Silvana Kola Loka: “E çfarë bëra unë me jetën time këtë vit?”

Silvana Kola Loka: "E çfarë bëra unë me jetën time këtë vit?"

Ky mesazh është për ty që, si në fundvit, po mendon “E çfarë bëra unë me jetën time këtë vit?”.
Nuk njihemi, por njihemi.

Unë guxoj të mendoj se, sa më poshtë, është e gjitha e vlefshme për ty.
Kjo jetë mbi Tokë as nuk filloi dhe as nuk do të mbarojë me ty! Shkencëtarët dhe besimtarët ende debatojnë lidhur me zanafillën e jetës së njeriut dhe, sa për fundin e saj, të gjithë kanë bërë paqe me faktin se askush nuk mund ta thotë me siguri…

Madje, as vetë jeta jote, nuk filloi dhe as do të mbarojë Tek ty!

Jeta jote filloi në jetët e prindërve të tu dhe gjithë parardhësve të tyre dhe do të vazhdojë tek fëmijët e tu e tek pasardhës të tjerë. Dhe, nëse ti ke vendosur apo fati e deshi të mos bëje fëmijë, jeta jote do të vazhdojë në jetët e gjithë atyre që të njohën e të deshën…

Jeta jote, në raport me jetën e madhe të njerëzimit, është vetëm një histori. Kështu është edhe jeta ime. Një histori që do të tregohet nga të tjerët…

Veçse, jeta jote, jeta ime, jeta e secilit prej nesh, edhe pse fillon dhe vazhdon me njerëz të tjerë dhe, përpara se të tregohet nga të tjerët si histori, si fillim, është e domosdoshme të jetohet nga ne, në vetë të parë.

Nuk ua japim dot jetën në përdorim të tjerëve; nuk e tregtojmë dot; nuk e falim dot. Nëse i bëjmë sa më sipër, në të vërtetë nuk kemi jetuar…


Pse gjithë kjo përsiatje?



Sepse, në këtë fundvit, ndërsa pyeta veten “Çfarë bëra këtë vit?”, ndjeva se lista e gjithçkaje që kisha arritur ishte kaq gënjeshtare dhe e padrejtë. Ajo nuk tregonte gjithë të vërtetën.

Gjithçka kisha arritur ta përfundoja me sukses këtë vit, e kishte patur zanafillën një vit të shkuar ose edhe më përtej.
Shumë projekte në kokën time do të vazhdojnë të mbarten në vitet në vijim (E paçim jetën e gjatë!).

E përse pyesim “Çfarë bëra këtë vit?”


A nuk do të ishte e drejtë thjesht të thoshim “Unë jetova edhe këtë vit! A nuk mjafton kaq?”
Tek e fundit, na duhet të pranojmë: jeta është edhe ajo që zgjedhim të bëjmë, edhe ajo që nuk bëjmë.
Madje, që ta themi tamam, jeta është edhe ajo që zgjedhim të jemi, edhe ajo që nuk jemi.
Dhe, si e tillë, jeta nuk matet me vite, as me muaj, as me ditë-netë.
Jeta matet me rrahje zemre!
Ndaj them se, në vend të pyesim “Çfarë bëra këtë vit?” le të pyesim “A arrita realisht të jetoja në çdo rrahje zemre?”

ObserverKult

Lexo edhe:

SILVANA BEGAJ: BABA UNË IKA, E TI SAKRIFIKOVE ÇDO GJË PËR MUA