Silvana Kola-Loka: Si luftoj unë për dashurinë?!

me shume dhembin plagët e miqve sesa plagët e armiqve silvana kola loka


Nga: Silvana Kola-Loka

Luftoj me krenarinë time që të mos më bëhet pengesë për të kërkuar falje. Madje për të hapur rrugë edhe kur tjetri është gabim, sepse çdo reflektim mbi gabimin ndodh vetëm përtej ndjesës së fajësimit dhe turpërimit. Pastaj, të dy e dimë se kush kishte të drejtë!!
Luftoj me zemërimin tim që të mos bëhet pengesë për të kuptuar se çdo njeri ka arsyet e veta për fjalët dhe veprimet që bën. Ngecja në zemërim ma pengon të jetuarit. Unë nuk kam kohë të tepërt për të humbur!
Luftoj me frikërat e mia nëse ia dal të jem gjithnjë ‘ajo e duhura’ dhe i kujtoj vetes se frikërat e mia e kanë burimin në pasiguritë e mia të brendshme dhe jo në sjelljen e tjetrit. Mblidhe mendjen kokë! Ti je Ajo!
Luftoj me vetbesimin dhe arrogancën time që ato të mos shkaktojnë ‘zvogëlimin’ e tjetrit. E çfarë pastaj se unë e ditkam më mirë? Që kur na u bë dashuria një garë talentesh? Le që unë jam edhe kundër të gjitha llojeve të garave mbi të gjitha!!


Ti më pyet si u luftoka me veten për hir të dashurisë? A nuk duhet luftuar me egon e tjetrit që të lëndon? Me krenarinë e tij që të ngurtëson? Me zemërimin e tij të padrejtë?

Më vjen keq nëse të zhgënjej! Për mua, dashuria nuk është luftë që duhet të fitohet nga njëri prej të dyve. Për mua, në dashuri ose humbasin ose fitojnë që të dy.
Madje, nëse ti mendon se ke fituar mbi tjetrin duke ‘i luftuar’ çfarë nuk shkon mirë, në të vërtetë je humbësi më i madh.
Në të vërtetë, në dashuri hyhet dhe qëndrohet brenda saj vetëm duke synuar paqen me veten. Madje, nëse arrijmë të bëjmë paqe me veten është treguesi më i qartë i faktit se me të vërtetë dashurojmë.
E di çfarë? Nuk më vjen keq nëse të zhgënjeva me çka thashë!

ObserverKult

Lexo edhe:

ARMIQTË TANË MË TË MËDHENJ, ATA QË DUHET TË LUFTOJMË TË PARËT, JANË BRENDA NESH…