Historianë, studiues dhe drejtues të institucioneve vendase dhe atyre të huaja, u bënë pjesë e temës “Emigracioni politik shqiptar gjatë viteve 1944-1990”.
Drejtoresha e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, e konsideroi këto lëvizje të shqiptarëve drejt vendeve fqinjë, si lëvizje që u luftuan pasi rrezikonin kupolën e regjimit komunist. Sipas statistikave të dokumentuara, Sula renditi 13,600 persona që u numëruan si të arratisur në raportet e Sigurimit të Shtetit, nga 1944 deri në vitin 1990, pa llogaritur ata të ikur përmes ambasadave. Mes tyre 4,784 ishin gra dhe fëmijë, ndërsa rreth 998 të tjerë vdiqën ose u vranë nga regjimi në këtë përpjekje. Por, përpos gjithçkaje, në këto statistika dalin edhe rekrutimet e emigrantëve shqiptarë me Sigurimin e Shtetit.
Më tej, Sula shtron se, dialogu për emigracionin politik nuk do të jetë kaq i thjeshtë, sepse nga një anë janë dhimbjet, por nga ana tjetër është edhe bashkëpunimi me Sigurimin, për të ruajtur familjet e tyre.
“Ka pasur bashkëpunim, se ata ishin atje. Në përgjithësi, sigurimi donte që të kontrollonte personat më me influencë, por edhe organizatat politike, si ‘’Vatra’ apo ‘Shqipëria e lirë”, ka theksuar për mediet, Sula.
Historiani dhe studiuesi Gjon Boriçi, tregon se janë shpenzuar shifra marramendëse nga Partia Komuniste e Shqipërisë, për të udhëhequr këto lëvizje migratore, ku shumë prej atyre që dorëzoheshin të parët kanë qenë emigrantë të cilët, kishin familje të persekutuara në Shqipëri.
“Ka qenë një përpjekje konstante, jo pak herë e suksesshme për të kontrolluar të gjithë veprimet e emigrantëve që u larguan nga Shqipëria. Ka qenë një platformë e qartë, që tregojnë se përpjekja e Sigurimit të Shtetit me urdhër të Partisë Komuniste Shqiptare ka qenë në nivele të tilla, sa janë shpenzuar shumë të jashtëzakonshme parash për të udhëhequr këtë lëvizje edhe për të rekrutuar. Janë shpenzuar mijëra dollarë, edhe jo pak herë sigurimi i shtetit ka qenë i suksesshëm në këtë drejtim. Vendet fqinje që kishin numër më të lartë emigrantësh janë, Italia, Greqia, më pak Jugosllavia edhe në Francë. Elementi që u thye i pari, ishin ata që kishin familjet të internuara” – ka shpjeguar mes të tjerash për dukurinë, historiani edhe studiuesi, Gjon Boriçi.
Gjatë konferencës së mbajtur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u ekspozuan edhe dokumente arkivore mbi emigracionin politik shqiptar./konica