“Si u stërvit Mehmet Shehu në Spanjë për tortura e ekzekutime”

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu

Një listë prej 11 emrash të komunistëve që udhëhoqën diktaturën është nxjerrë kohë më parë nga arkivat sekretë britanikë me dosjen referenciale HS 5/73. Këta ishin emrat kryesorë, nisur që nga Enver Hoxha e Mehmet Shehu deri te ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, i cili firmosi masivisht pushkatimet e urdhëruara.

Mehmet Shehu, që qëndroi në krah të Enver Hoxhës për 40 vjet, ka qenë një nga udhëheqësit më të egër e mizorë në diktaturë, një vrasës i stërvitur. Kjo është dëshmia që del nga arkivat sekretë britanikë rezervuar për historinë në dosjen HS 5/73, që përkon me raportime të vitit 1945, kur sapo erdhi në fuqi regjimi i Hoxhës.

Çfarë zbulohet nga ky dokumentacion është cilësimi britanik për Shehun si një krijesë e egër dhe e paskrupullt, i cili la përgjysmë shkollën ushtarake, duke u nisur në luftën e Spanjës.

Nga dokumentet thuhet se Shehu u përfshi në ushtrinë komuniste spanjolle së bashku me shokun e tij Hulusi Spahiun, me të cilin u stërvitën në kryerjen e torturave dhe vrasjeve.

Letrat sekrete britanike pas kësaj stërvitjeje rendisin një listë të gjatë të krimeve të Mehmet Shehut në Shqipëri, nisur nga më ordinerët deri në pabesitë e tij edhe ndaj miqve.

Por më e famshmja është masakra e Selenicës, ku shpella e Kremenarit është dëshmitare e vrasjes së 63 robërve italianë, ku Shehu i kreu ekzekutimet me dorën e tij, pas torturave çnjerëzore ndaj tyre.

Po ashtu në kujtesën të ashtuquajtur sekrete të arkivave britanikë pasojnë dhe krime të tjera kur një konflikt në Lushnjë mes komunistëve dhe jokomunistëve u burgosën dhe u masakruan nga Shehu 64 persona.

Ndërsa një nga historisë pa precedent është vrasja dhe masakrimi i një të riu, të cilin Mehmet Shehu me dorën e tij ia sharroi të dyja këmbët, duke e lënë të vdiste nën gjak.

Janë tmerre të parrëfyera këto histori, që edhe vetë britanikët si duket kanë qenë të detyruar t’i zbulojnë mjaft vonë, duke mos bërë gjë tjetër veçse duke ia zgjatur jetën diktaturës e duke lënë në errësirë sot e asaj dite shqiptarët për krimet e komunizmit.

Më poshtë botojmë të plotë gjithë dokumentin që flet për profilin e Mehmet Shehut, një prej 11 udhëheqësve shqiptarë të përfshirë në listën e zezë të drejtimit të Shqipërisë në diktaturë. Sigurisht që më mizori në këtë listë dhe me një të shkuar kriminale, arkivat britanike paraqesin Mehmet Shehu.

***

Mehmet Shehu

I lindur në fshatin Çorush të Mallakastrës, ai është i biri i Ismail Shehut dhe i nipi i Sheh Aliut, që nihen si dy eksponentë të rëndësishëm të rebelimit të viteve 1914-1915, të udhëhequr nga Haxhi Qamili kundër qeverisë shqiptare të asaj kohe. Sheh Aliu, që në vetvete ishte një krijesë e egër dhe e paskrupullt, ka vrarë Hajredin Fratarin dhe Ismail Klosin, që ishin nacionalistët e njohur të provincës së Mallakastrës.

Mehmet Shehu la përgjysëm shkollën e tij ushtarake dhe shkoi në Spanjë së bashku me shokun e tij Hulusi Spahiun. Atje së bashku u bënë pjesë e ushtrinë komuniste Spanjolle ku u stërvitën në kryerjen e torturave dhe vrasjeve. Ja disa nga krimet e tij nga lista e gjatë e krimeve të kryera në Shqipëri:

Ai u kthye në Shqipëri fill pas pushtimit italian dhe i grabiti 400 napolona Jonuz Nurës ( në fshatin Murtajas të Mallakastrës). Më vonë ai hyri në partinë komuniste. Pas betejes së Selenicës, ku u kapën 63 të burgosur italianë, ai i torturoi dhe i vrau të gjithë me dorën e tij, duke i treguar rekrutëve të rinj komunistë se si duhen bërë gjërat. Midis të burgosurve ishte një kapiten Italian, një ish shok i vjetër shkolle nga Modena. Ai e hoqi qafe edhe atë pasi e mbajti si të ftuar për një javë.

Shpella e Kremenarit është dëshmitar i këtyre masakrave. Në një konflikt të Lushnjes ndërmjet komunistëve dhe jo komunistëve, të kuqtë burgosën 64 persona që u masakruan të gjithë nga Mehmet Shehu. Në fshatin Velçan të Mokrës ai goditi për vdekje me thikë dy nipërit e Hasan Beut. Në fshatin Corush ai torturoi dhe vrau kapitenin Idriz Drizarin.

Në fshatin Cepan të Skraparit ai torturoi Seit Cepanin, të birin e Asllan Bej Cepanit duke i prerë me sharrë të dy këmbët dhe duke e lënë të vdesë në agoni. Sot një krijesë e tillë mban një post të rëndësishëm në ushtri me gradën Major-gjeneralit.

Lista e 11 kriminelëve

Një listë prej 11 emrash të komunistëve që udhëhoqën diktaturën është nxjerrë nga arkivat sekretë britanikë. Konsultimi historik i këtij dosieri lidhet me të shkuarën e tyre kriminale derisa morën pushtetin më 1945.

Këta ishin emrat kryesorë, nisur që nga Enver Hoxha e Mehmet Shehu deri te ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, i cili firmosi masivisht pushkatimet e urdhëruara. Nga arkivat shqiptarë të dhëna të tilla, mbi të shkuarën kriminale të njerëzve, përveç fakteve mbi krimet e bëra gjatë diktaturës pak njihen.

Ndërsa dokumentet e arkivit britanik befasojnë me biografinë e detajuar mbi studimet, veprimtarinë, karrierën e udhëheqësve shqiptarë të pasluftës. Në krye të kësaj liste janë emrat: Enver Hoxha, Myslim Peza, Baba Faja Martaneshi, Bedri Spahiu, Kosta Boshnjaku, dr. Omer Nishani, Mehmet Shehu, Sejfulla Malëshova dhe Manol Konomi.

Dokumentet britanike nuk kursejnë asgjë nga biografia e tyre, shpesh fakte e dëshmi të panjohura për publikun shqiptar që rrëfejnë arsyet pse diktatura u shndërrua në një model të krimeve.

Këto dëshmi janë shkruar në kohë reale me ngjarjet e fundluftës për ata që ishin në pushtet për atë moment në Shqipëri. Në këtë duhet marrë parasysh që shpesh përdoret termi “sot”, duke analizuar Shqipërinë përmes tyre dhe si rrjedhojë të kampeve të ngritura në këtë moment.

Në atë kohë, sipas vëzhgimit të treguara në dokumente, thuhet se në Shqipëri ekzistonin grupe të ndryshme komuniste te cilat ishin në kontradiktë me njëra tjetrën dhe si rrjedhojë ishin të shpërqendruara, ndërsa Enveri këmbëngultë në bashkimin e tyre, për të formuar partinë komuniste shqiptare, etaloni i luftës së sotme për çlirim./standard.al

———————

LEXO EDHE:

“Babai heshti tërë jetën, por para se të vdiqte e la një foto dhe një shënim për vuajtjet në komunizëm…”

ObserverKult