetës dhe vdekjes së tij në moshën 58- vjeçare. Për muaj të tërë, gazeta spikati me histori mbi orët e fundit të C. Dickens, funeralin, amanetet, ankandin e koleksionit të artit të tij, madje ata donin të dinin edhe mbi shitjet e pronave të tij. Në gazetë u shkrua deri për një tufë lulesh të vjetra në tryezën e tij, e cila u shit për 21 shilinga.
Po cilat janë disa nga shkrimet mbi vdekjen e romancierit të madh?
Më 12 qershor të atij viti, The Times e shoqëroi njoftimin e rëndë me një editorial melankolik kushtuar njeriut, “veprat e të cilit janë pak a shumë të lidhura me ngjarje nga jeta jonë. Përshkrimi i secilës histori të shkruar aty, lidhet me një mijë kujtime nga shtëpia të cdo njërit, sepse ai ishte mbi të gjitha një romancier i familjes”.
Atë të dielë të 13 qershorit, pastorët në të gjithë qytetin e New York-ut e lëvduan Dickens-in me fjalën e tyre, ‘duke thënë se ndoshta shumë njerëz po mendojnë, çfarë po ndodh? Po flasim për një romancier ditën e dielë? Dhe ku? Në shtëpinë e Perëndisë?’ Por ndërkohë ai argumentoi se ishte vërtet pikërisht vendi ku duhet të flisnin për shkrimtarin e madh, derisa ndikimi i tij si shkrimtar në mbarë botën me librat e tij, kish lënë një ndjesi të mirë në çdo lexues.
Po atë ditë, një letër nga pronari i një librarie, August Brentano, mbërriti në gazetë, duke rekomanduar një propozim të bukur. Edhe më shumë letra drejtuar redaktorit pasuan shpejt. Në secilën prej tyre propozohej një monument për Ch. Dickens në Central Park.
Dikush sugjeroi që çdo adhurues i Dickens-it në vend të paguante 25 cent për të financuar projektin. “Ndërsa popullsia jonë numëron gati 40 milion banorë dhe secili prej tyre … është një mik i David Koperfild-it, Uilkins-it, Pikuick-it, mendoni pak.., kjo do të jetë një shumë e jashtëzakonshme dhe mjaft e bollshme për të realizuar monumentin… Do të jetë, për më tepër, një dhuratë përkushtimi nga shumica e njerëzve të thjeshtë, mundimet dhe pikëllimet e së cilës janë lehtësuar prej lapsit të tij magjik në mbarë botën”.
Do të duhej të pritej 22 qershori, kur më në fund një përmbledhje e detajuar mbi vdekjen e romancierit të mbërrinte më në fund në New York, prej korrespodentit të The Times në Londër, përmes një avulloreje. Vdekja e novelistit, sipas artikullit, “ishte një tronditje e madhe dhe një pikëllim i thellë për mbarë popullin e Anglisë sesa mund të imagjinohej”.
Sipas gazetarit të The Times, shkrimtari i madh ishte dukur i shëndetshëm. “Fytyra e tij, megjithëse e mbuluar thellë në rrudha, ishte në ngjyrë rozë, dhe sjelljet e tij ishin të përzemërta. Ai e shmangte duhanin ndërsa ishte një shëtitës i shkëlqyer dhe i adhuronte ushtrimet atletike”. Ai vlerësonte shumë sportin shkruante më tej ai, si një mjet që të lehtëson dhimbjen dhe shëron sëmundjet. Në zarfin dërguar gazetës njujorkeze, korrespondenti përfshiu dhe një tufë me gazeta të tjera londinezë që kishin shkruar për romancierin e njohur.
Sipas The News of London, kur Dickens u ul atë mbrëmje për të ngrënë, kunata e tij, Miss Hogarth, vuri re në fytyrën e tij, një pamje të pazakontë duke u alarmua. Ajo i shfaqi frikën se ai duhet të ishte i sëmurë. … “Z. Dickens u përgjigj, jo, jo, jo, s’kam gjë. Kam një dhemb të prishur dhe do të jem më mirë tani. Ai më kwrkoi që dritaret të ishin të mbyllura; dhe pothuajse menjëherë pas kësaj ai kaloi në pavetëdije, duke mos folur më”.
