Sibel Halimi zgjidhet drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës

Sibel Halimi ka marrë një detyrë të re në Komunën e Prishtinës. Ajo u emërua si drejtore në Drejtorinë e Kulturës në Komunë. Kështu ka bërë të ditur kreu i kryeqytetit, Përparim Rama përmes një postimi në “Facebook”.

“Njihuni me drejtoren e re të Drejtorisë së Kulturës, znj. Sibel Halimi. Me shumë kënaqësi e përgjegjësi Sibeli, e ka marrë detyrën e re për ta vazhduar misionin tonë për një kryeqytet me jetë të pasur kulturore e artistike. Znj. Halimi është duke doktoruar në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës me temën “Trupi si konstrukt shoqëror: Drejt sociologjisë së trupit në Kosovë”.

Ajo është poete dhe autore e librave me poezi si: “Kopshti i Mëkateve” (2002), “Qenia nuk banon këtu” (2013), “Me ekzistu është vetë kuptimi”, “Zoti më dashuron mua” (2022) si dhe përmbledhjen eseistike “Shoqëri në Alarm” (2017). Që nga viti 2004, Sibeli merret aktivisht me studime e kërkime shkencore në fushën e studimeve gjinore dhe sociologjisë, duke trajtuar problemet socio-filozofike.

Prej vitit 2014 – 2018 ka qenë e angazhuar si bashkëpunëtore e jashtme në Departamentin e Filozofisë dhe atë të Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës, si dhe për dy mandate ishte anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Filozofëve të Kosovës. Sibelit i uroj mirëseardhje, dhe punë të mbarë në detyrën e saj të re. Jam i bindur se përvoja dhe përkushtimi i saj do të nxjerrin në pah potencialin e madh dhe pasurinë e shpirtit artistik të Prishtinës”, ka shkruar Rama.

ObserverKult


Lexo edhe:

KUSH ËSHTË GRUAJA QË ‘JA MORI’ ZEMRËN, JORGE LUIS BORGESIT?