Silvana Kola-Loka: Si luftoj unë për dashurinë?!

Silvana Kola Loka
Silvana Kola-Loka

Si luftoj unë për dashurinë?!
Luftoj me krenarinë time që të mos më bëhet pengesë për të kërkuar falje. Madje për të hapur rrugë edhe kur tjetri është gabim, sepse çdo reflektim mbi gabimin ndodh vetëm përtej ndjesës së fajësimit dhe turpërimit. Pastaj, të dy e dimë se kush kishte të drejtë!!

Nga Silvana Kola Loka


Luftoj me zemërimin tim që të mos bëhet pengesë për të kuptuar se çdo njeri ka arsyet e veta për fjalët dhe veprimet që bën. Ngecja në zemërim ma pengon të jetuarit. Nuk kam kohë të tepërt për të humbur!
Luftoj me frikërat e mia nëse ia dal të jem gjithnjë ‘ajo e duhura’ dhe i kujtoj vetes se frikërat e mia e kanë burimin në pasiguritë e mia të brendshme dhe jo në sjelljen e tjetrit. Mblidhe mendjen kokë! Ti je Ajo!
Luftoj me vetbesimin dhe arrogancën time që ato të mos shkaktojnë ‘zvogëlimin’ e tjetrit. E çfarë pastaj se unë e ditkam më mirë? Që kur na u bë dashuria një garë talentesh? Le që unë jam edhe kundër të gjitha llojeve të garave mbi të gjitha!!

Ti më pyet si u luftoka me veten për hir të dashurisë?
A nuk duhet luftuar me egon e tjetrit që të lëndon?
Me krenarinë e tij që të ngurtëson?
Me zemërimin e tij të padrejtë?
Më vjen keq nëse të zhgënjej!
Për mua, dashuria nuk është luftë që duhet të fitohet nga njëri prej të dyve. Për mua, në dashuri ose humbasin ose fitojnë që të dy.
Madje, nëse ti mendon se ke fituar mbi tjetrin duke ‘i luftuar’ çfarë nuk shkon mirë, në të vërtetë je humbësi më i madh.
E di çfarë? Nuk më vjen keq nëse të zhgënjeva!
Të uroj një mbrëmje të bukur!

ObserverKult


Silvana Kola-Loka

Lexo edhe:

SILVANA KOLA LOKA: MOS MË THONI “TI JE E FORTË!”

Mos më thoni “Ti je e fortë!“

Nga Silvana Kola Loka

Për ata, të cilëve iu mban kurrizi…
-Ti je e fortë! Ti ke duruar kaq shumë gjëra! Mund ta durosh edhe këtë, jam i sigurt!

-Po! Jam e fortë dhe këtë nuk e luan as topi! Por, ky është momenti kur dua ta ndjej gjithë peshën e trishtimit, dhimbjes dhe zemërimit. Kam të drejtë ta ndjej gjithë këtë, deri në palcë. Dhe, për ta bërë këtë, nuk kam nevojë as për spektatorë, as për bamirës. Të lutem, më lër vetëm!

Vetëm se, mos më kërko asnjë garanci për çfarë do të jem kur të dal nga kjo gjendje.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult