Silvana Kola-Loka: Përse njerëzve iu pëlqen të flasin për veten me të tjerët?

Silvana Kola Loka
Silvana Kola-Loka

Ju kujtohet historia e përmbytjes së anijes pranë një ishulli të pabanuar? Nga fundosja e anijes shpëtuan vetëm dy njerëz: një djalë dhe një vajzë.

Sipas historisë, djali u ndje menjëherë i tërhequr nga bukuria por ajo kujtonte vazhdimisht vetes se ishte gruaja më e bukur në botë dhe nuk i shkonte djalit pas fijes.

Për të mos e zgjatur, kur kuptuan se ishin njerëzit e vetëm të mbetur në ishull dhe se, me shumë të ngjarë, askush nuk do vinte t’i shpëtonte, iu dorëzuan njëri-tjetrit në aktin e marrëdhënies seksuale.

Djali dukej shumë i gëzuar, vetëm se, pas disa ditësh, me një fytyrë që tregonte se diçka e mundonte, iu asaj dhe i tha:

– Të lutem, a mund të hiqesh për dy minuta sikur je shoku im i ngushtë? Le të bëjmë sikur unë të marr në telefon dhe ti përgjigjesh?! Të lutem!

Ajo, e kapur në befasi me këtë kërkesë të çuditshme, pranoi.

Atëherë djali, ngriti dorën tek veshi si të kishte një aparat telefoni dhe tha:

– Ej shoku! Nuk do ta besosh çfarë më ka ndodhur! Kam bërë seks!

***

Përse ndjejmë nevojën t’iu tregojmë të tjerëve për veten?

— Sepse duam që të tjerët të na duan dhe të kenë dhembshuri për ne;

— Sepse kështu forcojmë lidhjen që kemi apo duam të kemi me ata;

— Sepse kemi nevojë për informacion nga të tjerët dhe këtë e sigurojmë duke iu treguar të tjerëve situatën në të cilën jemi;

— Sepse duam që të tjerët të mendojnë mirë për ne ndaj vendosim të përzgjedhim çfarë do t’iu themi atyre;

***

Kur të dyja vajzat e mia ishin ende foshnja, përveç ninullave, këngëve dhe përrallave, unë iu kam rrëfyer ‘Historinë e Tyre’.

Historia që iu tregoja fillonte shumë kohë përpara ditës së lindjes së tyre. Madje, edhe përpara se unë dhe babai i tyre të ishin njohur. Historia e tyre niste me një rrëfim të shkurtër të vajzës dhe djalit që më vonë do të bëheshim prindërit e tyre. Pastaj iu tregoja për kohët kur ne dëshiruam të kishim secilën prej tyre. Si i imagjinonim se do të ishin! Sa shumë do t’i donim! Si do t’i ndihmonim të rriteshin të lumtura, me shpirtin plot mirësi dhe mendjen e hapur. Pastaj iu tregoja për shtatzëninë, lindjen, ditët e para të ardhjes së tyre mes nesh.

Dhe këtë histori ua tregoja shumë shpesh, duke u përpjekur që të përsërisja me skrupulozitet gjërat që gjykoja si më të rëndësishmet. Vajzat e mia kanë dëgjuar vazhdimisht se si ne i kemi dashur shumë kohë përpara se të lindnin. Se ato nuk kanë nevojë të bëjnë asgjë për ta meritur dashurinë tonë: e kanë dhe do ta kenë deri në fund të kohërave. Se si gjithnjë duhet të kenë besim tek vetja dhe tek ne gjithashtu. Këto dhe shumë të tjera…

***

Ne njerëzit jemi qenie që jetojmë përmes tjetrit, që e lejojmë tjetrin të jetojë përmes nesh. Kështu jemi të ndërtuar gjenetikisht. Kështu kemi mbijetuar ndër mijëvjeçarë.

Ajo që kam kuptuar ndër vite është se, sa më shumë dhe sa më thellë ta njohim veten, aq më të lehtë e kemi ‘ndërthurjen me tjetrin’, hapjen e vetes ndaj tjetrit dhe lejimin e tjetrit të hapë veten me ne, pa mbetur peng të njëri-tjetrit.

Dhe zotërimi i ‘Historisë tënde’ mund të ishte një ide e mirë.

***

I dashur mik!

E dashur mikeshë!

Bëji vetes një dhuratë. Ulu dhe shkruaje historinë e jetës tënde si të ishte një përrallë. E di që do të thuash “Silva! Po ku e di unë se si mbaron përralla ime?!”.

Le të jetë një përrallë që mbyllet me “Dhe nëser fillon një ditë e re…”

Por ulu dhe shkruaje. Vetja jote ka dëshirë të tregohet! TI ke vlerë të tregohesh!

ObserverKult

__________________________

Lexo edhe:

SILVANA KOLA LOKA: “E ÇFARË BËRA UNË ME JETËN TIME KËTË VIT?”