Vajzat e mia nuk kanë idhuj…ama e duan njeriun!

përputhen silvana heshtja


Kahershëm, vajzat e mia nuk i njohin idhujt. Më saktë, ne kemi vendosur t’i rrisim pa idhuj.

Nga Silvana Kola Loka

Vajzat e mia nuk kanë idhull asnjë mësues, asnjë gjysh apo familjar tjetër, asnjë këngëtar, asnjë hero(inë) bashkëkohore apo historike, asnjë personazh të stisur apo të vërtetë, asnjë frymor.

Për vajzat e mia, as unë dhe as babai i tyre nuk jemi idhuj. Vajzat e mia nuk adhurojnë.
Ama, vajzat e mia e duan njeriun. E duan njeriun që qëndron brenda mësuesit, gjyshit/es, të njohurve dhe të panjohurve, atyre që kanë ngecur në histori apo janë harruar, të atyre që popullojnë kopertinat apo e fshehin fytyrën pas filtrave në fotoshop.

Vajzat e mia nuk kanë asnjë idhull por e duan njeriun pavarësisht nëse ia del apo e djallos me atë që bën.

Dy janë ditët më kyçe në jetët e vajzave të mia, kur unë kam kuptuar se ato nuk adhurojnë pa kushte.

Korina, 12 vjeçe, duke parë një serial televiziv, në një skenë familjare, komenton me zë të lartë veprimin e babait: “O Zot! Pranoje që as ia ke haberin si përdoret teknologjia dhe kërko ndihmë. Nuk është fundi i botës se nuk di të bësh screenshot!”

Abi, kthehet një ditë nga shkolla, dhe më thotë: “Silva! Të kujtohet që dikur më ke thënë të mos i shikoja mësueset si perëndi? Ti i ke bërë një shërbim të madh njerëzimit. Duke mos krijuar një adhuronjëse tek unë. Sot mësueses time i ishte grisur xhaketa. Po e shikoja dhe mendova “Kushedi sa me vrap ka dalë nga shtëpia e gjora, si të gjitha gratë!”

Vajzat e mia nuk kanë idhuj. Idhujt unë i kam frikë sepse janë prezantime të gënjeshtërta të njeriut, janë njerëz të paplotë në të përkryerën e tyre hiperbolike, janë krejt rrenacak në hynoren që shfaqin.

Jam e lumtur për vajzat e mia. Ato e dinë se nuk do të jenë idhulli i askujt dhe kjo i bën njerëz të lirë. Ose të paktën kështu shpresoj dhe lutem të ndodhë…

ObserverKult

———————

Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: KËTO ISHIN FJALËT E FUNDIT QË DËGJOVA PREJ AZEM SHKRELIT