Artistja e mirënjohur, Justina Aliaj, ndodhet prej ditësh e intubuar në Spitalin Infektiv në luftë për jetën kundër koronavirusit.
Me gjithë lodhjen nga maska e oksigjenit që mban në fytyrë, ajo thotë se gjendja e saj po përmirësohet falë trajtimit dhe kurimit të duhur në këtë spital.
Artistja shkodrane u shpreh se nëse do mund ta fitonte betejën me Covid, s’kishte për ta harruar kurrë atë që mjekë e infermierë bënë për të.
“Jam më mirë se sa ditën e parë. Nuk jam e trembur. E dua shumë popullin tim. Me dash Zoti me m’lënë, dua të them se këtu janë kujdesur jashtëzakonisht shumë për mua. Kam parë që kanë bërë një mrekulli për mua. Nuk do i harroj kurrë deri sa të vdes, – thotë ajo për News 24. – Fillimisht u tregova e papjekur, mendova që jam me grip, pra e vonova ardhjen. Kur erdha isha gati sikur po hyja në një tunel. Kur erdha këtu isha në gjendje jo të mirë, e ndjej përmirësimin”,- thotë ajo mes lotësh.