Pas vdekjes së tij, trupi i Dickens u dërgua në Londër me një tren special, direkt në Westminster Abbey. Siç theksoi korrespodenti i gazetës, kjo aspak nuk ishte ashtu siç Dickens, do të dëshironte duke shkruar, “se ata kurrë nuk duhet ta vendosnin atë në Westminster Abbey. … Ai do të preferonte të shtrihej afër me ata që aq shumë i donte; më mirë në Varrezën e Gjelbër të Kensal-it”.
Duke respektuar të paktën disa nga dëshirat e fundme të romancierit (ai kish kërkuar që ata që marrin pjesë në varrimin tim të mos mbajnë shami, mantel, harkun e zi, bandën e gjatë apo ndonjë absurditet tjetër të tillë revoltues), në Westminster Abbey nuk kishte “as mantel, as lot, dhe kurrfarë gjëje tjetër që ai kish lënë amanet”.
Me kreun e katedrales “teksa lexonte shërbimet solemne të varrosjes, organon që tingëllonte me nota të ulta, dhe vendi i gjerë bosh, rrethuar me grupin e vogël të njerëzve që ishin të pikëlluar vërtet grumbulluar rreth arkmortit prej lisi, Dickens u shtrua për të pushuar në Këndin e Poetëve pranë Shakespeare, Dryden dhe Chaucer, shkruante atë kohë The Times.
Më 25 korrik të po atij viti, The Times pat shkruar për ankandin e artit të Dickens-it, duke theksuar se “e gjithë Londra inspektoi koleksionin gjatë tre ditëve para se ai të shitej. Duket e çuditshme, në pamje të parë, që fotografitë, vizatimet dhe veprat e artit, të cilat autori i kish aq për zemër të ndaheshin në mënyrë aq të shpejtë”, vërejti gazeta, “por u kuptua se kjo gjë ish planifikuar më parë”.
Djali i madh i Dickens kish rrëmbyer menjëherë një pikturë që paraqiste një kanë me ngjyrë blu dhe të bardhë me trëndafila, shkruan gazeta e madhe londineze; ndërsa kuratori i Galerisë Kombëtare të Portreteve pat bërë kot një kërkesë për një pikturë të romancierit, vëren ajo.
Pak më vonë, zbatuesit e testamentit të Dickens-it, nxorën në shitje Gad’s Hill Place, vendin ku shkrimtari i dashur vdiq, aty ku Hans Christian Andersen pasi e vizitoi në 1857, shkroi se ajo ishte “një shtëpi aq e bukur, me mure të kuq, me katër dritare e me një ballkon dhe një portik që mbështetej në shtylla të vogla, rrethuar nga pemë qershie dhe dafine”.
Po si përshkruhet kjo ndodhi kaq e rëndë e trashëgimisë së shkrimtarit më tej?
“…Kishin dalë në ofertë mobiljet, verërat e tij, mallrat prej porcelani, qelqi, karroca të ndryshme, një karrige me rrota, etj. Një mbajtëse litari u shit për 10 shilinga; ndërsa tryeza e vjetër e lisit mbi të cilën Ch. Dickens thuhet se ka shkruar për herë të fundit u shit për gati 100 shilinga. Gjatë këtyre ditëve të kësaj katrahure mbi trashëgiminë që la pas shkrimtari i madh, një prej qenve të preferuar të tij, Linda, vinte vërdallë nëpër kopësht, duke shtuar më shumë ndjenjën e shkretimit dhe humbjes.
…Moti ishte i paqëndrueshëm atë ditë; po kur dielli nxirrte kokën në ato pak herë, Kodra e Gadit, mbuluar me vargonj gjethesh, shfaqej ngazëllueshëm plot dritë dhe gëzim. Vetëm kur retë e mëdha dhe të errëta u shfaqën me valëzime drejt lartësive të qiellit dhe një rrebesh shiu u plas mbi tokë papritur, trishtimi i ngjarjes së fundit që ndodhi ishte shija e fundit që linte pas kjo humbje e rëndë.
ObserverKult
Kliko edhe: