A keni rënë ndonjëherë në dashuri ju?
Nga Silvana Begaj
“Mëngjeseve të caktuara, me rreze dielli të caktuara, dashuria vjen e shkon pa lajmëruar.” (Charles Bukowski)
Jeta është kaq e ngadaltë në ardhje dhe kaq e shpejtë në ikje dhe ne duhet patjetër të gjejmë kohë të përjetojmë emocione. Unë e kam lënë veten në kërkim të ëndrrave duke zgjedhur të eci në rrugën më pak të shkelur.
E panjohura të jep emocion të veçantë. Lejoj në jetën time çdo emocion të mirë e të keq, por jo ato të neveritshmet e aq më pak ato që ndotin ndjenjën më të fuqishme e më të pastër që njeriu përjeton gjatë gjithë jetës. Dashuria nuk është emision.
Nga dashuria lindin jetë. Dikush duhet t’ua thojë programeve televizive se çdo gjë e ka një limit dhe jo çdo gjë ju vendoset një çmim.
Dashuria ka vlerë.
Autorët e këtyre programeve më duken si ato hallat nga fshati që bëjnë martesa të stisura, me lajmësi të cilat vazhdojnë akoma në Shqipërinë tonë ku takohen dy botët: ekstremisht moderne dhe ekstremisht të prapambetura me fanatizëm.
Bota e princërave të cilët mezi mbarojnë shkollën, mezi gjejnë punë, mezi mbledhin lekët e dasmës ose në pjesën më të madhe janë emigrant dhe… Bota e luksit mediatik ku dashuria zhvillohet me shpenzime. Çdo takim bëhet me dhurata, në vende luksoze, dhe me princëra të kuruar deri në detaje.
Në vendin tonë akoma diskutohet dhe vriten për çështje nderi dhe në vend të luftohet kjo për t’i bërë të gjithë të kuptojnë madhështinë dhe forcën e dashurisë, përballemi me një dashuri pa jetë, pa ngjyrë dhe pa emocion.
Por është një ndjenjë kjo dashuria që shpesh i mjafton drita e hënës për të qenë në parajsë.
Kush e ka lexuar librin ”Princi i vogël” e kupton se vërtet ne të rriturit komplikojmë dhe gjërat më të thjeshta duke e bërë jetën të pamundur. Pikërisht ky ”Princi i vogël” meriton te quhet ”Princi i madh”, jo të tjerët.
Por a keni rënë ndonjëherë në dashuri ju? Ju që helmoni brezat e rinj me ato vulgaritete? Ka aq shumë motivime që mund ti bëhen brezave të rinj sa të bëhesh i famshëm me dashuri të shtirur duhet të ishte e fundit.
Sepse dashuria ka kusht sinqeritetin, ka kufij universin dhe ka spektator hënën.
Ndaluni një moment dhe mendoni sa plot është jeta juaj dhe lërini ata njerëz gri të kenë spektatorë iluzionet e mbushura me hiç.
Por a keni rënë ndonjëherë në dashuri ju? E ju që keni rënë mbyllni me një lëvizje gishti pultin e tv dhe ato programe dhe përjetoni dashurinë e vërtetë në këtë jetë që vetëm me dashuri ia vlen të jetohet.
ObserverKult
———————–
Lexo edhe: