Nga Silvana Kola-Loka
Në fakt, titulli i thotë të gjitha sa i takon frymës së arrogancës, shpërfilljes dhe mungesës së theksuar të dëshirës për t’u vendosur plotësisht në marrëdhënie me tjetrin, ndjesi që burojnë nga ky qëndrim: e folura me duart në xhepa.
Gjithashtu e folura me këtë pozicion mund të dëshmojë për një dëshirë të madhe për t’u pranuar me patjetër nga të tjerët dhe një frikë edhe më të madhe se t’i nuk i zotëron plotësisht cilësitë për të gëzuar vlerësimin e të tjerëve dhe, për rrjedhojë, edhe pranimin e tyre.
Por, unë nuk dua të flas për sa më sipër. Sot zgjedh të ndaj me ju një këndvështrim tjetër sa i takon asaj që unë gjykoj se është një ndër bjerrjet më të mëdha ndër pedagogët dhe gazetarët shqiptarë, të cilët e kanë si emblemën e tyre të qëndruarit me duar në xhepa ndërsa flasin.
Përpos gjithçkaje që parashtrova më sipër, gjykoj se gjithnjë e më shumë, mësimdhënia dhe gazetaria shqiptare po vuan nga Humbja totale e kureshtisë për tjetrin.
Të tillë pedagogë dhe gazetarë, me qëndrime kaq përjashtuese të tjetrit, që e mbajnë gjithë energjinë tek vetja, e kthejnë komunikimin në një monolog euforik dhe shterpë.
Si mund të përçohet fjala nëse, minimumi, nuk je kureshtar të zbulosh kush është njeriu që po përtyp fjalën tënde? Si mund të ndërtohet një pyetje apo një retorikë e tërë në rast se mungon interesi i mirëfilltë për të zbuluar tjetrin dhe pastaj të ngazëllehesh prej këtij zbulimi?
Një shkallë e tillë e mungesës së Kureshtisë për tjetrin , përveçse më revolton sepse dëshmon arrogancë, më mbush gjithashtu me një ndjenjë të thellë dhimbshurie për vetminë e madhe dhe varfërinë njerëzore që kanë brenda tyre këta xhepambushur me veten!!
Lindim për t’u mbushur me tjetrin, me të tjerët!
Nëse mendojmë se na mjafton vetja dhe gjithë të tjerët janë thjesht aksesorë, atëherë jetojmë në një ishull në kokën tonë që, sado e bukur qoftë, ulërin vetmi dhe varfëri shpirtërore: një amalgamë që kërkon vëmendje, por nuk prodhon dot as mendim dhe as marrëdhënie njerëzore…
ObserverKult
Lexo edhe:
MANJOLA BRAHAJ: ÇKA TË BAJMË ME TRISHTIMIN?
Poezi nga Manjola Brahaj
Me çka ta veshim trishtimin tonë,
që na asht varë për qafe si nji fëmijë i llastuem?
Çfarë emni t’i vemë,
në ferrkun e heshtjes kur zgjohemi si mos me qenë dy vetë,
apo kur si gurë të randë biem në fundin e shtratit,
me fjetë?
Me çka ta pijmë e ta pshtyjmë pa e përtypë,
që të mujmë pa u mbytë me dalë hijes së tij t’zezë
edhe kur të jemi të mardhun
me gacat e fikuna të zjarmit pa ndezë?
Si me e fshi e me e hjekë ajrit të dhomave tona
kur hyn pa u ftue
ani pse dera asht e mbyllun me rezë,
e dritaret janë errësue?
Me çka ta zëvendësojmë që ditët tona të marrin tjetër ftyrë,
të mos ia ndjejmë mungesën
as në kornizat e peizazheve pa ngjyrë?
Poezinë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult